Opinion

Partitë e vogla në grackën e humbësit Basha

Nga PETRO DHIMITRI

Përçarja e madhe e PD-së, shkaktuar nga NON GRATA Sali Berisha, ishte një humbje e madhe për të djathtën. Duam nuk duam ta pranojmë, PD ishte flamuri prijës i të djathtës. Ishte shpresa e madhe e popullit të përvuajtur nga regjimi totalitar i PPSH-së. Ajo u përça, sepse në krye të saj që në themelim, Partia e Punës ngarkoi me detyrë doktorin dhe komunistin e përbetuar Sali Berisha.

           Nga tërë ai pështjellim që NON GRATA ndërmori për të mbrojtur veten, partia u nda në dy grupe. Me Bashën u rreshtuan ata deputetë dhe demokratë që  nuk ishin  dakord me fushatën e NON GRATËS kundër SHBA-së. Ishte jo vetëm një fushatë me padi gjyqësore kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, zotit Blinken, po, ndër vite, nuk kishin munguar  sulmet e hapura dhe fyerjet për 7 nga 8 ambasadorët  e Washingtonit që kanë shërbyer në Shqipëri. Pse Basha figuronte në Gjykatë si Kryetar i PD-së, ai u njoh edhe si PD-ja zyrtare, ndonëse mund të them pa frikë se kokoshi i tij ka mbetur vetëm një thelë.
Me Berishën dhe Rithemelimin e tij kaluan 43 deputetë, bashkë me një pjesë të madhe e elektoratit. Ky grupim nuk kërkoi të krijohet si parti më vete. Ata këmbëngulin (me të drejtën që janë shumicë) që duhet t’i njohë gjykata. Ndoshta  si kofini pas së vjelash?!
        Si shpjegohet që deputetët e Bashës numërohen me gishtat e dorës, ndërsa shumica dërrmuese mbështet NON GRATËN?
        Midis demokratëve të zgjedhur në forumet drejtuese, madje edhe nga demokratët e thjeshtë, ishte akumuluar një pakënaqësi e natyrshme ndaj kryetarit të tyre. Gabimet e tij si për bojkotin e Parlamentit ashtu dhe për mos marrjen pjesë në zgjedhjet vendore, i kushtuan shumë PD-së. Luli i dhuroi Rilindjes së Ramës tërë qeverisjen vendore?! Këto dy gafa fëmijënore bënë që demokratët të kishin hije dyshimi për kapacitetin e kryetarit të tyre. Ata nuk mund të pranonin që, pasi ai humbi radhas katër palë zgjedhje, vazhdonte të përsëriste gënjeshtrën e madhe, se ua kishin vjedhur fitoren. Kjo ishte arsyeja që nuk jepte dorëheqjen. Edhe kur, më së fundi , u duk se e dha, ai i gënjeu demokratët. U hodhi pluhur syve. Nuk njoftoi gjykatën për dorëheqjen e tij. Zyrtarisht edhe sot, gënjeshtari i dorëhequr Lulzim Basha figuron kryetar i Partisë Demokratike. Nëpër intervista dhe emisione televizive paraqitet si kryetar i PD-së  zyrtare?! E qartë: ËSHTË NJERI ME DY FYTYRA.
         Kjo është arsyeja pse 43 deputetë iu bashkuan Berishës. Nuk donin  më Bashën. Nuk i shqetësonte Berisha si dukuri. Disa mendonin se nga mosha kishte për ta lënë shpejt drejtimin. Të tjerë, që janë më me këmbë në tokë, e dinë se proceset gjyqësore që ka SPAK kundër tij, të paktën ,kanë për ta privuar nga politika. Me gishta mund të numërohen edhe ata që besojnë se fundi i prijësit të tyre ka për të qenë në qeli. Pa Berishën si prijës, me që në mes tyre nuk ka më persona NON GRATA ,( e përkthejmë: nuk ka më antiamerikanë në Rithemelim), ata i kanë të gjitha shanset të kthehen në deputetë pro Perëndimorë, pro SHBA. Nuk mundet kurrsesi të shkojnë kundër frymës kombëtare të Shqipërisë që është me Washingtonin. Pse? Populli e di mirë këtë Pse dhe nuk ka nevojë për koment.
        Në rrethanat që Lulzim Basha ka mbetur në pakicë ose siç shprehet populli , SI PESHKU PA UJË, i lindi mendimi t’u drejtohet partive të djathta to vogla që nuk janë pak. Çuditërisht në Shqipëri kemi të regjistruar në gjykatë mbi 100 parti?! Janë të djathta e të majta. Janë parti që populli nuk i njeh. Janë vetëm si ”fantazma” të regjistruara në gjykatë. Nuk kanë mundur të kenë deputetë nga që populli nuk ka vlerësuar programet  dhe kandidatët e tyre. Me këto parti Basha po kërkon të rrisë elektoratin e vet?! Gjithmonë duke qenë ai vetë kryetari i tyre. Kryetar i partive të vogla të djathta që ai asnjëherë nuk i ka përfillur, përkundrazi i ka denigruar?! Po përpiqet të krijojë një të djathtë si kundërpeshë të  Rithemelimit, shumicës së PD-së.  Synon të kemi dy të djatha për zgjedhjet e vitit 2025. Në mbledhjen e parë që zhvilluan, folën vetëm ish Presidenti Bamir Topi, zoti Preç Zogaj, avokati Spartak Ngjela, zoti Kulluri po i PD-së zyrtare dhe vetëm nja dy tre zë mekur të partive të vogla. Basha  ishte ai që, me elokuencën e tij, e mbylli takimin për bashkimin e asaj të djathte, deri tani  pa shpresë.
