🌤️
Tiranë 29°C · Kryesisht kthjellët 25 May 2026
S&P 500 7,473 ▲0.37%
DOW 50,580 ▲0.58%
NASDAQ 26,344 ▲0.19%
NAFTA 96.60 ▲0%
ARI 4,523 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055
₿ CRYPTO
BTC $77,451 ▲ +0.18% ETH $2,116 ▼ -0.42% XRP $1.3597 ▼ -0.48% SOL $86.0200 ▼ -0.73%
S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 96.60 ▲0 % ARI 4,523 ▲0 % S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 96.60 ▲0 % ARI 4,523 ▲0 %
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055
25 May 2026
Breaking
Opinion

Naim–Shqipëria: emri që u bë ndërgjegje

Sot 180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit

Nga LUAN RAMA

Që prej kur e kam dëgjuar për herë të parë këngën “Bilbili i vendeve të mia”, kënduar me atë drithërimë thuajse rituale prej grupit polifonik të Pilurit, kam mbetur gjatë tek një varg që duket sikur i shpëton vetë logjikës së zakonshme të ligjërimit poetik: “More Naim Shqipëria”.

Nuk është vetëm një apostrofim emocional.
Nuk është as vetëm një metaforë identitare.
Brenda atij formulimi ka diçka më të thellë: një zhvendosje ontologjike të vetë emrit të Naim Frashërit nga biografia në metafizikë, nga historia në vetëdije, nga njeriu në simbol.
Sa më shumë e mendon këtë varg, aq më tepër bindesh se Lefter Çipa nuk ka shkruar një poezi për Naimin; ai ka shqiptuar intuitivisht një të vërtetë themelore të kulturës shqiptare: Naim Frashëri nuk është vetëm poeti ynë kombëtar, por një nga mënyrat më të larta përmes të cilave shqiptarët kanë arritur të mendojnë dhe të shqiptojnë vetveten.
Në historinë e qytetërimeve ka shkrimtarë që pasqyrojnë shpirtin e një kombi dhe të tjerë që e formësojnë atë shpirt.
Naim Frashëri është prej këtyre të dytëve.
Shqipëria, para se të bëhej realitet politik, ekzistonte tek ai si realitet poetik; ndërsa shqiptarët, përpara se të formësoheshin si komb, ekzistonin si ndjeshmëri dhe si ide në gjuhën e tij.
Në këtë kuptim, gjuha e Naimit nuk është vetëm mjet shprehjeje, por strukturë formuese e vetëdijes.
Ashtu si Dante Alighieri nuk është vetëm poet i gjuhës italiane, por themelues i një universi simbolik ku një qytetërim mendon veten përmes përjetësisë; dhe ashtu si Gëte nuk është thjesht autor kombëtar, por emri ku një kulturë arrin vetëreflektimin e saj më të lartë, po kështu, Naim Frashëri nuk është më thjesht një autor brenda një tradite letrare, por nyje e krijimit të vetëdijes kulturore shqiptare.
Edhe kur nuk shkruan drejtpërdrejt për Shqipërinë, ajo mbetet aty si horizont i padukshëm i mendimit; edhe kur nuk shkruan në shqip, ajo mbetet si ritëm i brendshëm i gjuhës; edhe kur nuk shkruan letërsi në kuptimin e ngushtë, ajo mbetet si gravitet shpirtëror që organizon çdo fjalë.
Emri i Naimit nuk funksionon si shenjë identifikuese individuale, por si formë e kujtesës kolektive. Emri i tij nuk na jep vetëm një autor; ai aktivizon një univers të tërë simbolik: gjuhën, mallin, etosin moral, natyrën dhe përfytyrimin e atdheut.
Madje mund të thuhet se ai përfaqëson rastin më të qartë në kulturën shqiptare ku legjitimiteti simbolik nuk buron nga institucioni, por nga vetëdija kolektive.
