Ekonomia

MF “ok” kompanisë “Digitalb” për obligacionin 2 milionë euro me ofertë private

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi të hënën (7 maj) prospektin e emetuesit, shoqëria “DIGITALB” sh.a., për ofertën private të emetimit të obligacioneve afatgjatë me garanci dhe me normë interesi fikse për shumën 2 milionë euro.

Ky do të jetë obligacioni i parë i kësaj natyre, që del në treg duke iu ofruar investitorëve një formë të re investimi dhe një produkt me siguri më të lartë në krahasim me obligacionet e pagarantuara.

Ky është një treg relativisht i ri në Shqipëri, që synon ofrimin e një shkalle më të lartë sigurie tek investitorët dhe iu ofron kompanive të shëndosha një formë financimi alternativ. Nga ana tjetër, duke targetuar bizneset me situatë të konsoliduar financiare, emetimi i këtyre obligacioneve shtyn kompanitë të cilat do të duan të përdorin këtë formë financimi drejt rritjes së transparencës, mirëqeverisjes dhe uljes të informalitetit.

Futja “në lojë” e korporatave që emetojnë obligacione në euro zgjeron edhe alternativat e investimit kundrejt instrumenteve të tjerë  që ofrohen aktualisht në treg. Sot në euro, në tregun shqiptar, mund të investohet ose në obligacione qeveritare, ose të mbash depozitë në këtë monedhë dhe së treti, mund të orientohesh edhe tek fondet e investimit.

Në këndvështrimin e investitorëve, emetimi i kësaj forme të obligacioneve pasuron tregun dhe ofron një shkallë më të lartë diversifikimi dhe mbrojtje për ta. Nga ana tjetër, stimulimi i emetimit të obligacioneve, që ofrojnë garanci, kontribuon në tërësi edhe në zhvillimin e tregut të kapitaleve në vend, nëpërmjet rritjes së besimit të investitorit.

Lidhur me investimin në rastet e ofertave private mund të ketë vendosje të kufijve minimalë  të investimit, çka shërben edhe si një “sitë” parakualifikimi për investitorët.

Si veprohet në ofertat private

Në momentin që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare jep miratimin për prospektin e emetuesit për një ofertë të caktuar, sipas legjislacionit në fuqi, kompania e interesuar duhet që t’ju bëjë ofertë jo më shumë se 100 investitorëve potencialë. Në momentin që një investitor bën vlerësimin e asaj që i është ofruar dhe shpreh pëlqimin për të investuar ky i fundit i drejtohet bankës depozitare dhe nënshkruan ofertën.

Përcaktimi i normës së interesit për obligacionin kalon një proces të gjatë vlerësimi, që ka në thelb situatën financiare të kompanisë, strukturën e mirëqeverisjes së saj, garancitë që kompania mund të ofrojë me këtë obligacion si dhe elemente të tjera, të cilat kanë të bëjnë me normat e interesit dhe faktorë të tjerë makroekonomikë të ambientit ku kompania operon. Po kështu përcaktohet edhe mënyra sesi do të veprohet për pagesën e kuponit, periodiciteti i tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button