        A mundet ky njeri që ka përkrahur sa ka dashur marrëveshjen Berisha-Rama të vitit 2008, që ishte një hap mbrapa i dukshëm për demokracinë? Me atë marrëveshje jo vetëm u cungua kompetenca e Presidentit. Kryesorja ishte se dy OLIGARKËT KUNDËRSHTARË i hoqën popullit të drejtën për të votuar kandidatët për deputetë. U shpik formula shpifëse e listave të mbyllura që populli të votonte për emrat që partitë do të paqaqitnin. U shmang konkurrenca e kandidatëve në ballafaqimet me popullin. Më e keqja e kësaj EUREKE ishte dhe është që kryetarët e partive kthehen në ” tiranë” që mbajnë në dorë çelësat e derës së Parlamentit për anëtarët e tyre. Të gjithë ata që duan të ecin përpara në politikë, duhet patjetër të rrinë sus para kryetarit. Përndryshe dera e Parlamentit për ata është e mbyllur. Duke përfituar nga ajo marrëveshje e tipit Mesjetar, edhe zoti Basha, kur u bë kryetar, nuk përfilli fare forumet dhe statutin e partisë. Hartoi vetë listën e kandidatëve dhe e mbante të zhubrosur në xhepa, si një relikë shumë të vyer. U lanë jashtë liste të gjithë ata të ”dyshimtë” që nuk i bënin atij peqe-lepe, ndonëse kishin qenë personalitete të PD-së?!
         Për të sqaruar mirë pyetjen se ç’mund të presin partitë e vogla nga zoti Luli, po kujtoj : që kur Berisha e afroi në poste drejtuese ministrore, që kur e caktoi edhe kryetar de jure ,po jo de fakto të PD-së, për mbi 15 vjet Berisha-Basha ishin një binom i pandarë. Luli ishte DELFINI I DOKTORIT. Basha heshti për 13 vjet rresht për vrasjet e 21 janarit, ndonëse ishte Ministër i Brendshëm dhe e di mirë se kush dha urdhër për të qëlluar ndaj popullit të pa armatosur, madje kur protesta po venitej dhe ishte në përfundim. Edhe për të shkretat para nuk mbetet me kilometra larg familjes Berisha. Ende nuk e dimë se ku i gjeti dollarët  për lobimin në SHBA. Të gjithë thonë se ai gënjeu për burimin e tyre. Nejse, për të gënjeshtra nuk ka shumë rëndësi. Thonë se ishin paratë e rusëve?!
Media mbase ka shpifur kundër tij kur ka pohuar se për të dalë si njeri që nuk ka prona, i ka regjistruar ato në emrin e bashkëshortes?! Lulzim Basha për të fituar pikë te ndërkombëtarët, disa vite më parë ,ndërmori një turne në Evropë. Volli si dhe sa deshi kundër Shqipërisë. Donte të fitonte përkrahës, duke poshtëruar vendin e tij, që të fitonte zgjedhjet dhe të bëhej KRYEMINISTËR, po përsëri i humbi. Përsëri ia ”VODHËN” votat?!
           Ky njeri ,që nuk ndryshon shumë nga ustai i tij Berisha, a mund t’i çojë drejt suksesit partitë e djathta të vogla? E pamundur. Do të përpiqet t’i mashtrojë ato për të fituar vota dhe mbështetje masive, që i mungon. Do të ishte njëmijë herë më e udhës që e tërë e djathta jashtë Rithemelimit dhe PD-së së Lulzim Bashës, të bashkohet. Edhe pse të vogla në peshë, po të shumta në numër, ato kanë mundësi të krijojnë një alternativë të fuqishme me frymë demokratike Perëndimore. Doemos, duke përcaktuar mirë dhe qartë juridikisht kriteret e një bashkimi të barabartësh që luftojnë për t’i dhënë fund mbisundimit të klasës politike tridhjetëvjeçare të PD- PS-së. Shqipëria e ka të domosdoshme krijimin e një plejade të re udhëheqësish pro Perëndimorë. Mjaft më me të njëjtët politikanë çerekshekullorë hajdutë! Janë ata që e futën Shqipërinë në këtë korrupsion të madh. Ky është shkaku që SPAK-u e ka tejet të vështirë ta shkulë nga rrënjët aleancën e heshtur hajdute PD-PS .Metastazat e saj nisin nga nëpunësitë e thjeshta dhe shkojnë deri te Kryeministri apo ish Presidenti. Në Vlorë thonë: KJO ËSHTË PËR TË VËNË KUJËN!
                                                            Petro Dhimitri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button