Parandalimi i krimeve tek të rinjtë, Tahiri: Bashkëpunim për promovimin e modeleve të drejta
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri thekson se shoqëria dhe qeveria duhet të luftojnë për modele të drejta për ushqyer një të ardhme të drejtë.
Këtë deklaratë, Ministri Tahiri e bëri gjatë aktivitetit “Parandalimi i krimit tek të rinjtë”, të organizuar sot në Tiranë dhe ku merrnin pjesë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Qato, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, si dhe Zv/Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Genta Sula.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Tahiri u shpreh se puna me të rinjtë duhet të jetë kryefjalë e çdo qeverie. “Unë besoj se është gjithnjë momenti për të punuar për të rinjtë. Koordinimi institucional është thelbësor për suksesin e të gjitha nismave dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë, që janë e ardhmja e vendit. Po ashtu, shtoi Tahiri, edhe të rinjtë duhet të jenë kontribues për veten, duhet të punojnë për të ardhmen e tyre dhe rruga për ta bërë këtë është duke i besuar institucioneve”.
“Të rinjtë, vijoi Ministri i Brendshëm duhet të kuptojnë se ne duam një shoqëri të barabartë para ligjit. Kjo nuk bëhet vetëm, kjo bëhet duke bashkëpunuar”.
Sipas Tahirit, ka ardhur momenti të shohim se sa prej nesh janë të gatshëm të bashkojmë energjitë dhe të luftojmë për t’i dhënë të rinjve një të ardhme të sigurt, duke punuar për promovimin e modeleve të mira. “Problemi është modeli. Të rinjtë shqiptarë ndihen të indinjuar kur shohin një person që suvaton shtëpinë e tij dhe arrestohet se po e bënte pa leje, teksa shohin një biznesmen që ka ngritur një pallat pa leje dhe lirohet. Të rinjtë janë ndjerë të shtypur kur kanë parë që një hallexhi është arrestuar për vjedhje energjie elektrike dhe më pas kanë parë që një punonjës i tatim taksave është liruar edhe pse akuzohej për korrupsion. Këto janë shembuj ku të rinjtë ushqejnë idenë se në prokurori dhe gjykatë, ka njerëz të korruptuar dhe ku të varfërit vuajnë burgun, të pasurit paguajnë “taksën”, nënvizoi Tahiri, duke shtuar se të rinjtë kanë të drejtë.
Sipas tij, ndaj këtij modeli duhet luftuar. Të rinjtë e sotëm shohin në “Facebook” bashkëmoshatarin e tyre, që poston foto me armë, pranë lëndëve narkotike, me para dhe shumë e shumë të tjera dhe ndihen keq kur shohin se shoku i tyre me armë në dorë është më i suksesshëm, sesa ky i riu, që ndjek modelin e ligjit dhe të së drejtës. Ky është vetëm një shembull që flet qartë për mungesën e modelit, por që është maja e ajsbergut, problemeve që hasin të rinjtë, prandaj dhe ky projekt për të parandaluar krimin tek të rinjtë është thelbësor”, vijoi Tahiri.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Qato u shpreh se institucioni i tij do të jetë gjithnjë i gatshëm për të bashkëpunuar me ministrinë e Arsimit dhe atë të Mirëqënies Sociale e Rinisë, pasi Policia e Shtetit kërkon të ofrojë një klimë më të sigurtë për të rinjtë. Sipas Qatos, projekte si “Policimi në Komunitet” apo “Policia sipas meje”, kanë qenë programe që kanë përfshirë të rinjtë në procesin e krijimit të një Policie sipas kërkesave të të rinjve.
Romana Vlahutin, Ambasadore e BE-së në Tiranë tha se parandalimi i krimit tek të rinjtë është bazë për uljen e krimit në të ardhmen. “Kemi një projekt pilot për të mbrojtur këta të rinj. Projekti ka në thelb një sërë aktivitetesh për të parandaluar krimin tek të rinjtë dhe veçanërisht në gjimnaze, pasi sipas saj, duhet të merren masa për parandalimin e krimit në gjimnaze.
Genta Sula, zv/ministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në fjalën e saj u shpreh se institucioni që ajo drejton ka një sërë projektesh lidhur me të rinjtë. Ajo tha se problematika e ngritur sot është një nga plagat e shoqërisë sonë, prandaj dhe angazhimi në këtë drejtim do të jetë maksimal. Sula gjithashtu rreshtoi disa nga nismat për t’u përballur me fenomenin e krimit tek të rinjtë. “Duhet të përfshijmë më shumë të rinjtë në shkolla profesionale apo sisteme të tjera angazhimi. Duhet më shumë vëmendje ndaj të rinjve që vijnë nga shtresat e të varfërve. Kjo, duhet bërë përmes programeve specifike dhe përmes programeve të bursave për futjen e tyre në gjimnaze. Duhen programe arsimore adekuate”, shtoj Sula.
Zv/Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë gjithashtu u shpreh se duhet punuar për rritjen e punësimit tek të rinjtë, ndërsa garantoi angazhim maksimal për të ndjekur çdo rekomandim të Bashkimit Europian.