Libri

Një dorëshkrim për Shqipërinë në Vatikan

Në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit gjendet një dorëshkrim italisht (Barb.lat.5361) i Antonio Brunit nga Ulqini, me titull « Del Bellerbegato della Romania, d’Antonio Bruno da Dolcigno » (Mbi bejlerbejllëkun e Rumelisë, nga Antonio Bruno prej Ulqini) i shkruar andej nga gjysma e dytë e shek. XVI. Për fat të mirë – dhe të keq – ky dorëshkrim mjaft interesant për historinë e Shqipërisë është digjituar dhe hedhur në internet, në faqen elektronike të Bibliotekës Digjitale Vatikane: digi.vatlib.it/. Them të keq, sepse cilësia e skanimit është aq e dobët, sa transkriptimi i tij u bë një punë vërtet e bezdisur, një dhimbje e madhe koke. Dorëshkrimi duhet të jetë shkruar mbas vitit 1557, terminus ad quem i rivendosjes së patriarkatit të Pejës. Ky dorëshkrim nuk është shumë i gjatë, ka vetëm 16 faqe; por edhe kështu siç është jep një sërë informacionesh me vlerë, sidomos mbi trevat e banuara nga shqiptarët në këtë kohë, numrin e spahinjve që nxirrte çdo krahinë si dhe mbi marrëdhëniet ndërfetare e lëvizjet e popullsive brenda Perandorisë Osmane.

