Rajoni

Miti i viktimës i Radovan Karaxhiçit

Megjithë peshën e rëndë të akuzave Radovan Karaxhiçi nuk tregon asnjë shenjë prekjeje apo pendese dhe e paraqet veten si viktimë.

Radovan Karadzic

Në fakt, ai qenkësh ende një mik i kroatëve dhe i myslimanëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, tha Radovan Karaxhiçi para Gjykatës së Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë. Vetëm se ai nuk mund ta vinte këtë miqësi mbi detyrimet ndaj popullit të tij serb. Në luftën e Bosnjës u vranë më shumë se 100.000 vetë. Më shumë se dy milionë u zhvendosën në mes të viteve 1992 dhe 1995, përkohësisht ose përgjithmonë. Sigurisht Karaxhiçi apo serbët e Bosnjës nuk janë të vetmit përgjegjës për pasojat dhe të gjitha krimet e kësaj lufte. Prokurorët e Gjykatës së OKB-së nuk e kanë pretenduar kurrë një gjë të tillë. Por Karaxhiçi i akuzon ata pikërisht për këtë. Dhe ish-kreu i serbëve të Bosnjës e prezanton veten para gjykatës si një viktimë të një komploti.

Radovan Karadzic

Zbatimi i “spastrimit etnik”

Fakt është se Radovan Karaxhiçi konsiderohej si drejtuesi më i fuqishëm i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Në funksionin e tij si president i së ashtuquajturës “Republika Srpska”, pjesës së mbizotëruar nga serbët të vendit, ai ishte përkrah liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, forca lëvizëse e mobilizimit politik dhe ushtarak të serbëve të Bosnjës. Dhe pikërisht këtë do të vërtetojë edhe aktakuza. 50.000 faqe përmbajnë dokumentet e paraqitura deri tani për aktakuzën, për të cilën janë dëgjuar disa qindra dëshmitarë dhe mbledhur dhjetëra-mijëra prova.

Srebrenica
Srebrenica

 

Prokurorët kërkojnë të shmangin përshtypjen se po praktikojnë një lloj “drejtësie fitimtarësh”. Përfaqësuesi i prokurorisë, Alan Tieger, tregoi në detaje se si është kryer i ashtuquajturi “spastrim etnik”: në qytete dhe qyteza, ku përveç serbëve jetonin edhe myslimanë dhe kroatë, të gjithë qytetarët jo-serbë i futën në plevica, fabrika dhe ndërtesa publike bosh. Gratë u përdhunuan sistematikisht, burrat në shumë raste i vrarë menjëherë. Me fjalë drastike Tieger përshkroi kushtet në kampet e Omarska, Keraterm dhe Trnopolje afër qytetit të Prijedorit: “Në Omarska gratë i detyruan të pastronin gjakun e të burgosurve të vrarë gjatë ditës dhe pastaj i përdhunuan gjatë natës. Të burgosurit jetonin vazhdimisht me frikën për vdekjen e tyre.” Kështu p.sh. në një rast u vranë njëkohësisht 180 prej tyre.

Asnjë shenjë pendimi

Serbien Karadzic vor UN-Tribunal Drei Gesichter von Karadzic

Megjithë peshën e rëndë të akuzave, që rastet e përshkruara në Prijedor u përsëritën dhe në shumë vende të tjera, apo për masakrën e Srebrenicës, ku ushtarët dhe policët serbë të Bosnjës vranë rreth 8000 myslimanë, gjë që konsiderohet si një ndër krimet më të mëdha pas atyre të nazistëve gjatë Luftës II Botërore, Radovan Karaxhiçi nuk tregon asnjë shenjë prekjeje apo pendese. Ai thotë se “i akuzuar është populli serb”. Që në dokumentet e CIA-s të vitit 1995 Radovan Karaxhiçi përshkruhet si një person, që “si shumica e serbëve është i prekur prej mitit të viktimës të popullit serb.” Dhe tani 25 vjet më vonë ai duket se po e vërteton në Hagë këtë përcaktim.

Akuza ndaj Karaxhiçit u ngrit në vitin 1996, por ai u arrestua në vitin 2008, sepse mjeku psikiatër qëndronte i fshehur duke u prezantuar si guru me emrin Dr. Dragan David Dabic. Vendimi i gjykatës pritet në vitin 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button