MF: Projektet e reja të investimeve do të financohen vetëm në kushtet emergjencës
Detajimi i fondeve për investime të miratuara në ligjin nr.147, datë 17.12.2015, “Për Buxhetin e vitit 2016”, si dhe kërkesat për rishpërndarje apo për fonde shtesë për investime, do të paraqiten për konfirmim pranë ministrit të Zhvillimit Ekonomik,Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pas shqyrtimit, konfirmimi përkatës, nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të paraqitet për miratim pranë ministrit të Financave dhe për njoftim pranë njësive të qeverisjes qendrore, njofton Ministria e Financave në udhëzim të posaçëm për zbatimin e buxhetit 2016.
Njësitë e qeverisjes qendrore, në detajimin e planeve të miratuara të investimeve, do të mbajnë parasysh këto kritere dhe përparësi në financimin e projekteve:
a) Projektet e investimeve të propozuara për financim duhet të jenë pjesë e projekteve të propozuara dhe të shqyrtuara nga Këshilli i Ministrave dhe të paraqitura në Kuvend, për vitin 2016;
b) Në detajimin e investimeve të miratuara nga MZHETTS-ja për njësitë e qeverisjes qendrore do të përfshihen edhe fondet e ngurtësuara, të cilat në total janë 4 miliardë lekë dhe që do të përdoren gjatë vitit 2016 kundrejt arkëtimit të të ardhurave nga dividenti në të njëjtën masë, sipas përcaktimit në nenin 10 të ligjit 147, datë 17.12.2015, “Për ligjin e buxhetit të vitit 2016”.
c) Projektet në vazhdim nga viti 2015 ose më parë, do të financohen me përparësi dhe duhet të jenë pjesë e prioriteteve të propozuara për financim gjatë vitit 2016.
d) Detyrimet lokale për TVSh-në, Taksa Doganore ose bashkëfinancimet nga buxheti i shtetit për projektet me financim të huaj, do të financohen në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet financiare të projekteve dhe në përputhje me vlerën e financimit të huaj të planifikuar për vitin 2016. Financimi i projekteve me financim të huaj nuk duhet të tejkalojë tavanin e miratuar në ligjin e buxhetit për vitin 2016.
e) Projektet e reja të propozuara për financim duhet të kenë kaluar procedurat e miratimit në kuadër të PBA-së 2016–2018, dhe duhet të jenë në përputhje me prioritetet sektoriale të propozuara nga njësitë e qeverisjes qendrore. Propozimet për financimin e projekteve të reja do të shoqërohen me relacionin dhe formularët përkatës në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në shtojcën 6 “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të Udhëzimit nr.8, datë 27.02.2015 “Për përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm 2016-2018”.
f) Propozimet për projekte të reja të papërfshira në sa më sipër, do të financohen vetëm në kushtet e emergjencës, të shoqëruara me një relacion të hollësishëm për domosdoshmërinë e investimit të kërkuar dhe pas miratimit paraprak nga ana e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS).
Projektet e reja që plotësojnë kushtet e mësipërme dhe janë me vlerë deri në 700 milionë lekë, do të financohen vetëm pas miratimit paraprak të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Projektet prioritare me vlerë mbi 700 milionë lekë do të financohen vetëm pas shqyrtimit dhe miratimit paraprak në Komitetin Ndërministror për Zhvillimin Ekonomik.
Shtesat në planin e miratuar të projekteve të investimeve publike në kuadër të kontratave për punime shtesë ose të ndryshimeve në planin e projekteve, si dhe rialokimet e fondeve ndërmjet projekteve gjatë zbatimit të buxhetit, do të bëhen me miratim paraprak të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, bazuar në relacionin dhe argumentet mbi domosdoshmërinë e tyre. Nëse projekti i propozuar nuk ka qenë pjesë e PBA-së 2016–2018 dhe nëse nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, kërkesa për financim duhet të paraqitet vetëm në kuadër të rishikimit të buxhetit vjetor.
E drejta e njësisë së qeverisjes së përgjithshme për rishpërndarjen e fondeve për investime, të miratuara për vitin buxhetor, ushtrohet deri më datën 15 nëntor të vitit, e cila konsiderohet data e fundit e paraqitjes së kërkesës për rialokim pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.