Përçahen aleatët e PS-së
Partia Socialiste tashmë duket se është futur në fazën më kulminante për sa i përket zgjedhjeve vendore dhe kjo duket jo vetëm te takimet që kryeministri Rama po zhvillon me deputetët e çdo qarku, por edhe tek takimet me aleatët e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Ndërkohë që për sa i përket emrave që do të përzgjidhen duket se gjithçka është e qetë pasi ende socialistët nuk kanë arritur në fazën me kulmore, këtë gjë e tregon edhe takimi i kryeministrit Rama me deputetët, pasi fokusi i këtyre takimeve nuk ishte përzgjedhja e emrave, por bashkëbisedimi dhe sugjerimet që vijnë nga baza. Ndërsa nuk duket shumë e qetë situata për sa i përket marrëdhënies që socialistët kanë me aleatët e tyre, kjo për vetë faktin e pakënaqësive të shprehura prej tyre, pasi u lanë në harresë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.
Takimet me aleatët
Vetëm disa ditë më parë nën drejtimin e deputetit Taulant Balla, Partia Socialiste ftoi në një tryezë të gjithë aleatët e saj të majtë. Ftesës së PS-së për këtë takim duket se nuk iu përgjigjën pozitivisht të gjithë aleatët e saj ndërsa kishte nga ata që nuk kishin marrë një ftesë. Gjatë mbledhjes u shprehën pakënaqësitë nga aleatët, ndërsa deputeti Balla kërkoi ndjesë në emër të socialistëve për mospërmbushjen e detyrimeve të saj. Por duket se përveç aleatit më të madh LSI-së që duket se tashmë i ka konsoliduar marrëdhëniet me PS-në, aleatët e tjerë duket se do të presin takimet e radhës për të qartësuar qëndrimet e tyre. Përjashtim mund të bëjë drejtori i Arkivit të Shtetit, Gjet Ndoj dhe zëvendësministrat Petro Koçi dhe Ervin Mete.
Ndërkohë që Paskal Milo, kryetari i PDS-së, duket si është i zhgënjyeri i radhës i koalicionit, i kontaktuar nga gazeta, Milo nuk ka preferuar të prononcohet për qëndrimin e tij. Ndërsa e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili kohët e fundit është parë nën shoqërinë e një prej kundërshtarëve tashmë të së majtës, Dritan Priftit. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Idajet Beqiri, kryetari i partisë së Unitetit Kombëtar, tregon për mbledhjen e aleatëve dhe për detyrat e shtruara për tu zgjidhur gjatë takimeve të radhës. “Mbledhjen e koalicionit e thirri Rama. Meqenëse ai ishte në një aktivitet të rëndësishme me Komunitetin Mysliman, ngarkoi Taulant Ballën të drejtonte tryezën e partive. Ishin mbi 80 për qind e partive politike të koalicionit. Mungesat ishin objektive për shkak të njoftimeve me vonesë dhe ndodhjes së kryetarëve të 4 partive jashtë vendit. Rama ka caktuar Ballën drejtuesin kryesor të koalicionit. Balla foli në emër të Ramës. Ai bëri një rezyme të ndjesës për mospërmbushjen e detyrimeve të PS-së ndaj partive aleate. Analiza e tij për mospërmbushjen e detyrimeve sipas marrëveshjes ishte bindëse.
Por më mirë vonë se sa kurrë, -tha Balla”, shprehet Idajet Beqiri. Kryetari i PUK, Beqiri shprehet për konkluzionet e mbledhjes dhe për objektivat. “Tryeza e partive zgjodhi një kryesi ekzekutive permanente, e cila, duke filluar nga nesër, do të adresojë dhe zgjidhë të gjitha pikat e marrëveshjes, duke kontaktuar dhe duke u ulur me çdo kryetar partie veçmas. Kryesia organizative përbëhet prej Taulant Ballës, Idajet Beqirit, Dhimitër Musliut dhe Gjet Ndojit”, tha Beqiri. Kreu i Unitetit Kombëtar tha se pika e dytë e diskutimit ishin zgjedhjet vendore. “Do dalim bashkë si në 23 qershor 2013. Do të maksimalizojmë votat. Do e shtojmë koalicionin edhe me disa parti të tjera. Dje u bë pjesë e koalicionit edhe Partia Aleanca Demokratike. Po punohet që edhe PDIU-ja e çamëve të jetë pjesë e koalicionit “Për Shqipërinë Europiane”. Kryesia ekzekutive e koalicionit u ngarkua që takimin e dytë të koalicionit ta bëjmë sa më shpejt, brenda këtij muaj, nën drejtimin e Ramës. Kryesia është permanente. Çdo parti do të thotë kërkesat që ka në bazë të marrëveshjes para elektorale për përfaqësimin në qeverisjen qendrore dhe lokale në bazë të votave që ka marrë. Kryesia do i dëgjojë, dhe kërkesat e bazuara do t’i adresojë në realizimin e tyre”, u shpreh Idajet Beqiri.
PDIU apo PBDNJ?
