Njerëz në udhëkryq

Nuk kam asnjë interes, anësi, tërheqje, apo bindje që të më ndikojë në qëndrimin tim ndaj çka ndodh në Shqipëri. E vetmja shtytje është ndjenja e pavullnetshme e dashurisë për vendlindjen dhe njerëzit me të cilët identifikohem për shkak të përkatësisë etnike dhe kombëtare. Këtyre, vendit dhe njerëzve i dua dhe i uroj veç më të mirën.
Prandaj edhe kur vijnë raste përplasjesh të mëdha, raste kur kërkohet anësim, pozicionim, prononcim unë nisem mirëfilli nga kjo ndjenjë.
Në një përplasje me përmasa historike si kjo e sotmja në Shqipëri, shumë njerëz ndodhen përpara udhëkryqit të pozicionimit. Vetë lëvizja, në thelbin e saj, është një sfidë ndaj qëndrimeve tashmë të standardizuara, demokratik/socialist/indiferent. Protestat në Tiranë kanë vënë për njerëzit një alternativë të re që bart me vete pyetjen: Në cilën anë të historisë do të qëndrojnë, në anën e mirë, apo në anën e keqe?
Pavarësisht se si do të jetë përfundimi, kush do të fitojë, ndarja mbetet qartësisht e përcaktuar midis të mirës dhe të keqes dhe anësia është, para së gjithash, zgjedhje morale për të gjithë shqiptarët, ndërkohë që është edhe morale edhe pragmatike për ata që jetojnë brenda kufirit politik të Shqipërisë.
Ana e keqe e historisë është vazhdimi gjendjes negative të ngërçit politik. Vendin e kanë zaptuar që prej tridhjetë e kusur vjetësh dy forca politike të korruptuara, që nuk kanë qenë kurrë dhe vazhdojnë të mbeten të paafta dhe të painteresuara për të ofruar mundësi zhvillimi ekonomik dhe shoqëror. Sistemi politik shqiptar i sajuar pa shumë fantazi pas diktaturës vërtitet rreth një boshti që synon vetëm ruajtjen e pushtetit të krerëve politikë. Ky sistem ushqehet financiarisht nga mekanizmi i pastrimit të një lumi ose përroi parash të pista që deri në vitin 1997 filtrohej përmes të ashtuquajturave firma piramidale, ndërsa pas tij me anë e betonizimit dhe krijimit të shtresës së oligarkëve.
Berisha zgjodhi firmat si një modus operandi për t’iu dhënë sa më shumë shqiptarëve sa më shpejt dhe sa më shumë “cash”, ndërsa Rama zgjodhi biznesin e ndërtimit për t’i dhënë mundësi pasurimit përmes turizmit. Të dyja zgjedhjet bazoheshin në një sistem imoral dhe të paligjshëm (pastrimin e parave) dhe në korrupsionin moral dhe financiar jo vetëm të atyre që janë marrë drejtpërdrejt me të, por edhe të një pjese mjaft të madhe të shoqërisë që përfitonte tërthorazi prej saj, e pranonte atë dhe bënte sikur nuk e kuptojnë ose, në rastin më të mirë, mbyllte sytë përpara të vërtetë s.
Asnjë prej zgjidhjeve nuk shqetësohej për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Përkundrazi, të dy interesoheshin vetëm për çastin: pasurimin e mbështetësve dhe ruajtjen e jetëgjatësisë së krerëve në pushtet. (Ndërsa Berisha duket sikur e do pushtetin për hir të pushtetit, Rama duket po aq i interesuar edhe për ndonjë “kodosh leku”.)
Të dyja zgjidhjet janë në thelb të njëjta dhe i krijojnë të njëjtin problem shoqërisë: korrupsionin në çdo shtresë, që vjen në ngritje nga poshtë lart. Kjo shpjegon largimin në masë të shqiptarëve nga Shqipëria.
As Rama dhe as Berisha nuk kanë qenë në gjendje, ose nuk kanë pasur shtytjen të konceptojnë ndonjë rrugëzgjidhje tjetër për vendin. Ata nuk janë tanimë në gjendje as t’a kuptojnë se çfarë dëmi i kanë shkaktuar dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë shoqërisë shqiptare.
Ata janë të verbër dhe të shurdhët ndaj shqetësimetve dhe kërkesave të shoqërisë edhe për një faktor tjetër – qëndrimin në pushtet e kanë lidhur me mbështetjen që marrin nga jashtë Shqipërisë. Të dyja anët kanë ushqyer dhe i falen një sistemi ku, më tepër se se përkrahja që gëzojnë në masën e gjerë të njerëzve atyre ju intereson se çfarë mendimi ka për t’a në Rrugën e Elbasanit.
