OSHEE, investim 187 milionë lekë për modernizimin e Dispeçerisë qendrore
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të monitorojë online të gjitha proceset e punës, përmes sistemit SCADA, që do të thotë kontroll online të nënstacioneve, parandalim të defekteve, monitorim dhe manovrim të rrjetit elektrik, fiderave dhe kabinave, si dhe monitorim e operim online të prodhimit të HEC-ve.
Për zhvillimin e sistemit SCADA në Dispeçerinë Qendrore dhe lidhjen fillimisht të nënstacioneve kryesore të Tiranës përmes kësaj platforme online, OSHEE ka investuar 187 milionë lekë.
Me sistemin e vjetër veprimet kryheshin në mënyrë manuale dhe ishin mjaft të ngadalta, ndërsa ambientet e reja të operimit smart, me sistemin SCADA, ofrojnë tashmë mundësi për operim online të të gjitha proceseve të punës.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, vizituan dispeçerinë qendrore, si dhe ambientet e reja të OSHEE-së, të cilat ofrojnë tashmë kushte dinjitoze, si për punonjësit, ashtu edhe për qytetarët që deri pak kohë më parë prisnin me orë të gjata në radhë.
“Paguanim 420 mijë euro në vit qira në dy pallate dhe njerëzit prisnin në garazh të makinës. S’kishim as server, as ambiente pritjeje të publikut, as arkiv, absolutisht asgjë. Për çdo mbledhje nuk kishim ambiente, duhet të dilnim jashtë kompanisë. Tani i kemi këtu. Të gjitha këto janë me 4.5 milion dhe me TVSh brenda, 10 mijë metra katrorë. Kushtet nuk krahasohen,” u shpreh kreu i OSHEE-së Ardian Çela.
Dispeçeria Qendrore Tensioni i Lartë, sipas Çelës, shënon një tjetër transformim rrënjësor në mbikëqyrjen e rrjetit dhe marrjes së të dhënave në distancë.
“Ky është sistemi SCADA i ri. Fillojmë me 6 nënstacione. Aktualisht janë 3, brenda javës tjetër bëhen 6 (Tirana Qendër, Selitë, Kashar) dhe monitorohen të gjitha online. Shmang defektet, ngarkesat dhe koha e operimit është shumë e shpejtë. Ne parashikojmë që brenda dhjetorit të shkojmë në 12 nënstacione. Brenda vitit 2019 ne pretendojmë të shkojmë në mbi 50 nënstacione, që, (në total ne kemi 170) 60 nënstacionet kryesore të të gjithë vendit ne t’i monitorojmë nga këtu, në kohë reale,” deklaroi kreu i OSHEE-së.
Përveç nënstacioneve, OSHEE ka investuar në modernizimin e 100 kabinave në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, të lidhura online me qendrat dispeçer të drejtorive rajonale përkatëse. Në vitin 2019, operimi me sistemin SCADA do të shtrihet edhe më gjerë, ku në Tiranë do të kemi 250 kabina të automatizuara nga 30 që janë sot.