Partia Socialiste tashmë është futur në bashkëbisedime edhe me çamët e PDIU-së. Në takimet që kryeministri Rama ka bërë me deputetët në kryeministri e ka konfirmuar një fakt të tillë. Por duket se afrimi i opozitarëve të PDIU-së duket se çon larg koalicionit minoritarët e PBDNJ-së. Për vetë përbërjeve dhe kauzës që kanë këto dy parti duket se është e pamundur “bashkëjetesa” e tyre në një koalicion. Gjatë takimit me deputetët e Korçës dhe Elbasanit kryeministri Rama u shpreh se ka një ofertë për PDIU-në dhe se një ndër kërkesat e tyre është zona e lirë në bashkinë e Peqinit, gjë që hasi kundërshti tek deputeti socialist i Peqinit, Alfred Peza. Por duket se çamët e PDIUsë nuk do të ndalen me kaq, pasi në takimin e Këshillit Kombëtar të tyre, vetëm dy ditë më parë, ata u shprehën se do të kërkojnë zona të lira në 5 bashki, ku ata kanë numrin më të madh të votuesve. Por kur duket se PDIU po afrohet me koalicionin e majtë, minoritarët e PBDNJ-së, po qëndrojnë larg. Kjo gjë është vërejtur edhe tek deklaratat e kryetarit Dule, i cili më herët është shprehur se bashkëpunimi me PS-në ka qenë problematik.
Aleatët: Presim që në vijim të bisedimeve të gjejmë gjuhën e përbashkët
Mes aleatëve të pakënaqur për pozicioni që iu lanë socialistët menjëherë pas ardhjes në pushtet janë edhe Aleanca Demokristiane dhe Partia e Punës e Reformuar. Në një prononcimi për gazetën “Shekulli”, kryetari i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati shprehet tregon se cili ishte reagimi i tyre pas ftesës së PS-së për takim me aleatët. “Morëm një njoftim më datë 12:00 mars, rreth orës 10 paradite nga zyra e organizimit të PS-së për një mbledhje të partive të koalicionit në orën 18:00. Në njoftuam me urgjencë kryesinë e ADK-së. Kryesia vendosi t’i drejtohemi me anë të një letre zyrtare kryetarit të PS-së, zotit Edi Rama ku të parashtronim qëndrimin e ADK-së rreth propozimit për një tjetër koalicion me PSnë për zgjedhjet e pushtetit vendor. Them një tjetër koalicion mbasi kryesia mendon që koalicioni për zgjedhjet parlamentare u konsumua ditën e zgjedhjeve dhe nuk funksionoi më. ADK-ja për zgjedhjet parlamentare nënshkroi një marrëveshje bilaterale me PS-në, e cila u firmos nga Edi Rama dhe Zef Bushati. ADK-ja nuk u bë pjesë e koalicionit qeverisës mbas fitores, si rezultat i qëndrimit jokorrekt të Edi Ramës”, u shpreh Bushati. Më tej kreu i ADK-së shprehet se kryesia e partisë ka nisur një letër në drejtim të kryeministrit Rama ku i sqaron qëndrimin e saj dhe ku kërkon zhvillimin e një takimi me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të re.
“Ftesën e re nga zyra e organizimit të PS-së për pjesëmarrje në një tryeze të koalicionit nuk e morëm në konsideratë për faktin se ADK-ja nuk ka qenë pjesë e asaj tryeze. Kryesia e ADK-së, në letrën që i dërgoi zotit Edi Rama ja ka bërë të qartë se përsëri Aleanca Demokristiane nuk do jetë pjesë e asaj tryeze. Arsyet janë në letër, por nuk mendoj se është momenti që t’i bëjmë publike. Por kryesia e ADK-së në letër shpreh predispozicionin për të biseduar me PS-në në nivel kryetarësh apo sekretarësh, rreth temës nëse do të biem dakord përsëri dhe të nënshkruajmë një marrëveshje bilaterale vetëm me PS-në dhe me asnjë parti tjetër të asaj tryeze”, tha Zef Bushati. Ndërkohë që më kritik shprehet kreu i PPR-së, Marko Dajti. “Nuk isha pjesë e mbledhjes së organizuar nga Partia Socialiste, por edhe nëse do të isha ftuar nuk do të merrja pjesë. Jemi të zhgënjyer nga qëndrim që ka mbajtur PS-ja me aleatët e saj”, u shpreh Dajti. I pyetur nga gazeta “Shekulli” nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e aleancës së majtë Dajti shprehet se pas gjithë atyre gjërave që kanë ndodhur dhe pas indiferentizmit dhe ka shprehur Partia Socialiste pasi erdhi në pushtet, ai dhe partia që drejton vështirë se mund të mbeten pjesë e këtij koalicioni. Dajti e la të hapur mundësinë edhe të krijimit ë një “poli” të tretë me partitë që tashmë kanë lëkundur pozitat në koalicionet e tyre.
“Në demokraci ka konkurrencë dhe çdo gjë është e mundur edhe për krijimin e një aleance të re, vetëm nderimi i kahut është diçka e pa mundur. Nëse PS-ja na e argumenton se është me të vërtet një parti e majtë dhe mbron interesat e të majtëve dhe të klasës punëtore unë nuk kam arsye që të dal nga koalicioni, por nuk besoj që PS-ja ta bëjë diçka të tillë”, tha Dajti. Në lidhje me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e ardhshme të aleatëve të majtë Dajti u shpreh se kjo gjë mbetet për tu diskutuar. Për sa i përket arsyeve që aleatët e vegjël të PS-së, mbeten të zhgënjyer Dajti u shpreh se përveçse janë lënë të mënjanuar ka pasur edhe veprime nga PS-ja që flitet se janë reforma por që në fund të fundit kanë rënë mbi kurrizin e popullit, si për shembull, rritja e çmimit të energjisë elektrike. Dajti shprehet se ai dhe aleatët e tjerë shpesh i kanë ngritur këto si probleme por duket se shqetësimet dhe deklaratat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.