Asnjë dekret shtetëror nuk e shpalli Naim Frashërin poet kombëtar; asnjë akt formal a vendim qeverie nuk ia dha këtë status.
Ai u bë natyrshëm POETI KOMBËTAR i shqiptarëve, sepse vetëdija shqiptare gjeti tek ai formën e saj më të lartë shpirtërore.
Në këtë qasje qëndron edhe domethënia e tij moderne: një kulturë i vendos hierarkitë e veta simbolike nga brenda dhe jo me vendime apo dekrete, e as me fushata politike.
Ky proces është i rrallë në historinë e kombeve dhe lidhet me atë që mund të quhet “konsensus estetik i pavetëdijshëm” i një shoqërie: një moment kur një figurë nuk imponohet si autoritet, por pranohet si nevojë shpirtërore.
Naim Frashëri nuk u vendos mbi kulturën shqiptare; ai u përthith prej saj si formë e vetëidentifikimit.
Por madhështia e tij nuk kufizohet vetëm në dimensionin kombëtar.
Ajo që e bën të pakrahasueshëm është se ai artikulon një model shqiptar të universalitetit.
Humanizmi i tij nuk ndërtohet mbi konfliktin, por mbi harmoninë; patriotizmi i tij nuk buron nga mohimi i tjetrit, por nga fisnikëria e vetëdijes; religjioziteti i tij nuk është dogmatik, por kozmik në përfytyrim.
Tek ai, Shqipëria nuk shfaqet si ide e mbyllur historike, por si formë estetike e së mirës.
Në këtë horizont, vepra e tij tejkalon funksionin e letërsisë dhe hyn në sferën e formave themeluese të imagjinatës kolektive.
Ai nuk i këndon thjesht Shqipërisë; ai ndërton mënyrën se si Shqipëria mund të përjetohet.
Çdo kulturë ka figurat e saj mitike moderne, ato që e kthejnë historinë në përjetim simbolik. Në kulturën shqiptare, Naim Frashëri zë pikërisht këtë vend.
Ai është njëkohësisht poet, mendimtar, ndërtues i gjuhës dhe arkitekt i ndjeshmërisë kombëtare. Por, mbi të gjitha, ai është një formë e organizimit të vetëdijes historike shqiptare.
Në planin estetik, ai mbetet po ashtu themelues.
Gjuha e tij poetike krijon një tonalitet të ri të shqipes së shkruar, ku thjeshtësia nuk bie ndesh me sublimen, por e përmban atë. Teksti naimian nuk funksionon si ndërtim retorik, por si rrjedhë e brendshme e mendimit.
Në këtë sens, ai nuk e përdor gjuhën si mjet shprehjeje, por e transformon atë në formë ndjeshmërie kolektive.
Në këtë kontekst duhet parë edhe struktura e vargut të tij, përfshirë 16-rrokëshin naimian.
Ky ritëm nuk është thjesht teknikë metrike, por mënyrë e organizimit të mendimit poetik në një rrjedhë të qëndrueshme, ku ideja dhe muzikaliteti nuk ndahen. 16-rrokëshi krijon një hapësirë të zgjeruar ritmike ku mendimi fiton qetësi, ndërsa ndjesia fiton thellësi. Është një formë ku shqipja fillon të mendojë në mënyrë më të plotë, më të balancuar, më meditative.
Naim Frashëri nuk është vetëm figurë e një periudhe historike.
Ai është një strukturë e vazhdueshme e mendimit kulturor shqiptar. Çdo epokë që rikthehet tek ai nuk e lexon vetëm si autor, por si pyetje të hapur mbi vetveten: çfarë është Shqipëria si ndjesi, si gjuhë, si kujtesë?
Prandaj, ndikimi i tij nuk është i mbyllur në të shkuarën. Ai është një prani që vazhdon të prodhojë kuptime të reja.
Naim Frashëri nuk është vetëm poeti që i këndoi Shqipërisë. Ai është mënyra se si shqiptarët mësuan të shqiptojnë vetveten.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.