«Bejlerbejllëku i Rumelisë»
Po në Hungari gati është zhdukur [katolicizmi] nga herezitë moderne, si mes besëtytnive të grekëve [i.e. ortodoksëve, EP] nuk mungojnë mbetje të sakrilegjeve të lashta të arianëve, donatistëve dhe manikejve që quhen paulicianë, dhe nga këta ka disa fshatra në Bullgari, në Mysi, se ky komb zinte jo vetëm Mysinë e poshtme, por edhe një pjesë të mirë të Trakisë dhe Maqedonisë, të të cilave provinca emrat e lashtë janë zhdukur tërësisht. Arbërit banojnë në një pjesë të Epirit, në Dardani dhe Maqedoni, si dhe në një cep të Ilirikut; ata që janë nga ana e Dalmacisë ndjekin fenë katolike (alla latina), të tjerët nga Durrësi e poshtë të gjithë atë ortodokse (alla greca). Gjuha e këtyre njerëzve është shumë e ndryshme nga ajo sllave dhe greke, qoftë ajo alane ose gotike – e sjellë nga Alariku i cili në sulm e sipër të Perandorisë romake qëndroi për një kohë të gjatë në Epir si një vend i përshtatshëm prej nga mund të pushtonte Italinë dhe Greqinë – qoftë gjuha e lashtë e maqedonasve, diçka që ka më shumë të ngjarë, pasi nuk ka lidhje me sllavishten, e cila ndoshta ishte gjuha e gotëve. Dhe është kombi arbëror shumë herë më i madh se krahina e vet, duke nisur Arbëria nga perëndimi me Ulqini dhe nga liqeni i Shkodrës, mbaron në lindje në Bastía [i.e. Sajadha, EP] përballë Korfuzit. Por arbërit banojnë edhe më tej, në vende të ndryshme të Moresë dhe Greqisë, të strehuar atje për shkak të luftërave ose të shpënë nga perandorët e Kostandinopojës, të cilët kështu u gjetën ilaç kryengritjeve të këtyre njerëzve, për të cilët do të flitet edhe më tej (?), kur të rrëfehen cilësitë që kanë turqit. Vllehët, edhe ata ortodoksë, barinj më shumë se bujq, banojnë në shumë nga malet e Serbisë, dhe Bullgarisë, dhe gati të gjithë Pindin deri në Larisë, dhe sipas mendimit tim janë mbetje të atyre që u dëbuan nga perandori Aurelian nga kolonitë e Dakisë, dhe u ngulën në kët’ anë të Danubit, mes Mysisë, Maqedonisë dhe Dardanisë, dhe jo tërësisht të shfarosur nga grekët. Tani këta flasin të njëjtën gjuhë si moldavët dhe vllehët – meqenëse merren me grigjat e bagëtive – janë shpërndarë në Kroaci dhe Istria; grekët janë më të rehatuarit nga të krishterët e tjerë, pasi pjesa më e madhe e tyre banon nëpër qytete dhe merret me tregti; por për shkak të zullumeve të turqve janë të detyruar të braktisin tokat, sesa t’i shesin. Fshatarëve nuk u ka mbetur veç të punojnë tokën, ose për nevojë të tyren, ose prej dhunës së padronëve dhe kështu janë zgërlaqur, të pasurit me fitimet e fëlliqura dhe të padëshiruara (mecanico, diçka që bëhet pa dëshirë, pa vullnet) dhe vulgu pasi nuk ngopet kurrë, nuk pushon kurrë. Ruajnë grekët mendjemadhësinë e të parëve, dhe urrejtjen ndaj katolikëve. Tregojnë dëshirë se mund të ngrenë krye, dhe do ta bënin. Janë megjithatë banorët e fushave tërësisht të paarmatosur dhe bujqit trima në dukje nga mënyra sesi vishen, pa shpurë, të ndrojtur nga natyra dhe nga frika mos humbasin pronat dhe familjet. Këta të Moresë dhe Tesalisë, mes të cilëve mund të radhiten edhe vllehët, janë më të mirët, si për nga trimëria, si për nga armët; por nuk është e lehtë t’i nxitësh për luftë dhe t’i ndihmosh […] nëse shfaqet mundësia, dhe si më afër ndihmës për sa i përket detit. Në këto dy provinca ka mjaft shqiptarë, por më shumë në Moré, të parët e të cilëve me lëvizje dhe kryengritje trazuan të gjithë Greqinë. […] Nga Shkupi e këtej ata që banojnë pjesën tjetër të Dardanisë dhe malet afër Arbërisë, nuk u janë ende nënshtruar turqve, qoftë për shkak të vendit, qoftë për shkak të egërsisë dhe për këtë duhen vlerësuar shumë. Këta janë Pipri, Kuçi, Klementi, Bjellopavliqi dhe të tjerë në krahinën e Plavës, pjesërisht arbër, pjesërisht sllavë. Këta sllavë, që jetojnë sipas dogmës ortodokse, janë më skizmatikë se të tjerët e kombit të tyre, e urrejnë emrin “latin” […] Kryepeshkopi i Pejës, ka jo shumë kohë që ka shtënë në dorë një juridiksion të gjerë, ka uzurpuar titullin e patrikut falë Mehmet pashë Sokoloviqit, që ka qenë kryevezir nën Sulejmanin, Selimin dhe Muratin. Peja është një vend në sanxhakun e Dukagjinit, ngjatë lumit të Drinit të Bardhë, edhe pse banohet më shumë nga spahinjtë e sanxhakut të Shkodrës. Por turqit janë të gjithë të një feje dhe një gjuhe, veç kësaj turqit mjeshtrit e qilimave shumë të hollë, njëherë e një kohë barinj endacakë … pasardhës të paluhatur të atyre aziatikëve që ndoqën faksionin dhe sektin e […] persianit, kushdo që ishte ose mund të ishte, […] i besonin më shumë Aliut se Muhametit. […] Në ato të Bullgarisë, Serbisë dhe Arbërisë janë gati të gjithë turqit më të shumtën të huaj të kombeve të ndryshme, dhe racë skllevërish [i.e. robërish] (ndërsa në Arbëri fshatarë), ose tregtarë a artizanë që i tremben çdo lëvizjeje, të armatosur si njëherë e një kohë, me hark dhe jatagan, por [tregtarët?] kanë ndonjë mushqetë etj.
Vuçiterna, Allaxhahisari, që serbët e quajnë Krushevac, Qystendili, Shkupi, Prizreni që zotëron shumë vende në Arbëri… Në Arbëri, në Shkodër, Dukagjin, Elbasan, Vlorë, Delvinë, të gjitha këto kanë dalje në det; Ohri, në sanxhakun e të cilit është Kruja e famshme e Skënderbeut, ka përzierje të madhe grekësh, bullgarësh, arbërish…. sanxhaku i Qystendilit ka 13oo spahinj, të tjerët nuk u tejkalojnë 8oo. Zakonisht kanë nga 2oo-3oo, rrallëherë 6oo. Disa nuk arrijnë në 8o, si Shkupi, Prizreni, Dukagjini, Shkodra ka pak më shumë, Kermani 56 deri 8o, pa llogaritur kurrë në numrin e spahinjve familjet e sanxhakbejlerëve.
Në këtë provincë, siç u tha, nga Bastia deri në Durrës ndiqet feja ortodokse, nën sanxhakët e Delvinës, Vlorës dhe Elbasanit. Në sanxhakun e Delvinës gati të gjithë e dinë gjuhën greke, në atë të Vlorës në pjesën më të madhe të sanxhakut ka shumë fshatra bullgarësh, që nxjerrin zift. Dhe vetëm Vlora – nga të gjitha krahinat e Shqipërisë – është e banuar nga turq të huaj me origjinë aziatike, nga ata që ndoqën Zekollin. Afër Vlorës pak më shumë se një ditë larg ndodhen malësorët himariotë, sigurisht të egër por pak të qëndrueshëm, të armatosur më të shumtën me heshta të shkurtra dhe hobé, tashmë kanë ngritur krye të bindur prej disave, por më shumë prej veprës së Athanasit, kryepeshkopit të Ohrit, i cili me pretekstin e vizitës (sepse Ohri është larg Himarës rreth katër ditë) etj. etj. etj.

Edion Petriti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button