Prandaj edhe të dy, Berisha në 1997 dhe Rama në 2026 e kanë të pamundur t’a kuptojnë se përse mund të jenë njerëzit të pakënaqur me ta. Prandaj asnjëri prej tyre nuk mundi të pozicionohej si duhej në fillim të protestave. Të dy e humbën si Xhaferri simiten dhe të dy e kanë kuptuar që tani është tepër vonë.
Jo rastësisht lëvizja e qershorit 2026 është lëvizje e të rinjve. Për tre dhjetëvjeçarë breza të rinjsh, për t’i shpëtuar të ardhmes së errët të jetës në një shoqëri të korruptuar, panë si zgjidhje të vetme largimin. Madje edhe prindër që e shihnin veten pjesë të këtij sistemi, që kishin përfituar prej tij, e shihnin të ardhmen e fëmijëve të tyre sa më larg llumit korruptiv.
Për herë të parë sot shoqëria shqiptare, veçanërisht (por aspak rastësisht) brezi i ri kanë vendosur që të ardhmen e tyre t’a shohin në vend, në Shqipëri, dhe jo jashtë saj. Ata po thonë: ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet kështu siç e duam ne, siç e do e ardhmja jonë. Jo ashtu si dijnë ta katandisin dhe e kanë katandisur ky brez demode politikanësh.
Unë e admiroj brezin e ri për guximin moral dhe qytetar për ta kërkuar një gjë të tillë. Unë, dhe shumë të tjerë si unë në kohën time dhe për vite të tëra pas meje, nuk gjetëm forca të qëndronim dhe të përpiqeshim për ta luftuar të keqen atje. Po ta kishim bërë, këtyre të rinjve sot nuk do t’iu ishte dashur të bëjnë këtë që po bëjnë. Për këtë ju jemi borxhlinj.
Konflikti i sotëm në Shqipëri është së pari moral: a do të vazhdojë Shqipëria të jetë një shoqëri e korruptuar, pavarësisht nga shkalla e prosperitetit ekonomik, apo do t’i hyjë rrugës drejt ripërtëritjes morale?
Rruga nuk do të jetë hiç e lehtë, dhe nuk mund të mbarojë kurrsesi me dorëheqjen e Ramës dhe nxjerrjen në pension pa rikthim të Berishës. Përkundrazi, ajo aty fillon.
Por dilema morale për të gjithë ne mbetet e njëjtë, pavarësisht rezultatit të proteinave: a duam ne t’i hyet kësaj rruge, apo duam të vazhdohet me avazin e vjetër?
E kuptoj përse shumë shqiptarë duan të vazhdojë e vjetra. Janë mësuar me të, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë prej saj. Shumë njerëz e kanë ndërtuar jetën të bazuar në marrëdhënie që në një shoqëri normale do të shiheshin të paktën me neveri. Te Edi Rama ose te Sali Berisha ata shohin vazhdimësinë e këtij sistemi që i bën të ndihen rehat.
Por nëse dikush aspiron që dikur këtij sistemi t’i vijë fundi, që shoqërisë shqiptare t’i kthehet dinjiteti dhe normaliteti, atëherë duhet kuptuar se kjo realizohet vetëm me një përmbysje të thellë. Dhe këtë mund ta arrijë vetëm ai brezi i ri që ka marrë përsipër protestën.
Siç e thashë edhe më lart, kjo nuk do të jetë as e lehtë, as sigurt dhe as afatshkurtër. Shkulja nga karrigia e dy çibanëve të politikës shqiptare është vetëm fillimi, hapi i parë. Kryerja e reformave zgjedhore, institucionale dhe shoqërore janë ato që duhet të pasojnë. Ndërkohë, lëvizja duhet të mbajë sytë hapur për të mos e lënë objektivin e saj kaq të rëndësishëm të bjerë në duart e çakejve dhe hienave të pangopura që tashmë kanë filluar të vërtiten rreth saj – arrivistëve politikë, nacionalistëve idiotë, fondamentalistë islamikë, e turli fytyrash që mendojnë se ju ka ardhur rasti të rrëmbejnë mikrofonin dhe të drejtojnë turmat. Hijet e korrupsionit dhe sistemit të vjetër vërtiten edhe nën flamujt e bulevardit të madh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.