Gjuha e urrejtjes të ngarkon psikologjikisht dhe të çon drejt krimit
Nga Ilir Demalia
Vrasja e 20-vjeçarit portugez Miguel Mendes nuk mund të shihet vetëm si një ngjarje e izoluar kriminale, por si një rast që na detyron të reflektojmë mbi klimën shoqërore ku dhuna, harbutëria dhe gjuha e urrejtjes janë bërë pjesë e komunikimit të përditshëm.
Sot, në rrugë, media dhe sidomos në rrjetet sociale, shpesh nuk diskutohet më, por shfryhet. Nuk argumentohet, por mallkohet. Nuk kundërshtohet ideja, por poshtërohet njeriu. Kjo e zhvendos komunikimin nga debati në agresion dhe krijon një terren të rrezikshëm shoqëror.
Gjuha nuk është vetëm mjet shprehjeje, por mënyrë e ndërtimit të marrëdhënies me tjetrin. Kur përditë përdoren etiketime fyese dhe dehumanizuese, gradualisht humbet kufiri themelor: tjetrin nuk e sheh më si njeri, por si armik. Kjo është pika ku gjuha e urrejtjes fillon të bëhet problem psikologjik dhe shoqëror.
Njeriu që ekspozohet vazhdimisht ndaj kësaj gjuhe krijon tolerancë ndaj dhunës verbale dhe emocionale. Ajo që dje dukej e papranueshme, sot normalizohet; ajo që sot është sharje, nesër bëhet kërcënim. Kështu, dhuna fizike nuk duket më e largët, por e mundshme.
Nuk do të thotë se çdo individ që përdor gjuhë të ashpër bëhet kriminel, por shoqëria që e normalizon këtë gjuhë krijon kushte ku dhuna bëhet më e pranueshme dhe më e justifikueshme. Fjala shpesh është paraprijëse e veprimit, sepse kur kundërshtari përshkruhet vazhdimisht si “armik” që duhet “zhdukur” apo “ndëshkuar”, ai humbet statusin e qytetarit dhe kthehet në objekt urrejtjeje.
Për këtë arsye, gjuha e urrejtjes nuk mund të trajtohet si fenomen i parëndësishëm i rrjeteve sociale. Ajo është problem shoqëror dhe kulturor, dhe në raste të caktuara mund të kthehet edhe në rrezik për sigurinë publike.
Njeriu nuk mund të konsumojë çdo ditë zemërim pa pasoja psikologjike. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj skandaleve, sharjeve dhe konflikteve krijon një gjendje të përhershme alarmi, ku çdo mendim ndryshe perceptohet si kërcënim dhe çdo sukses i tjetrit si provokim.
Kjo prodhon një shoqëri të polarizuar, ku njerëzit nuk e shohin më njëri-tjetrin me respekt, por me mllef. Në këtë klimë, biznesmeni, gazetari, politikani etiketohen lehtësisht si “hajdut”, “i shitur” apo “armik”, duke zëvendësuar analizën me stigmatizim.
Kjo nuk është më kritikë, por deformim i komunikimit shoqëror. Kur humbet dallimi mes kritikës dhe urrejtjes, humbet edhe një pjesë e rëndësishme e kulturës demokratike.
Shqipëria nuk është as ferri, as parajsa. Ajo ka probleme serioze si korrupsioni, krimi dhe dobësia institucionale, por ka edhe njerëz që punojnë, profesionistë, biznesmenë të ndershëm dhe qytetarë që kontribuojnë çdo ditë.
Problemi lind kur realiteti reduktohet vetëm në urrejtje ose idealizim. Një shoqëri në proces nuk ndërtohet duke e kthyer tjetrin në armik, por duke pranuar kompleksitetin e saj.
Edhe diaspora nuk është e imunizuar nga kjo gjuhë. Shpesh, në komunikimin për Shqipërinë, një pjesë e saj riprodhon të njëjtin model konfliktual, pavarësisht se në vendet ku jeton respekton rregullat e sjelljes publike. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm institucional, por edhe kulturor. Gjuha e urrejtjes nuk është thjesht çështje etike, por mekanizëm që ndikon në sjelljen kolektive. Ajo ndërton psikologji përjashtuese, ku kundërshtari nuk meriton dialog, por ndëshkim.
Prandaj, përveç forcimit të ligjit dhe institucioneve, është e domosdoshme edhe një ndryshim kulturor: të mësojmë të kundërshtojmë pa urryer, të kritikojmë pa poshtëruar dhe të pranojmë mendimin ndryshe pa e kthyer në armik. Sepse një shoqëri nuk bëhet më e qytetëruar kur të gjithë mendojnë njësoj, por kur mëson të jetojë me dallimet pa i kthyer ato në urrejtje.
Dhe ne shqiptarët e kemi provuar më shumë më gjatë dhe më brutalisht se të gjitha vëndet komuniste të mendojmë njësoj. Pasojat e të cilës po i paguajmë dhe sot
Gjuha përgatit psikikën. Dhe kur ajo mbushet me urrejtje, krijon terrenin ku dhuna bëhet gjithnjë e më e mundshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.