Në luftë humbasin të gjithë…edhe fitimtarët
Për sëmundjen e vjetër të mosbesimit brenda të së majtës është gjendur kështu, më së fundi ilaçi i duhur: martesa me të djathtën, pa gjykuar dhe pa llogaritur efektet e mundshme anësore që japin zakonisht ilaçet e forta.
Nga Lorenc Vangjeli
Ka pasur më shumë kuriozitet se interes për marrëveshjen e papritur mes Ramës dhe Bashës. Triumfi i formës mbi përmbajtjen është sport kombëtar në Tiranë, ndaj për shumëkënd, më e rëndësishme se thelbi i asaj që ndodhi, ishte të gjendej se kush fitoi mes të dyve, kush humbi nga ata të dy dhe në çfarë raporti janë me fitoren dhe humbjen gjithë të tjerët.
Në pamje të parë fitoi kryeministri. Me tre orë e kusur bisedime Rama mundi të çmontojë çadrën. Ta nxjerrë Bashën që andej si fitimtar, i bindur se do ta mundë në zgjedhje. Dikur atë vetë e kishin nxjerrë nga çadra duke i dhënë darkën franceze tek “Krokodili”, kurse ai i mbylli çadrën Bashës duke i dhënë vetëm një sanduiç për darkë. Pavarësisht se të nesërmen, i vuri në tryezë gjysmën e gjithë qeverisë.
Po në vështrim të parë fitoi edhe kryetari i opozitës. Doli triumfator nga çadra, çmontoi më shumë se gjysmën e qeverisë, morri disa nga drejtoritë më të rëndësishme të vendit dhe nuk lejoi që përballë tij të kishte një koalicion të gjerë, që do t’i siguronte një humbje të garantuar në zgjedhje.
Në të gjitha rrethanat Basha do të dilte nga çadra për të hyrë në zgjedhje. I duhej vetëm një motiv për t’ju shpjeguar të vetëve. I mjaftonte edhe nëndrejtori i Pyjores, nëndrejtori i zjarrfikëses ose nëndrejtori i stacionit meteorologjik, që do t’i parashikonte dimër në mes të qershorit, nëse nuk hynte në zgjedhje. Çfarë morri më shumë, i pati qarr, por do t’jua shohë qederrin kur ta konsiderojnë si bashkëqeverisës në këto kohë. Si fajtor për çdo ton drogë të kapur në Itali apo si një kujdestar tenderash kur të blejë energji për shkak të Fierzës së tharë.
Të gjitha partitë e tjera, duke nisur me LSI-në dhe PDIU-në që mendohej gjerësisht se do të ishin portreti i qeverisë së nesërme, u përjashtuan nga marrëveshja. Rama “pushoi” nga puna pa asnjë paralajmërim kryetarin e partisë që “e morri” në punë katër vjet më parë, Petrit Vasilin, kurse Shpëtim Idrizin që e kishte parë si shpëtim në situata delikate së paku në dy vjetët e fundit, bëri sikur nuk dinte se ekzistonte.
Realisht të humbura janë dhe dy partitë e reja të opozitës, Blushi dhe Bojaxhiu, që në mungesë të opozitës tradicionale, kishin shanse të shtuara të shndërroheshin në opozitën – jo të vetme – në vend. E po kështu, edhe partitë e tjera të vogla që kanë nevojë për çadrat e partive më të mëdha.
