🌤️
Tiranë 36°C · Kryesisht kthjellët 20 August 2026
S&P 500 7,708 ▲0.21%
DOW 53,463 ▲0.22%
NASDAQ 26,331 ▲0.16%
NAFTA 86.56 ▲2.57%
ARI 4,543 ▼0.05%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8574 EUR/CHF 0.9345 EUR/ALL 92.6575 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3709 EUR/TRY 55.9524 EUR/JPY 184.74 EUR/CAD 1.6113 EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8574 EUR/CHF 0.9345 EUR/ALL 92.6575 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3709 EUR/TRY 55.9524 EUR/JPY 184.74 EUR/CAD 1.6113
₿ CRYPTO
BTC $72,331 ▲ +12.33% ETH $2,290 ▲ +19.32% XRP $1.1623 ▲ +15.8% SOL $87.7100 ▲ +13.45%
S&P 500 7,708 ▲0.21 % DOW 53,463 ▲0.22 % NASDAQ 26,331 ▲0.16 % NAFTA 86.56 ▲2.57 % ARI 4,543 ▼0.05 % S&P 500 7,708 ▲0.21 % DOW 53,463 ▲0.22 % NASDAQ 26,331 ▲0.16 % NAFTA 86.56 ▲2.57 % ARI 4,543 ▼0.05 %
EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8574 EUR/CHF 0.9345 EUR/ALL 92.6575 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3709 EUR/TRY 55.9524 EUR/JPY 184.74 EUR/CAD 1.6113 EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8574 EUR/CHF 0.9345 EUR/ALL 92.6575 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3709 EUR/TRY 55.9524 EUR/JPY 184.74 EUR/CAD 1.6113
20 Aug 2026
Breaking
Opinion

A mund ta rilidhë një “Konfederatë e re Evropiane” Mbretërinë e Bashkuar me BE-në?

london tower
Foto ilustruese nga Pixabay.

Nga: Marika Djolai

Nick Boles, ish-deputeti konservator dhe ish-ministri britanik, shkaktoi mjaft bujë në vendin që ende po përpiqet të përshtatet me pasojat e Brexit, kur këtë muaj publikoi një ese që propozonte një marrëveshje të re për marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar me Evropën. Me Evropë, Boles nënkupton kryesisht Bashkimin Evropian dhe vendet e Eurozonës, Zvicrën, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Propozimi i tij shkaktoi reagime në mediat ndërkombëtare dhe nga disa komentatorë në Ballkanin Perëndimor, por gjeneroi gjithashtu pretendime të rreme se bëhej fjalë për një propozim të qeverisë së re britanike, të drejtuar nga kryeministri Andy Burnham.

Në qendër të propozimit të Boles është negocimi i një “Marrëveshjeje të Re” midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës, si dhe krijimi i një Konfederate të Re Evropiane, e cila do të zëvendësonte Komunitetin Politik Evropian, një forum ndërqeveritar me 47 anëtarë, i krijuar në vitin 2022 si përgjigje ndaj pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.

Diagnoza e situatës së vështirë me të cilën përballet aktualisht Mbretëria e Bashkuar është e saktë. Marrëdhënia e saj me Evropën pas Brexit mbetet e pazgjidhur, ndërsa dobësimi i lidhjeve transatlantike dhe zhvendosja graduale e fokusit strategjik të SHBA-ve larg Evropës krijojnë hapësirë më të madhe për kërcënimet nga Rusia dhe Kina.

Por pavarësisht se burojnë nga një qëllim i mirë, propozimet e Boles kanë mangësi serioze sa i përket institucioneve të BE-së, proceseve të zgjerimit dhe reformimit, si dhe marrëveshjeve ekzistuese të BE-së dhe NATO-s me Mbretërinë e Bashkuar dhe Ukrainën, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë.

Paradoksi i themelimit

Problemi i parë madhor me konfederatën e propozuar lidhet me themeluesit e saj të mundshëm. Boles dëshiron që presidentët e, siç i quan ai, “Këshillit dhe Komisionit të BE-së”, së bashku me qeveritë përkatëse jashtë BE-së, të jenë themelues të një Konfederate të Re Evropiane, e cila do të funksiononte në mënyrë të pavarur, por në partneritet të ngushtë me BE-në dhe NATO-n.

