Kronika

“Në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina me statusin e mbrojtjes së përkohshme”

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se 351 shtetas nga Ukraina ndodhen në Shqipëri që pas nisjes së luftës, me statusin e mbrojtjes së përkohshme.

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, duke theksuar mbështetjen e Shqipërisë për shtetasit e Ukrainës që kanë ardhur në vend apo që mund të mbërrijnë në të ardhmen për shkak të luftës.

“Aktualisht në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina, të cilëve iu është dhënë mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin. Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’ju gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti”, ka theksuar ministri Çuçi, sipas një njoftimi nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë.

Gjatë takimit, Çuçi theksoi “edhe njëherë qasjen solidare të Shqipërisë për njerëzit që largohen nga vendi i tyre për shkak të konfliktit.”

“Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”, është shprehur ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Sipas njoftimit, shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button