Politika

Meta: Reforma në Drejtësi dhe ekonomia prioritet për vitin 2016

Realizimi i sa më shpejtë i reformës në Drejtësi dhe krijimi i një klime të përshtatshme për biznesin, duke zhvilluar ekonominë janë nga prioritet kryesore të vendit tonë për vitin 2016.

Këtë ka thënë, Kryetari Kuvendit Ilir Meta gjatë një interviste për Televizionin Shqiptarë, ku bëri një rezyme të institucionit që ai drejton. Fillimisht Kreu Kuvendit tha se viti që po mbyllim ishte më më i suksesshëm se ai i mëparshmi në drejtim të funksionimit të Parlamentit edhe për faktin e thjeshtë se opozita ka qenë mjaft aktive, edhe pse jo gjithmonë shumë konstruktive, dhe në këtë drejtim është bërë një punë e madhe.

“anë bërë debate të rëndësishme, janë ndërmarrë nisma të rëndësishme. Dhe mbyllja me shumë sukses dhe me konsensus edhe e të ashtuquajturit dekriminalizim, padyshim që është një hap i madh përpara për të rritur integritetin e vetë Parlamentit si institucioni më i rëndësishëm në vend. Por njëkohësish edhe integritetin e të gjithë institucioneve të tjera, pasi absolutisht qytetarët tanë meritojnë një përfaqësim shumë më të denjë se sa deri më tani”, tha Kryetari Kuvendit, Meta.

Lidhur me reformën në drejtësi, Meta tha se Komisioni Venecias është dhe mbetet gjithnjë referencë për politikën shqiptare. “Është një institucion, që na ka asistuar përgjatë gjithë tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë edhe në hartimin e Kushtetutës sonë, por dhe vazhdimisht për shumë çështje të debatueshme”, tha Meta.
“Komisioni Venecias, ka qenë gjithmonë një referencë për bashkuese për politikën shqiptare, pavarësisht se kush ka qenë mazhorancë apo se kush ka qenë opozitë. Për fat të mirë mbetet i tillë edhe pas këtyre rekomandimeve. Ky komision bëri të qartë se ka nevojë për një reformë radikale dhe ka dhënë vlerësimin e vet për një punë që është bërë”, vijoi Kryetar Kuvendit.IMG_7844

Po ashtu Kreu i pushtetit legjislativ u shpreh se, buxheti do të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen ekonomike e cila parashikohet të jetë 3.4 për qind, pra më e lartë se e këtij viti. “Sigurisht do të donim një rritje shumë më të madhe, por të mos harrojmë trashëgimitë e vështira të ekonomisë sonë. Të mos harrojmë se shumica e eksporteve tona shkojnë drejt Italisë e cila është një vend me rritje për fat të keq, edhe pse pozitive, por ende mjaft të kufizuar. Kështu që të gjithë këta faktorë të përgjithshëm ndikojnë tek objektivat”, tha Meta.

“Por unë mendoj, vijoi ai, që përveç buxhetit, është shumë i rëndësishëm përmirësimi i klimës së biznesit. Është shumë i rëndësishëm nxitja dhe realizimi i shumë partneriteteve publike dhe private në sektorë të caktuar ku ndoshta investimet në buxhet nuk janë të mjaftueshme siç ne do të dëshironim, por që ka nevojë për këto investime, për një angazhim më të madh të sektorit privat në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend”.
Duke kthyer sytë tek Partia, që ai drejton, Levizja Socialiste për Integrim, Meta tha se kjo forcë politike po punon për të qenë totalisht transparente me publikun.

“Transparenca e financimit të partive ka qenë një shqetësim i opinionit publik, i mediave, i gazetarëve, i rekomandimeve të herëpashershme të OSBE-ODIHR-it dhe mendoj që është e domosdoshme që transparenca të jetë e plotë dhe në këtë drejtim. Pavarësisht se kjo do të kërkojë ndryshime në Kodin Zgjedhor apo në ligjin për financimin e partive e kështu me radhë dhe patjetër që ne do të bëjmë të gjitha propozimet tona në Komisionin për Reformën Zgjedhore, por ne si forcë politike kemi bërë publike një platformë dhe e kemi filluar këtë proces që mund ta ndiqni në faqen zyrtare të LSI-së dhe do ta thellojmë më tej”, tha Meta.

Ai lajmëroi se punë për rritjen e transparencës nuk do ndalet me kaq. “Shpresojmë të konkretizojmë një bashkëpunim të ngushtë me Institutin Demokratik Amerikan, me të cilin LSI-ja ka marrëdhënie shumë të mira dhe kemi realizuar shumë programe të rëndësishëm si për rininë, për kualifikimin e të rinjve, për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e gruas. Dhe në këtë drejtim ata kanë mjaft eksperienca pozitive në shumë vende të botës. Shpresojmë që të arrijmë një bashkëpunim shumë të dobishëm, shumë të frytshëm për të dhënë shembullin e një force politike ekstremisht transparente”, vijoi ai.

Kryetari Kuvendit, Ilir Meta e mbylli intervistën duke folur për koalicionin qeverisës, që sipas tij ka realizuar objektivat e saj, ndërsa nuk vlerësoi se gjithnjë ka vend për reflektim. “Mendoj që objektivat në tërësi janë realizuar, por gjithmonë ka vend për të reflektuar. Ka vend për të parë se çfarë mund të ishte bërë më mirë, se çfarë duhet bërë më shpejt. Dhe në këtë kuptim unë besoj se mazhoranca do të dijë të adresojë akoma më mirë shumë shqetësime të qytetarëve tanë dhe ajo që është më e rëndësishmja, gjithmonë problemet e ekonomisë mendoj unë që janë prioritet”, tha Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button