Opinion

Ngërç i pakalueshëm në dialogun Serbi- Kosovë

Nga PETRO DHIMITRI

DIALOGUN-këtë formulë unike demokratike, ka vite që SHBA dhe BE ua kanë rekomanduar Serbisë dhe Kosovës. Jo vetëm kaq, po i kanë ”detyruar” të ulen prej vitesh në tryezat e dialogut. Pas aq dështimesh, vetëm në 18 mars 1923 në Ohër të Maqedonisë së Veriut u arrit një marrëveshje inkurajuese. Edhe pse Presidenti i Serbisë, zoti Vuçiç e pranoi dokumentin, ai refuzoi ta firmoste. Pavarësisht nga  firma e munguar , Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e konsideruan një dokument  zyrtar për t’u zbatuar nga të dyja palët. Në të vërtetë, si Serbia, po edhe Kosova deri tani nuk kanë treguar zell që të plotësojnë detyrimet që kanë ata për të zbatuar marrëveshjen shumë të rëndësishme të Ohrit të cilën vetë e miratuan.

Pse,pse, pse kaq shumë PSE?!
         E para dhe më e rëndësishmja është se Serbia dhe Vuçiçi vazhdojnë të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës. E quajnë shkelje të normave ndërkombëtare vendimin e SHBA-së për  bombardimet e NATOS kundër gjenocidit që pati ndërmarrë Milosheviçi ndaj popullit të Kosovës. Ishte një pastrim tipik etnik. Kemi një qëndrim këmbëngulës nga serbët  që nuk njohin pavarësinë  e palës në dialog. Në këto kushte jo normale nuk ka se si bisedimet të kenë rezultat. Kushti i parë për të arritur një marrëveshje është që të dy palët të njohin njëra tjetrën.
         E dyta që ka po aq rëndësi sa e para është se Kosova nuk mund të pranojë të trajtohet nga Beogradi si provincë e Serbisë, kur ka 16 vjet shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombtarisht nga SHBA , shumica e shteteve të Evropës si dhe nga Anglia. Si mund të përafrohen dhe dakordsohen mendimet e këtyre dy palëve që janë katërcipërisht të kundërta?!
         Megjithatë si SHBA dhe Bashkimi Evropian këmbëngulin që dialogu të vazhdojë edhe pse e dinë mirë që shkaktari kryesor i këtij ngërçi të pakalueshëm është Serbia. Shpresojnë se, që të vazhdojë rrugën për në BE, Serbia duhet pa tjetër të njohë pavarësinë e Kosovës. A mund të ketë gjasa që shpresa e tyre të bëhet realitet deri sa Vuçiçi një këmbë e ka të drejtuar nga Evropa, ndërsa tjetrën drejt Moskës së Putinit?! Sikundër Josif Broz Tito edhe Vuçiçi po  luan me dy porta. Dhe po luan mirë. Është i bindur për pozicionin kyç të Serbisë. Është i bindur se pas luftës në Ukrainë, SHBA ,Anglia dhe Evropa në asnjë mënyrë nuk duan ta penalizojnë deri në atë shkallë Serbinë, që ajo të hidhet në grupimin Rusi, Kinë, Iran…Do të thotë që pranë zemrës së Evropës të ketë një bazë të fuqishme ushtarake të Rusisë. Kjo është arsyeja që ata po tregohen shumë diplomatë me Vuçiçin, këtë president, ish ministër i Milosheviçit. Nuk duan t’i japin shkas që ai t’u kthejë kurrizin Perëndimit. Kur do të soset durimi i  SHBA-së , Anglisë dhe Evropës për lojën serbe me dy porta, kjo nuk dihet. Varet shumë nga ecuria e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
         Po Kosova, kryesisht kryeministri Albin Kurti, sa po i ndihmon çlirimtarët e tyre për dialogun aq të këmbëngulur? Nuk besoj që kosovarët dhe vetë zoti Kurti kanë harruar se, po të mos ishte ai bombardim historik i kohës së Presidentit Bill Klinton, liria në Kosovë nuk mund të zbriste vetëm nga forca e UÇK-së. Jo vetëm kaq, po shtetin foshnjë të porsalindur REPUBLIKA E KOSOVËS e morën dhe e kanë nën mbrojtje  forcat e KFOR-it dhe NATO. Serbia e ka të pamundur të prekë Kosovën, se do të fillonte një  luftë kundër NATO-s. Ajo, shumë shumë mund të organizojë inkursione të tipit të Banjskës. Nuk mund të fitojë asgjë, përveç forcimit të bindjes së SHBA-së ,Anglisë dhe BE-së që Serbia është agresore dhe ajo minon dialogun për normalizimin e dy vendeve që janë fqinje.
        Pavarësisht nga ky realitet, sa po i ndihmon Albin Kurti SHBA-në , Anglinë dhe BE-në që të mos krijojë me palën serbe tensione të kota në këtë zonë kaq delikate? Them pak. Nganjëherë dhe aspak.
        Si në Rambuje, në Bruksel në 2910 dhe 2913 u bisedua dhe u firmos marrëveshja që Kosova do të krijonte asociacionin e komunave Serbe në Mitrovicë. Edhe sot e kësaj dite ky lloj asociacioni  është mbështjellë si në mjegull. Gjetën shkakun që Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e pranonte atë firmosje. Arsyeja: prekej pavarësia e Kosovës?! Edhe kur nga BE u afrua një draft i mirëdetajuar sipas normave demokratike  të Perëndimit zoti Kurti nuk e pranoi. Kur Kryeministri Rama, për të ndihmuar vëllezërit kosovarë, me specialistë të huaj përgatiti një draft për asociacionin, jo vetëm u kalua në heshtje, po pati një si çudi pse ai u përpoq t’i ndihmonte pa biseduar me ta?!
