Dearborn nuk ishte rastësi, beteja e nëntorit po hyn në territorin e fesë
Ajo që ndodhi të martën në Dearborn nuk duhet parë vetëm si një përplasje mes një grupi provokatorësh anti-islamikë dhe një komuniteti që doli për t’iu kundërvënë atyre. Ishte edhe një paralajmërim për atë që mund të shohim në Michigan deri në zgjedhjet e nëntorit.
Jake Lang dhe mbështetësit e tij e quajtën aktivitetin “Christian Crusader March”. Në qytetin me një nga komunitetet myslimane më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, ata erdhën me retorikë kundër Islamit, ndërsa qindra njerëz u mblodhën rreth Henry Ford Centennial Library, ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak. Policia bëri dhjetëra arrestime. Brenda sallës u fol për “ligjin e Sheriatit”, për “islamizimin” e Amerikës dhe për një rrezik që, sipas organizatorëve të marshimit, vinte nga vetë prania e një komuniteti mysliman në qytet.
Do të ishte gabim, megjithatë, ta paraqisnim këtë si një konflikt mes të krishterëve dhe myslimanëve. Drejtues të krishterë të zonës dolën publikisht kundër marshimit dhe kundër përdorimit të fesë së krishterë si justifikim për urrejtjen ndaj myslimanëve. Prandaj problemi nuk është feja. Problemi është përdorimi politik i fesë.
Vetëm pak javë më parë, demokratët e Michiganit zgjodhën Abdul El-Sayed si kandidatin e tyre për Senatin e Shteteve të Bashkuara. Në nëntor ai do të përballet me republikanin Mike Rogers, në një garë që ka rëndësi jo vetëm për Michiganin, por edhe për balancën politike në Senatin amerikan.
El-Sayed është progresist, mysliman, me origjinë arabe dhe politikisht shumë larg së djathtës trumpiste. Kjo e bën atë një kundërshtar ideal për një lloj fushate që përpiqet ta zhvendosë debatin nga ekonomia, shëndetësia, taksat, industria automobilistike dhe vendet e punës te identiteti, feja dhe frika.
Në këtë kuptim, ajo që pamë në Dearborn mund të jetë një provë e hershme e atmosferës politike që do të krijohet rreth garës El-Sayed–Rogers.
Nuk është e nevojshme të ekzistojë ndonjë marrëveshje mes organizatorëve të marshimit dhe ndonjë shtabi elektoral për ta kuptuar këtë. Politika moderne funksionon edhe përmes krijimit të klimës. Dikush hedh idenë se Dearborni është “nën Sheriat”. Dikush tjetër flet për “islamizimin e Amerikës”. Pamjet shpërndahen në rrjetet sociale. Pastaj kandidati mysliman për Senatin nuk paraqitet më si një politikan me program, me qëndrime dhe me përgjegjësi publike. Ai fillon të paraqitet për një pjesë të elektoratit si simbol i një kërcënimi kulturor.
El-Sayed duhet të pyetet për Medicare for All, për kostot e jetesës, për taksat, industrinë automobilistike, sindikatat, biznesin e vogël, emigracionin, Izraelin dhe Gazën, Ukrainën, sigurinë kombëtare dhe çdo çështje tjetër mbi të cilën kërkon votën e qytetarëve. Ai duhet të përballet edhe me kritikat ndaj pozicioneve të tij progresiste. Fitorja në një primary demokrat nuk do të thotë automatikisht se ato pozicione do të bindin shumicën e votuesve të një shteti të ndarë politikisht si Michigan.
Por emri i tij, prejardhja e tij dhe mënyra se si lutet nuk janë program politik.
Republikanët kanë çdo të drejtë të thonë se El-Sayed është tepër majtas për Michiganin. Mund ta sulmojnë për Medicare for All, për politikat e tij ekonomike, për qëndrimet ndaj Izraelit, emigracionit apo shpenzimeve federale. Kjo është politikë dhe për këtë bëhen zgjedhjet.
Kjo është një pikë ku edhe komuniteti shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm.
Në rrjetet sociale shihen edhe shqiptarë që bien lehtë në kurthin e kësaj propagande: ligji i Sheriatit, mjekrat, emri Abdul, myslimanët që po “marrin” Dearbornin. Disa duket sikur, për të treguar se sa mirë janë integruar në Amerikë, duhet të bëhen më amerikanë se amerikanët dhe, siç thotë shprehja, më katolikë se Papa.
Ironia është se Abdul El-Sayed ka lindur në Michigan dhe është rritur në Amerikë. Shumica e shqiptarëve të Michiganit kanë ardhur këtu si emigrantë, shumë prej tyre nga familje me traditë myslimane. Kjo nuk do të thotë aspak se një shqiptar duhet të votojë El-Sayed për shkak të fesë së tij. Përkundrazi, do të ishte po aq e gabuar.
Nëse një shqiptar nuk e voton El-Sayed sepse kundërshton politikat e tij ekonomike, Medicare for All, qëndrimet e tij për Lindjen e Mesme, taksat apo rolin e qeverisë, kjo është plotësisht e drejta e tij. Për këtë ekzistojnë zgjedhjet.
Por nëse nuk e voton sepse quhet Abdul, sepse është mysliman apo sepse dikush i ka mbushur mendjen se pas zgjedhjes së tij Michiganit do t’i imponohet Sheriati, atëherë nuk është më duke bërë një zgjedhje politike. Është duke reaguar ndaj një frike të prodhuar për qëllime politike.
Ne shqiptarët duhet ta kuptojmë këtë më mirë se shumë të tjerë. Edhe ne kemi ardhur në këtë vend me emra që tingëllonin të huaj, me theks, me zakone të tjera dhe me prejardhje që amerikanët shpesh nuk e njihnin. Kemi kërkuar që të mos na gjykojnë nga emri, feja apo vendi nga vijmë, por nga ajo që bëjmë. Nuk mund të kërkojmë këtë standard për veten dhe pastaj t’ia mohojmë një tjetri.
Ka edhe një paradoks tjetër në atë që ndodhi në Dearborn. Organizatorët e marshimit shkuan atje për të dëshmuar, sipas tyre, se Amerika po humbet identitetin e saj. Por fakti që ata mund të hynin në një mbledhje publike të Këshillit Bashkiak, të merrnin mikrofonin dhe të thoshin edhe gjërat më fyese për njerëzit që jetojnë në atë qytet është pikërisht prova se institucionet amerikane vazhdojnë të funksionojnë.
Mbledhja vazhdoi. Kundërshtarët e tyre folën. Kryebashkiaku foli. Policia ndërhyri kur situata kaloi në shkelje të rendit dhe jo thjesht sepse dikush kishte një mendim të papëlqyeshëm. Kjo eshte Amerika qe njohim. Dheq e duhet te mbetet e tille.
Por duket se nëntori në Michigan do të jetë shumë më tepër se një garë mes një demokrati dhe një republikani.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.