Ekonomia

Pas investimeve, vihet në funksionim nënstacioni elektrik i Bushatit

Në nënstacionin elektrik të Bushatit ka përfunduar investimi prej 700 milionë lekësh, ndërsa OSHEE ka planifikuar që në periudhën 2018-2019 të investojë edhe 1.2 miliard lekë, duke vënë përfundimisht në funksionim këtë nënstacion, të ndërtuar para 10 vitesh, por që nuk shfrytëzohej për mungesë investimesh.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela ishin në Bushat, ku panë nga afër investimet që janë kryer në nënstacionin elektrik 110/20 kV.

“Është një nënstacion i cili ka përfunduar së ndërtuari para 10 vjetësh, por nuk ishte vënë në shfrytëzim. Nuk ishin bërë lidhjet me fiderat, nuk ishte investuar në fidera në rrjet, dhe banorët e zonës vazhdonin të furnizoheshin me rrjetin 6 kilovolt edhe pse kishin një nënstacion të ri që mbahej i lënë në harresë prej kaq vitesh.

“Kompania përfundoi fazën e parë të një investimi prej 700 milionë lekësh të reja me të ardhurat e veta, ku u investua në  fidera. Kanë përfituar rreth 2 mijë abonentë, dhe është investuar në rreth 40 kilometra kabëll të tensionit të mesëm, 72 km kabëll të tensionit të ulët ABC dhe janë ndërtuar e rinovuar mbi 40 kabina të reja”, u shpreh administratori i OSHEE-së.

OSHEE ka planifikuar që në 2018-2019 të investojë edhe 1.2 miliard lekë për përfundimin e 4 fiderave të tjerë për të futur në kapacitet të plotë nënstacionin, duke garantuar një cilësi më të mirë furnizimi me energji për 10 mijë abonentë.

Ministri Gjiknuri tha se shëndoshja financiare e sektorit, por mbi të gjitha e Operatorit të Shpërndarjes, dhe rritja e investimeve, patjetër do të sjellë ulje të humbjeve në mënyrë drastike, do të thotë një qëndrueshmëri më e mirë financiare edhe në terma afatgjatë.

“Fenomenet e vjedhjes janë luftuar kudo. Këtu në Shkodër ka akoma shumë vend për përmirësim, megjithatë investimet masive që po ndodhin kanë bërë që humbjet të reduktohen në nivelet më të ulëta historike që ka parë ndonjëherë Shqipëria dhe për këtë jemi dëshmitarë. Ky proces nuk mbaron me kaq, kompania po shkon në një proces riorganizimi. Së fundi po aplikohet edhe një skemë e re e shpërndarjes së menaxhimit në terren, që do të jetë me përgjegjësi me bazë fideri. Në çdo fider do të ketë persona përgjegjës dhe do t’i shkohet  përgjegjësisë deri në fund. Nga ana tjetër, edhe vet kompania do të pësojë ndarjen, proces ligjor që ka filluar, një proces në përputhje me parimet e Bashkimit Europian”, sqaroi ministri.

Gjiknuri u ndal më tej tek vazhdimi i investimeve në rrjet dhe ulja e nivelit të humbjeve ku vuri theksin se Shkodra ende mbetet larg objektivit të vendosur.

“Investimet po vazhdojnë, pavarësisht se vjet ishte një vit i vështirë dhe me krizë prodhimi. Fatmirësisht, ky vit, të paktën nga ana e prodhimit do të jetë një vit i mirë, do të rikthehet niveli i investimeve të pranueshme, në mënyrë që ne të vazhdojmë të mbajmë ritmin që kërkon koha përsa i përket investimeve. Patjetër edhe pjesa e organizimit dhe menaxhimit në terren kërkon një punë më të mirë dhe këtu po u them edhe drejtuesve të Shkodrës, ka nevojë për një menaxhim shumë herë më të mirë, sepse Shkodra fatkeqësisht akoma mbetet nga qarqet me nivelin më të lartë të humbjeve dhe që kjo gjë është e papranueshme”, insistoi Gjiknuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button