        Nuk është vetëm asociacioni që ka dëshpëruar si amerikanët dhe evropianët. Janë dhe disa veprime për probleme të rëndësishme dhe delikate që Albin Kurti ka marrë vendime që kanë acaruar pa nevojë dialogun me Serbinë. E para ishte çështja e targave serbe të automjeteve të Mitrovicës. Është normale që Kosova si shtet duhet të ketë vetëm targat e Kosovës. Nuk i prishte fare punë qeverisë Kurti, po ta kishin biseduar këtë problem me përfaqësuesit e SHBA-së dhe Evropës, për të gjetur mënyrën më të përshtatëshme për ta zgjidhur atë kërkesë të drejtë. Kurti veproi pa pyetur njeri, duke i bërë karshillëk jo vetëm Serbisë, po dhe aleatëve Perëndimorë.
        Reagim ndërkombëtar shkaktoi vendimi i tij që i quajti të mirëqëna zgjedhjet në Mitrovicë ku votuan vetëm shqiptarët. Serbët i bojkotuan ato zgjedhje në shenjë proteste për mos ngritjen e asociacionit. Po ata janë 97 përqint e votuesve.   Pse votuan vetëm  shqiptarët që  janë  3 përqint Kurti ato zgjedhje i miratoi si të rregullta?! Jo vetëm kaq,  kryetarët shqiptarë të zgjedhur po nga shqiptarët i futi në zyrat e komunave serbe?! U krijua një pështjellim krejt i kotë, doemos nga mos konsultimi paraprak me aleatët që po ruajnë paprekshmërinë e kufijve të Kosovës. Përsëri aleatët perëndimorë u vunë në pozitë shumë të vështirë. Me që durimi ka një kufi, për veprimet e pastudjuara të qeverisë Kurti, Bashkimi Evropian mori sanksione ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë. Vuçiçi si  aktor me përvojë bëri të përvuajturin.
        Si për të mos mjaftuar telashet që Kosova u pati hapur aleatëve, u desh edhe një veprim tjetër i nxituar i qeverisë Kurti që shkaktoi indinjatë në Serbi dhe reagimin e ndërkombëtarëve. Kurti njoftoi vendimin e Bankës së Kosovës që nga X ditë do të përdorej vetëm monedha EURO. Bllokim i plotë i dinarit serb me të cilin veprojnë komunat e Mitrovicës.  Mendimi që shteti të ketë vetëm një monedhë, në rastin konkret vetëm EURO-n, është shumë i drejtë. Po ky ndërrim nuk mund të bëhej si me urdhrin e peshkut. Donte një kohë të mjaftueshme edhe si parapërgatitje. Edhe për këtë nxitim aleatët reaguan ashpër aq sa, me sa kam vënë re, përfaqësuesit e SHBA-së, Anglisë dhe BE-së, i kanë mënjanuar takimet me Kurtin. Kanë preferuar të bisedojnë me Presidenten, zonjën Vjollca Osmani si më e moderuar. Para dy javësh vetëm zoti Eskobar e takoi atë. Pas një bisede që zgjati dy orë ai , i zhgënjyer, deklaroi se nuk munda ta bind Albin Kurtin?  Çdo t’i  kushtojë qeverisë Kurti që, përpara se të njoftojë për vendime të rëndësishme që lidhen direkt me interesat e popullsisë serbe të Mitrovicës, të diskutojë me aleatët.?! Ata janë të gatshëm për të ndihmuar. Të mos harrojmë se Kosova është foshnja e tyre që ka nevojë për mbrojtje dhe ndihmë.
        Pse i bën kryeministri Albin Kurti këto manovra që janë në dëm të Kosovës dhe përkrahjes që SHBA, Anglia dhe BE i japin edhe për dialogun me Serbinë?
        Ai kujton se Kosova si shtet i pavarur ka të drejtë të veprojë si çdo vend normal. Nuk e kuptoj pse harron që në këtë botë vetëm SHBA dhe Kina, pjesërisht dhe Rusia janë krejt të pavarura. Shtetet e tjera qofshin edhe të mëdha si Gjermania, Franca, Spanja dhe sidomos mikro shtetet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut,etj., kanë një pavarësi relative. Nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me grupimin ku bëjnë pjesë. Përveç kësaj zoti Kurti harron që jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë njohur Kosovën. Ka edhe shumë shtete të tjera në botë që nuk e njohin. Kosova nuk është  anëtare e OKB-së. As ka nisur procesin për t’u asociuar në BE. Nuk është as kandidate apo anëtare e NATO-s. Në këto kushte vendimet e saj, sidomos ato që lidhen direkt me komunat serbe të Mitrovicës dhe  në përgjithësi me Serbinë, duhet t’i bisedojë shtruar me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, që janë shumë të interesuar  sa më shpejt të jetë e mundur, Kosova t’i afrohet BE-së. I bie që Kurti të bëhet mbështetës i aleatëve.  Jo t’u hapi probleme dhe t’u kundërvihet me kryeneçësi ose kokëfortësi. ATA QË TË DHURUAN LIRINË KURRË NUK TA DUAN TË KEQEN.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button