Nishani pritet nga Steinmeier: Gjermania kërkon të jetë partner tregtar e investues në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, u prit sot nga Presidenti Federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me të cilin pas një bisede të shkurtër kokë më kokë, bisedoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe çështjet e procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhduar dhe shumë domethënëse të Gjermanisë në vite, si dhe besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik do të vijojnë të forcohen e thellohen më tej. Presidenti Nishani e siguroi gjithashtu Presidentin Steinmeier se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës dhe partnerë të besueshëm të Gjermanisë. “Asistenca gjermane për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik të vendit, anëtarësimi në NATO dhe mbështetja e qenësishme në procesin e integrimit evropian, kanë krijuar një lidhje shumë të fortë mes të dy vendeve. Shqipëria sot nuk është thjesht konsumatore, por kontribuese aktive për sigurinë dhe paqen, si në nivel rajonal ashtu nivel botëror”, – u shpreh Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit, duke iu referuar procesit të integrimit evropian në përgjithësi, si dhe reformave të thella të ndërmarra brenda vendit, theksoi se procesi i integrimit evropian mbetet mekanizmi më i mirë nxitës për vendin dhe për shqiptarët ky është projekti më madhor, pas anëtarësimit në NATO. Presidenti Nishani e njohu homologun e tij gjerman mbi vëmendjen e veçantë që i kushtohet këtij procesi dhe kryerjes së reformave përkatëse, por edhe me sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe përgjegjësitë e klasës politike për ta bërë realitet këtë kërkesë mbarëpopullore.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani u ndal në reformën në drejtësi dhe fillimin e procesit të zbatimit të saj, duke vlerësuar dhe kontributin individual të Gjermanisë dhe ekspertëve të saj në hartimin e legjislacionit përkatës, konform standardeve më të mira gjermane e evropiane.
Presidenti gjerman Steinmeier nga ana e tij e përshëndeti marrëveshjen politike për reformën në drejtësi si dhe shprehu besimin se kjo reformë do të përmbushet me sukses dhe në kohën e duhur. “Është shumë e rëndësishme për investitorët gjermanë që të gjejnë një ambient të përshtatshëm investimesh, pasi përtej asistencës, Gjermania ka ambicien të jetë partner tregtar dhe investues në Shqipëri e vende të tjera të rajonit.” – u shpreh Presidenti gjerman.
Në mënyrë të veçantë të dy Presidentët u ndalën dhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kërcënimet nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, si dhe identifikimin e përfshirjes së influencave nga vende të treta në këtë rajon, me synim ndryshimin e agjendës evropiane e euroatlantike të vendeve të rajonit.
Presidenti Nishani theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi, duke zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, pa përjashtim. Gjithashtu, Presidenti Nishani theksoi se rajoni po kalon momente sfidash shumë të veçanta dhe vijimi i angazhimit dhe kontributit të Gjermanisë dhe partnerëve ndërkombëtarë është shumë i nevojshëm.
Presidenti Steinmeier e përgëzoi Presidentin Nishani për rolin dhe influencën pozitive të Shqipërisë në rajon, si dhe e siguroi se Gjermania është shumë e interesuar dhe po investon seriozisht për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të mbetet gjithmonë e angazhuar dhe kontribuese në këtë drejtim.
Të dy Presidentët priten të takohen sërish nesër, datë 3 qershor 2017, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që zhvillohet në Brdo të Sllovenisë dhe ku Presidenti Steinmeier është i ftuar i posaçëm i liderëve.