Duke pasur parasysh të gjithë këtë mozaik, lëvizja e kryeministrit, pikërisht në momentin kur mendoi se u gjend vetëm në mbrëmjen e 17 majit, ngjan si një lëvizje e improvizuar. Por ajo është shumë më shumë se kaq. Vasili dhe Idrizi, por dhe gjithë të tjerët insistonin në arritjen e një marrëveshjeje sipas kornizës McAllister duke e lënë kryeministrin në pozitën e njeriut të vetëm që e refuzonte marrëveshjen dhe njëkohësisht, edhe bashkëpronarin, me gjithë Bashën, të faturës së mundshme të çdo destabiliteti në vend. Duke qenë në këtë mënyrë të dy të humbur, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në qershor, Rama vendosi të luajë kartën tjetër: të bashkohet me Bashën për t’i bërë gjithë të tjerët humbës. Në një tentativë bis – hera e fundit ka qenë 2008-a me ndryshimet kushtetuese – që thotë se fitimtari i merr të gjitha. Ose me shpresën e rajëvizuar në shumë e shumë ditë ndërmjet 2014-ës deri në maj të 2017-ës, se bashkimi i ekstremeve, krijon si rregull më shumë siguri.
Kjo skicë e shpejtë e këtyre ditëve që kërkojnë të ndryshojnë Shqipërinë dhe që është e njohur për të gjithë publikun, e ka të pamundur të sqarojë qoftë pyetjen e parë kureshtare për emrin e fituesve dhe të humbësve, qoftë dhe të hamendësojë mbi thelbin, për motivet e vërteta të marrëveshjes Rama-Basha. Aq më tepër të projektojë të nesërmen e vendit mbas zgjedhjeve dhe ngjyrën e tij të qeverisjes.
Është jashtëzakonisht interesante të vihen re dy momente të së shkuarës për të parë çfarë mund të ngjasë në të ardhmen e afërt. Në vitin e largët 2009, kur LSI bëri marrëveshje me PD-në, pavarësisht motiveve që e shtynë në atë hap të detyruar, kritikët më të ashpër të saj vinin nga e majta.
Katër vjet më pas, në marrëveshjen paraelektorale me PS-në që rezultoi që të ishte e vetmja mënyrë për rikthimin e PS-së në pushtet, kritikët më të ashpër të saj vinin po nga e majta.
Edhe në katër vjetët që pasuan, të majtët në shumicë ishin kritikë të hapur apo të fshehur ndaj partisë së Ilir Metës. Sot, kur marrëveshja Rama-Basha është një realitet, kur qeverisja ka qoftë dhe formalisht tre bashkëkryetarë – Rama, Meta, Basha – një bashkëqeverisje PD – PS mbas zgjedhjeve nuk është më vetëm një hamëndësim dhe kritikët e kohezionit të së majtës, e kanë duartrokitur pothuaj unanimisht dhe pa asnjë hezitim.
Për sëmundjen e vjetër të mosbesimit brenda të së majtës është gjendur kështu, më së fundi ilaçi i duhur: martesa me të djathtën, pa gjykuar dhe pa llogaritur efektet e mundshme anësore që japin zakonisht ilaçet e forta. Por pikërisht këtu hesapet ngatërrohen. Të vërtetën ose më saktë akoma, projeksionin e saj pothuaj real e dinë fare pak vetë në Shqipëri. E di Rama, e di Meta, e di Basha. Natyrisht e di edhe doktor Berisha. Ato janë projeksionet e shifrave të nesërme. Tre kryetarët e partive kryesore e dinë pothuaj me saktësi peshën e tyre elektorale. Secila nga to, pavarësisht deklarimeve, është larg shifrës 71 që garanton qeverisjen e vendit. Nesër, jashtë çdo dyshimi, do të qeverisin sërish kombinimet e shifrave. Janë numrat që sot, dekurajojnë të gjithë ata që brohorasin për fitimtarë dhe bërtasin për të humbur. Është shmangur në minutë të fundit kaosi social që do të vinte herët a vonë pa praninë e opozitës në zgjedhje. Është shmangur destabiliteti i vendit që do të shihte si niste, por do të ishte shumë i vështirë të bitiste. Ngjarjet rrodhën drejt luftës normale politike për një vend ballkanik e inatçor si Shqipëria. Dhe në luftë normalisht humbasin të gjithë! Edhe vetë fitimtarët humbasin. Vetëm pendesa triumfon gjithmonë!