Rajoni

Mësimi “patriotik i edukimit ushtarak” për nxënësit hungarez

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban urdhëron me dekret mësimin e lëndës së edukimit ushtarak në shkolla. Kjo të sjell në mendje kujtime të një kapitulli të errët të kulturës totalitare-militariste.

Marshimi me hap rreshtor, qitje, hedhja e granatave, filmat propagandistikë, përkujtimi i heronjve të luftës – kjo ishte pjesë e jetës së përditshme në shkolla në diktaturat komuniste. Lëndën famëkeqe ushtarake të gjitha shtetet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Juglindore e eleminuan pas vitit 1989 menjëherë dhe pa zhurmë – për pak masa të tjera në reformën e arsimit ekzistonte një konsensues si për këtë lëndë.

Por tani, lënda e detyrueshme e edukimit ushtarak po futet me detyrim në Hungari, për fëmijët dhe për të rinjtë. Këtë e urdhëroi në fund të korrikut, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, me vendimin e qeverisë numër 1462/2017. “Ministria për Burimet e Fuqisë Njerëzore” (një lloj superministrie për Çështjet Sociale, Arsimin, Rininë, Familjen, Shëndetësinë, Kulturën dhe Sportin) dhe ministria e Mbrojtjes mori nga Orbani udhëzimin që deri në fund të vitit të përpunojë një të ashtuquajtur “program edukimi patriotik dhe të mbrojtjes së atdheut” për mësimin në shkolla, me të cilin tek nxënësit do të nxitet një qëndrim patriotik dhe një gatishmëri e lartë për mbrojtje.

“Ne flasim për një pozicionim ndaj jetës”

Ungarn Bildung Schulklasse in Budapest (Imago/EST&OST)

Javën e kaluar, zëvendëssekretari i shtetit në “Ministrinë për Burimet e Fuqisë Njerëzore”, Zoltán Maruzsa përmendi hollësi për mësimin e ri të edukimit ushtarak. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një lëndë mësimore të veçantë, por për një koncept edukimi, i cili do të përfshihet në “Planin Kombëtar të Mësimdhënies” (NAT) për shkollat dhe do të integrohet në të gjitha lëndët. “Ne flasim për një pozicionim ndaj jetës, që është që sot i pranishëm në mësimin e historisë dhe të gjeografisë dhe mund të jetë i pranishëm edhe në muzikë dhe në edukatë fizike”, i shpjegoi Maruzsa gazetës së afërt me qeverinë “Magyar Idök”. E përfytyrueshme është futja e qitjes sportive dhe e llojeve të sporteve luftarake. Sipas tij është e rëndësishme që sistemi arsimor t’i përcjellë popullit përgjegjësinë dhe përkushtimin për mbrojtjen e atdheut dhe dashurinë për atdheun.

Përfaqësues të sindikatave të pedagogëve, ekspertë të arsimit dhe politologë u shprehën të tmerruar në mediet hungareze për këtë plan dhe folën për “militarizimin e shkollave”. “Në fillim erdhën programet për edukimin moral etik, tani vjen edukimi patriotik- ushtarak, qeveria do që ta formësojë të gjithë vendin sipas përfytyrimeve të saj”, thotë eksperti për arsimin i Sindikatës së Pedagogëve, Janos Szüdi. Politologu liberal, Peter Kreko, i thotë Deutsche Welles se sistemi arsimor hungarez është kthyer “në një mënyrë të rrezikshme në një fushë beteje të indoktrinimit ideologjik”.

Politologu dhe drejtori i Institutit Nezöpont, të afërt me qeverinë, Agoston Mraz, i konsideron absurde këto kritika – qeveria Orban nuk ushqen as “synime militante dhe as totalitariste”, thotë ai. “Vërtet që është fakt që programi i edukimit patriotik të qeverisë zor se pajtohet me një koncept liberal-individualist të shtetit”, thotë Mraz. Por sipas tij duhet mbajtur parasysh se disa fqinjë të Hungarisë, si Ukraina dhe Austria vazhdojnë ta kenë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Veç kësaj, SHBA kërkojnë nga Evropa shpenzime më të larta për mbrojtjen. “Në këtë sfond, synimi i qeverisë ndoshta është më i kuptueshëm”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button