Ekonomia

Minxhozi: Shkëmbimet tregtare Shqipëri- Kosovë u rritën rreth 20 milionë euro në 2015

aaAmbasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, deklaron se “shkëmbimi i mallrave mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë vitit 2015 ka pasur rritje prej rreth 20 milionë euro të eksporteve dhe importeve, kundrejt vitit 2014″.

Në një intervistë për KosovaPress, ambasadori Minxhozi thekson se ” 2015 ka qenë një vit i suksesshëm në shkëmbimin e mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ka pasur një aktivitet ekonomik të ndërsjelltë të rritur edhe kjo në vlerë monetare, llogaritet rreth 200 milionë euro, që do të thotë është rreth 20 milionë euro më tepër se vitin e kaluar. Ka pasur rritje të eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Gjithashtu, edhe rritje të eksporteve të Shqipërisë në Kosovë. Një gjë të dukshme në këto eksporte kanë zënë produktet bujqësore”.

Sipas tij, përkundër rritjes së shkëmbimit tregtar më mirë se një vit më parë, prapë nuk është i kënaqur me barrierat me të cilat janë ballafaquar bizneset gjatë vitit 2015.

Ambasadori Minxhozi nënvizon se “ka rritje, por ne jemi jo të kënaqur për mundësitë që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Ende ekzistojnë disa barriera që dita-ditës po zvogëlohen, por mundësitë janë shumë më të mëdha. E rëndësishme është që institucionet e ndryshme të shtetit shqiptar dhe të shtetit të Kosovës po intensifikohen nga dita në ditë që këto barriera të ulen. Po ndërmerren dhe nisma ligjore nga parlamentet e dy vendeve për të parë mundësinë që këto barriera të ulen jo vetëm në fushën doganore, por edhe për çertifikimin e produkteve duhet të bëhet më tepër. Gjithsesi, mendoj që viti 2016 do të ketë një fillim më të fuqishëm për të rritur bashkëpunimin dypalësh Shqipëri-Kosovë”.

Një arritje shumë e madhe sipas ambasadorit Minxhozi gjatë vitit 2015 ishte edhe përfundimi i projektit energjetik mes dy vendeve, i cili pritet të përfundojë në prill të vitit 2016.

“Një sukses i madh është edhe përfundimi i projektit i autostradës energjetike siç e quajmë Fushë-Kosovë, në kufi me Shqipërinë 95 kilometra i gjatë. Një investim prej 35 milionë eurosh. Ky projekt përfundoi me shumë sukses në Kosovë dhe pritet që pjesa tjetër e Shqipërisë, 120 kilometra për t’u afruar, për t’u lidhur me Kosovën, një investim po me të njëjtën vlerë 35 milionë euro do të përfundojë në prillin e vitit të ardhshëm. Është tepër e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria lidhen me një sistem të transmetimit direkt. Po bëhet përpjekje që përveç transmetimit të energjisë elektrike, të kemi edhe prodhim të energjisë elektrike dhe ka nisma dhe iniciativa që gjatë vitit 2016 këto të bëhen më konkrete”, tha Minxhozi.

Lidhur me turizmin, ambasadori Minxhozi u shpreh se gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të turizmit mes dy vendeve.

“Një rritje tjetër të dukshme ka pasur edhe turizmi. Turizmi në drejtim të Shqipërisë, por edhe turizmi në drejtim të Kosovës, sidomos turizmi malor. Me kënaqësi vëmë re që gjatë gjithë muajit dhjetor, pikat turistike të Kosovës kanë qenë të dominuara nga turistë ose familjarë nga Shqipëria si në Grykën e Rugovës, Brezovicë dhe kudo në pikat malore të Kosovës. Gjithashtu, ka pasur një rritje të turistëve të Kosovës sidomos në boshtin Vlorë –Sarandë”, tha Minxhozi.

Ambasadori Minxhozi tha se marrëveshjet e arritura mes dy qeverive kanë qenë të suksesshme, sidomos në fushën e ekonomisë. “Një pjesë e mirë e marrëveshjeve kanë gjetur një zbatim, sidomos këto në fushën e ekonomisë. E them këtë jo për hir se duhet thënë që ishin të suksesshme, por ka pasur një rritje dhe atë e justifikon shifra e larte prej 20 milionë eurosh që ka pasur një rritje. Them që vetëm brenda dy viteve eksporti-importi midis dy shteteve tona ka pasur një rritje 40 për qind, që është goxha e konsiderueshme”, tha Minxhozi.

Ambasadori Minxhozi shpreson që gjatë vitit 2016 do të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri. Gjatë vitit 2015, kishte eksporte afër 60 milionë euro, ndërsa importet nga Shqipëria afër 200 milionë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button