Mustafa nuk e sqaron prapë nëse do të ketë rritje pagash
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se rritja ekonomike, në vitin që po hyjmë, do të jetë 4% apo edhe më e madhe.
Në prezantimin e tij për planifikimin buxhetor, tha se sektori privat është normale të pret që Qeveria të krijojë ambient të favorshëm për biznes, dhe premtoi që do të punojnë në këtë drejtim.
Mustafa tha se presin që 8.6% të rriten investimet nga jashtë, dhe se do të rriten eksportet edhe më shumë.
Kryeministri i ri i vendit tha se konsumi do të ketë rritje prej 4%, ndërsa konsumi privat edhe më shumë. Sa i përket inflacionit, Mustafa tha se nuk ka mundësi të kontrollit të çmimeve për shkak se Kosova nuk ka valutë të sajën.
Në tre vitet në vijim, Mustafa beson se inflacioni do të sillet rreth 1%. Kur foli për remitencat, tha se presin që do të jenë stabile.
1.5 miliard planifikon ti ketë të hyrat në vitin 2015, e tha se nuk do të rriten tatimet, por do luftohet ekonomia joformale dhe përmes fushave të tjera.
Mustafa foli edhe për rritjen e pagave, tha se këtë vit është përfshirë, ndërsa për vitet e tjera tha se do shqyrtohet mirë paraprakisht.
Kurse Ministri i Financave Avdullah Hoti ka folur në detaje për buxhetin e vitit 2015. Ai tha se nuk kanë pasur kohë për të ndërhyrë në buxhet. Sipas tij, edhe vazhdimësia e projekteve kapitale nuk u ka mundësuar që të ndërhyjnë në buxhet.
Hoti tha se me këtë buxhet do të mundësohen që të bëhen bazat strukturore e ekonomisë me gjithë kufizimet buxhetore. “Rritja e pagave dhe të tjera mund të bëhet vetëm duke pasur rritje ekonomike. “Rrethanat ekonomike dhe fiskale na detyrojnë që të kemi ekuilibër mesë shpenzimeve kapitale dhe të hyrave”, theksoi Hoti duke treguar se shpenëzimet kapitale do të jenë 471 milionë euro.
Ministri i Financave tha se eksportet do të rritet për 7 për ndërsa importet me 5 për qind. Po ashtu sipas tij do të ketë edhe rritje çmimesh. Te hyrat nga Dogana do të rriten me 3 për qind, po ashtu edhe të hyrat nga komunat.
Ndërkaq, Safete Hadergjonaj nga PDK-ja, ka thënë se kanë shqyrtuar buxhetin dhe kanë ardhur në përfundim se në buxhet i është kushtuar qëndrueshmërisë fiskale. Ajo tha se do të përkrahin në parim projekt buxhetin e vitit 2015, pasi që janë bërë planifikime të mira. Hadergjonaj tha se në buxhet është rritur shuma e mjeteve për bujqësi e shëndetësi ku do të mundësohet edhe aplikimi i sigurimeve shëndetësore.
Nga LDK-ja ka folur Naser Osmani, i cili tha se projekt buxheti parasheh rritje ekonomike rreth 4.1 për qind që pritet të mbështet nga rritja e konsumit dhe rritja e dërgesave nga diaspora. Ai tha se do të ketë lehtësira për sektorin privat, që do të ndikojë edhe në rritjen e investimeve të këtij sektori për 20 për qind.
Besnik Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky dokument është përgatitur me nguti dhe pa seriozitet. Sipas tij, Qeveria e ka marrë me lehtësi buxhetin sikurse ai të ishte shumëfishë më i madh. “Parashikimet sa i përket rritjes së ekonomisë për vitin 2015 janë thellësisht të pabazuara”, theksoi Bislimi.
Ai tha se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk e përkrah ketë buxhet.
Donikaj Kadaj – Bujupi nga Grupi Parlamentar i AAK-së tha se projektbuxheti i ri ka ardhur pa një raport paraprak se si janë shpenzuar parat gjatë dy viteve të kaluar. Ajo ka theksuar se Qeveria nuk ka paraparë luftimin e evazionit fiskle dhe rritje të të hyrave.
Kadaj – Bujup ka thënë se me ketë projektbuxhet nuk do të ketë ndryshim por do të ketë vetëm prapa kthim.
Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës sipas saj, nuk do ta përkrahin projektbuxhetin.
Kurse Jakup Krasniqi nga NISMA ka thënë se miratimi i buxhetit me nguti, ka bërë që të mos shfrytëzohet mirë paraja publike. “Buxheti i 2015 është orientuar në mbulimin e shpenzimeve të domosdoshme dhe të luksit për institucionet dhe agjencionet shtetërore”, theksoi Krasniqi.
Orientimi i këtij buxheti nuk premton që të përkrah zhvillimin ekonomik. Ai ka thënë se në bujqësi janë ndarë vetëm 3 për qind e buxhetit e që sipas Krasniqit do të duhej të ishte në masën e 5 për qind të buxhetit të përgjithshëm.