Plani i Italisë për Shqipërinë/ Rama dhe Di Maio nënshkruajnë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një deklaratë të përbashkët për media në Tiranë, me ministrin italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Luigi Di Maio se “Italia është pranë nesh për garantimin e vaksinës kundër COVID-19”.
Sot, tha Rama, “ndajmë së bashku edhe eksperiencën e jashtëzakonshme që po ndan e gjithë bota të përballjes me COVID-19”.
“Dëshiroj ta falënderoj ministrin Di Maio edhe për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vënë në lëvizje, BE është vënë në lëvizje dhe vendet po krijojnë edhe partneritete. Italia falë kësaj lidhjeje krejt të veçantë që ka me Shqipërinë, por falë edhe kryeministrit Conte dhe ministrit të Jashtëm, Di Maio është pranë nesh, siç është edhe BE pranë Ballkanit Perëndimor në mënyrë që vendet e rajonit tonë të mos mbeten mbrapa, në radhë të parë për garantimin e vaksinës për personelin mjekësor, dhe sipas radhës në një kohë sa më të shpejtë për mësuesit, forcat e policisë dhe gjithë popullin në vijim”, tha Rama.
Rama informoi se me ministrin Di Maio firmosi sot marrëveshjen për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm Shqipëri-Itali.
“Sapo kemi zhvilluar një takim vëllazëror me ministrin Di Maio, një mik që mund ta them me plot gojën i çmuar i Shqipërisë, që pavarësisht situatës tejet të ngarkuar ka gjetur përsëri kohën dhe mundësinë për të riardhur në Shqipëri pas vizitës së dhjetorit të kaluar. E kujtoj për të gjithë dhe përsëri dua ta falënderoj që na u gjend pranë në një nga momentet më të rënda të historisë sonë pas tragjedisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar. Nuk mundet që bashkë me falënderimin për të, të mos përsëris shprehjen e mirënjohjes më të thellë për Italinë mike dhe në mënyrë të veçantë për trupat fantastike të Mbrojtjes Civile italiane që reaguan në mënyrë të rrufeshme ndaj nevojës për ndihmë dhe u gjendën brenda shumë pak kohe, në zonën e fatkeqësisë duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë njerëzish”, shtoi Rama.
Nuk mundem të mos e kujtoj me mirënjohje, vijoi ai, “edhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të mikut tonë Di Maio dhe kryeministrit Conte për të garantuar një mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në Bruksel, në konferencën ndërkombëtare të donatorëve ku Italia ishte jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra në krye të radhës të vendeve mike që u rreshtuan krah për krah Shqipërisë”.
Kryeministri informoi se “sot kemi folur me ministrin Di Maio edhe për temën e rëndësishme të bashkëpunimit”.
“10 vjet më parë është nënshkruar deklarata e Partneritetit Strategjik Shqipëri-Itali, një gur i rëndësishëm kilometrik. Ne do të nxisim dialogun në funksion të temave të posaçme dhe tema për të cilën do të angazhohemi menjëherë është tema e partneritetit në lidhje me planin e investimeve për Ballkanin që ka 3 shtylla kryesore transportin e infrastrukturën, energjinë dhe dixhitalizimin. Në 2 shtyllat e para Italia ka eksperiencën e çmuar në arenën ndërkombëtare dhe vullnetin për të qenë pranë nesh. Më shpejt se vonë, ne do të përcaktojmë edhe partnerët strategjikë në këtë rrugë që do të na asistojnë me ekspertizën e tyre për projekte dhe aksesin në fondin e BE-së”, shtoi Rama.
Kryeministri e falënderoi ministrin Di Maio personalisht, sepse siç tha ai, “pavarësisht se nuk ka asnjë arsye që të harroj angazhimin edhe të paraardhësve të tij në këtë detyrë, realisht është i angazhuar jo thjesht politikisht, institucionalisht por edhe personalisht për të qenë një avokat i shkëlqyer i integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”.
“Kemi folur edhe për këtë stacion ku gjërat në këtë moment janë komplikuar nga një moment ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që po diskutohet edhe korniza negociuese me të dyja vendet në nivelin e BE-së”, tha Rama.