Sigurisht, nuk ekziston asnjë institucion i quajtur zyrtarisht si “Këshilli i BE”. Mesa duket, referenca është për Këshillin Evropian (që nuk duhet ngatërruar me Këshillin e Bashkimit Evropian), i cili aktualisht drejtohet nga Antonio Costa dhe përbëhet nga krerët e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së. Ai përfaqëson nivelin më të lartë të drejtimit politik brenda BE-së. Ideja që Këshilli do të merrte pjesë në krijimin e një organizate të veçantë, efektivisht rivale, e cila më pas do të krijonte një partneritet me BE-në, është të paktën e çuditshme.

Komisioni Evropian është organi kryesor ekzekutiv i BE-së. Edhe një herë, t’i kërkohet presidentes së tij, Ursula von der Leyen, të marrë pjesë në krijimin e një organizate paralele, të bazuar në traktat, e cila më pas do të krijonte një partneritet me BE-në, është politikisht e diskutueshme. Çfarë stimulimi do të kishte Komisioni për të marrë pjesë?

Shumë nga përfitimet që do t’u ofronte anëtarëve të saj Konfederata Evropiane janë marrëveshje që ata tashmë i kanë, të paktën në një masë të caktuar. Një prej tyre do të ishte “pjesëmarrja në tregun e vetëm evropian për mallrat” për vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Megjithatë, disa prej tyre tashmë marrin pjesë plotësisht në tregun e vetëm evropian, përfshirë Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë, ndërsa Zvicra ka akses të gjerë në treg përmes marrëveshjeve dypalëshe (si anëtare e EFTA-s).

Integrimi gradual i vendeve kandidate për anëtarësim në BE në tregun e vetëm të BE-së tashmë është në zhvillim të plotë. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar për një integrim më të ngushtë në tregun përmes Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit (MSA), Tregut të Përbashkët Rajonal, të nisur në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe, së fundmi, Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Edhe Ukraina është pjesërisht e integruar, ndërsa një dokument jozyrtar franko-gjerman i publikuar në fillim të këtij viti është përqendruar te “pjesëmarrja e plotë në Tregun Evropian, bazuar në një model të Zonës Ekonomike Evropiane+”.

Propozimi për Konfederatën bën një tjetër sugjerim në lidhje me “Gjykatën Evropiane të Drejtësisë”, duke e parë atë si një aktor madhor në rregullimin e tregut të përbashkët. Eseja duket se anashkalon faktin që juridiksioni i GJED-së buron nga traktatet e BE-së dhe se ajo është përgjegjëse për interpretimin e së drejtës së BE-së. Ky institucion, si gjykata më e lartë brenda Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, nuk mund të ngarkohej thjesht me rolin e rregullimit të marrëveshjeve të propozuara të tregut të Konfederatës, pa një kuadër të ri të konsiderueshëm ligjor dhe institucional.

Sugjerohet gjithashtu që Konfederata të krijojë “një hapësirë të re evropiane për teknologjinë dhe inovacionin”, ekuivalente me Institutin Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë. Por nuk jepet asnjë shpjegim se përse nevojitet një organizatë krejtësisht e re për teknologjinë dhe inovacionin, në vend që të zgjerohet bashkëpunimi ekzistues i Mbretërisë së Bashkuar përmes EIT Hub UK.

Së fundi, Boles propozon “një skemë të re evropiane për mundësitë e të rinjve”, e cila do t’u ofronte të rinjve nga shtetet e konfederatës mundësi për lëvizje për punë dhe studime. Por kjo ide bie ndesh me një pjesë tjetër të esesë, e cila premton të reduktojë migrimin nga lindja në perëndim brenda Evropës.

Ndoshta ai i referohet reduktimit të migrimit të parregullt përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor tashmë kanë mekanizma për menaxhimin e kufijve, shkëmbimin e informacionit, kthimet, bashkëpunimin me shërbimin evropian të kufijve Frontex dhe Task-Forcën e Përbashkët për Migracionin, të krijuar përmes Procesit të Berlinit.

Garancitë për sigurinë

Propozimi i Boles identifikon një problem real. Mjedisi i sigurisë në Evropë ka ndryshuar thellësisht vitet e fundit, ndërsa besueshmëria e arkitekturës euro-atlantike nuk mund të merret më thjesht si e mirëqenë.

