Politika

Memorandumi me SHBA për bashkëpunim ekonomik dhe HEC-in e Skavicës/Shqipëria e besueshme për investimet amerikane

Një ditë të shënuar në historinë e një miqësie të paçmueshme, e konsideroi dje Kryeministri Edi Rama nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA , një hap madhor në marrëdhëniet mes dy vendeve, që e bën Shqipërinë një adresë të besueshme për investimet amerikane.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në Tiranë, me nënsekretarin amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, e cila i parapriu nënshkrimit të Memorandumit, Kryeministri Rama theksoi se “bashkëpunimi strategjik për rrjete dixhitale të sigurta, zhvillimi i burimeve hidrike dhe përpunimi i gazit të lëngshëm janë në interesin e përbashkët të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”.

Sipas tij, “projekti i HEC-it të Skavicës është një ëndërr gjysmëshekullore që do ta realizojmë me miqtë amerikanë dhe përmes këtij investimi madhor me ekspertizë, financim e teknologji amerikane, do ta pavarësojmë Shqipërinë nga importi i energjisë dhe do të hyjmë në një fazë të re për Shqipërinë që duam”.

Kryeministri u shpreh se kjo është një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe të partneritetit të paçmueshëm me SHBA, që hap një kapitull të ri në rrugën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së SHBA-së për Shqipërinë.

“Ne u jemi thellësisht mirënjohës SHBA-së për mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë Shqipërisë qysh në ditën e parë të daljes nga errësira e komunizimit në rrugën e reformave dhe të përpjekjeve për të ndërtuar një shtet funksional demokratik dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës”, tha Rama.

“Memorandumi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikoj ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “kjo do të rrisë eksportet duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar dhe do të fusë në fazën e realizimit një ëndërr 50-vjeçare, ndërtimin e HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike por i varur nga moti dhe importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”.

“Memorandumi po ashtu do të nxisë, dhe e falënderoj nënsekretarin për bisedën shumë interesante që kemi zhvilluar dhe angazhimin personal, për të nxitur bizneset të vazhdojnë në këtë proces ku qeveria amerikane hedh hapin e parë duke u futur vetë përmes këtij memorandumi për të mbështetur me ekspertizën e vetë teknologjinë amerikane dhe financimin, gjë për të cilën do punojmë bashkërisht, ndërtimin e Skavicës, që të tjerët të ndjekin këtë shembull. Kam parasysh impaktin e madh që do të ketë ky hapë dhe kompanitë amerikane mbi kompani të tjera europiane apo të vendeve mike”, shtoi Rama.

“Ne e kemi të përcaktuar vijën tonë. Për ne paratë që vijnë për t’u investuar në Shqipëri nuk janë para që vlejnë njësoj, sikur vijnë nga një vend mik, apo kur vijnë nga vende që nuk hyjnë te miqtë tanë të preferuar dhe nuk janë aleatë strategjikë të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në këtë rast jemi të kujdesshëm dhe do të bëjmë çmos që parja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa të përkthehet në rritje ekonomike, punësim dhe përfitim reciprok”.

Rama tha se “një aspekt tjetër i rëndësishëm është ajo që ofron memorandumi për të pasur udhërrëfyes në sektorë strategjik”.

“Kam parasysh që nga burimet energjetike, te infrastruktura, turizmi, energjia dhe konfirmimin e qëndrimit tonë të kahershëm që Shqipërisë dhe rajonit i duhet një qasje strategjike për të pasur rrjet të sigurt në procesin e kalimit në nivele të tjera të dixhitalizimit dhe transferimit të të dhënave”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button