Marrëveshja e tij e re parashikon riformatimin e NATO-s si një aleancë të udhëhequr nga Evropa, “në të cilën Mbretëria e Bashkuar dhe fuqitë evropiane marrin përsipër përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha për sigurimin e kapaciteteve kryesore të mbrojtjes”.

Kjo pasohet nga një ofertë për zgjerimin e garancisë bërthamore të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të angazhohej të investonte të paktën 3.5 për qind të PBB-së së saj në rinovimin e fuqisë së saj detare. Ndërkohë, Ukraina do të angazhohej të mbante një ushtri të madhe të përhershme dhe të bëhej mbrojtësja e kufirit lindor të Evropës, të gjitha këto në këmbim të pjesëmarrjes së plotë në tregun e përbashkët evropian të propozuar.

E gjithë kjo ngre pyetje për besueshmërinë, komandën dhe kontrollin, doktrinën bërthamore të NATO-s dhe, pikërisht për atë që Mbretëria e Bashkuar do t’u garantonte anëtarëve të konfederatës që nuk janë pjesë e NATO-s.

Sa i përket sigurisë, konfederata do të miratonte kopje të neneve 4 dhe 5 të NATO-s dhe do të bashkëpunonte më tej me NATO-n. Ajo gjithashtu do të merrte pjesë në skemën SAFE të BE-së për prokurimin e mbrojtjes, edhe pse Mbretëria e Bashkuar është tashmë e integruar përmes Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen BE-Mbretëri e Bashkuar, të rënë dakord në maj 2025.

Në vend që të zgjidhte një problem sigurie në rritje, konfederata do të shtonte një tjetër shtresë në një sistem tashmë të dendur institucional të anëtarësimit në NATO, partneriteteve të NATO-s, bashkëpunimit BE-NATO, instrumenteve të sigurisë së BE-së dhe marrëveshjeve dypalëshe të mbrojtjes. Në thelb, ajo do të ishte një version paralel i disa prej garancive të sigurisë dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që tashmë ofrohen përmes NATO-s dhe BE-së.

Për më tepër, vlen të kujtohet se në rastin e Ukrainës, angazhimi me NATO-n mbetet një çështje tejet e diskutueshme dhe diplomatikisht e ndjeshme, e lidhur ngushtë me negociatat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër këtij vendi.

Marrëdhënia e Mbretërisë së Bashkuar me Evropën

Të marra së bashku, propozimet duket se riprodhojnë disa nga funksionet më të suksesshme të Bashkimit Evropian: integrimin e tregut, lëvizjen e lirë, inovacionin dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Konfederata Evropiane fillon të duket më pak si një mekanizëm për rilidhjen e Mbretërisë së Bashkuar me Evropën dhe më shumë si një përpjekje për të riorganizuar bashkëpunimin evropian rreth Mbretërisë së Bashkuar, pa qenë nevoja që kjo e fundit të rikthehet në BE.

Boles nuk arrin të demonstrojë bindshëm se përse krijimi i një organizate paralele, të bazuar në traktat, dhe i marrëveshjeve të reja të sigurisë do të ishte institucionalisht më i thjeshtë ose më efektiv sesa zhvillimi i mekanizmave që tashmë ekzistojnë, në rendin global në ndryshim.

Gjithashtu, nuk ka asnjë shpjegim se si do të financohej konfederata e re dhe programet e saj, si do të shpërndaheshin kostot mes anëtarëve, apo si do të mund të ishte e qëndrueshme kjo nismë në planin afatgjatë, veçanërisht duke pasur parasysh se Mbretëria e Bashkuar është tashmë nën presion për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa përballet me kufizime të konsiderueshme fiskale në planin e brendshëm.

Megjithatë, brenda esesë fshihet një propozim më i dobishëm. Mbretëria e Bashkuar duhet të mendojë seriozisht se si duhet të duket marrëdhënia e saj afatgjatë me arkitekturën ekonomike dhe atë të sigurisë së Evropës.

Por në vend të një raundi tjetër të politikës së improvizimit, qeveria e re e Andy Burnham mund të krijojë ekipe ekspertësh me njohuri të thella mbi BE-në për të hartuar një plan të besueshëm. Koha mund të jetë vërtet e përshtatshme. Vetë BE-ja po debaton për reformën institucionale, zgjerimin dhe mënyrën se si duhet të evoluojë tregu i saj i përbashkët, ndërsa vende të reja po i afrohen anëtarësimit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.