KronikaSporti

Presidenca e FSHF, beteja Duka-Fino për pastërtinë në futboll

Gara për kreun e FSHF ka hyrë në fazën më të nxehtë, e teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga dita e votimit, dy kandidatët janë përballur në Top Channel, ku kanë shpalosur idetë e tyre gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”, por beteja më e madhe e tyre duke se është pastërtia në kampionat shqiptar. Sfidanti Bashkim Fino akuzoi Dukën se po paracakton kampionët në Shqipëri dhe premtoi se do të rikthejë transparencën dhe besueshmërinë në futbollin shqiptar. Por, e menjëhershme ishte edhe kundërpërgjigja e kreut aktual të FSHF-së, që mohoi akuzat dhe vuri në dukje se Fino vjen nga një fushë e papastër.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit” se çfarë e shtyu që të garojë për kreun e FSHF, deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino ka theksuar se ai synon që të sjellë një ndryshim drastik në menaxhimin e futbollit shqiptar, pasi siç thotë ai njerëzit nuk kanë më besim në kampionatin shqiptar, duke i cilësuar ndeshjet si të paracaktuara.

Fino shprehet se beson se do ia arrijë qëllimit falë edhe aftësive mjaft të mira menaxheriale.

“Nuk do ketë asnjë ekip të privilegjuar në presidencën time. Futbolli shqiptar ka nevojë për një ndryshim. Futbolli është një mision publik ka nevojë për pastërti, menaxhim më të pastër. Nevojitet ndryshim drastik në mënyrën e drejtimit menaxherial të FSHF. Gara ime s’ka të bëjë me emra të përveçëm, kundër Armand Dukës, ka të bëjë me një alternativë tjetër. Integriteti, pjesa ime reformatore dhe aftësitë meaxheriale janë kualifikuese për kandidat. Ka ardhur koha për një ndryshim për të rikthyer besimin tek kampionati shqiptar. Njerëzit e cilësojnë futbollin tonë si të paracaktuar. Standardizim të ri, kufizim të presidencës. Delegatët e Federatës duhet ta vlerësojnë si një platformë të ndryshme nga këto 16 vite”, u shpreh Fino, duke akuzuar më tej gjatë emisionit se ka qenë pikërisht Duka ai që ka klube të privilegjuara, duke përcaktuar edhe se kush do të dalë kampion duke i humbur pastërtinë futbollit.

Ndërkohë që kreu aktual i FSHF, që garon për një mandat të 5-të vuri në dukje se rikandidimi i tij vjen në një moment shumë të mirë për FSHF-në, ku nuk la pa përmendur arritjet që futbolli shqiptar ka pasur nën drejtimin e tij, apo gjendjen në të cilën ai e gjeti FSHF 16 vite më parë.

“Bashkim Finon e konsideroj si një sfidant që ka dëshirë të bëjë më mirë për një institucion. Rikandidmi im vjen në një moment mjaft të mirë të FSHF. Ka qenë një institucion thuajse inekzistent. Kemi bërë shumë gjatë kësaj periudhe, kemi bërë edhe gabime, por kemi pasur më shumë suksese. Suksese në garat brenda vendin, madje kemi arritur shumë edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkë me Finon kemi festuar në Francë. Kam akoma energji për të kontribuar në këtë institucion”, deklaroi Armand Duka.

Bashkim Fino u pyet nga Ylli Rakipi, nëse në momentin që vendosi të kandidojë e pyeti Kryeministrin Rama.

Fino e mohoi këtë gjë. “Integriteti im nuk është në atë nivel që unë të marrë leje për atë që duhet të kandidoj. Kam dhënë dorëheqje si sekretar i përgjithshëm. Doja të kisha kohë të mjaftueshme. Nuk kam pyetur fare zotin Rama nëse duhet të kandidoj për kryetar të FSHF. Kam kandiduar me dëshirën dhe koshiencën time”, u shpreh Bashkim Fino.

Çështja e mandatit të deputetit, nëse Bashkim Fino duhet të jepte apo jo dorëheqjen nga ky post është një nga pikat e debatit prej momentin që deputeti i PS shpalli kandidaturën e tij për kreun e FSHF.

E për Bashkim Finon qoftë nga pikëpamja juridike, ashtu edhe politike mandati i deputetit nuk ka asnjë pengesë ligjore që ai të garojë për kreun e FSHF, duke përmendur një sërë vendesh ku krerët e federatave janë ende në politikë.

“FSHF është një institucion që statutin e saj e mbështet në statutin e FIFA-s, e në të thuhet se nuk ka diskriminim. Në pikën e parë të statutit të FSHF, thuhet se Federata është asnjanëse në çështjet politike dhe fetare. Në datën 8 shkurt unë duhet të jem asnjanës. As nga pikëpamja juridike, e as nga pikëpamja politike asnjë deputet nuk ndalohet të kandidojë në një OJF, sepse FSHF është OJF”, u shpreh Fino.

Por për Armand Dukën mosdorëzimi i mandatit të deputetit nga Bashkim Fino nuk është i drejtë, për dy arsye.

“Nuk mund ta mohoj të drejtën e Finos për të qenë kandidat. Ka plot raste, si në Rusi ku Presidenti i Federatës është edhe zv/kryeministër. Por nuk e konsideroj të drejtë veprimin e mosdhënies së dorëheqjes nga mandati i deputetit. E para se pse nuk është e drejtë ndaj atyre që do u kërkojë votën. E dyta: në një garë hyn me idenë për të fituar, e nëse mendon që ta mbash mandatin për të vazhduar si deputet nëse humbet, ke hyrë në garë për të humbur”, u shpreh Duka.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel, Armand Duka u shpreh se marrëdhëniet e FSHF kanë qenë shumë të mira me të gjithë faktorët në vend, duke përfshirë edhe politikën, por nuk e ka dhënë institucionin as për Edi Ramën dhe as për Sali Berishën.

“Jam përpjekur të kenë marrëdhënie shumë të mira me të gjithë faktorët në vend, edhe me politikën. Nuk e kam dhënë institucionin as për Edi Ramën dhe as për një tjetër institucion. Këtë gjë kam bërë edhe me Sali Berishën. Jam munduar që të kemi”, u shpreh Armand Duka.

Por për Bashkim Finon është e kundërta. Ai e akuzoi dukën se e ka përdorur FSHF për politikë.

“Zoti Duka e ka përdorur dhe e di mirë. Nuk ka respektuar nenin 1 që Federata duhet të jetë asnjanëse. Duka marrë pjesë në hapjen e partisë së vëllait të tij. Ka shkuar Ersekë dhe ka bërë fushatë. Kjo është e gabuar sepse ka shkelur statutin e FSHF. Nuk po them si qytetar i lirë, por të përdorë institucionin dhe të marrë pjesë në këtë aktivitete është përdorja e Federatës për politikë. Unë mendoj se mbas datës 7 nuk do të ndodhë në mënyrë absolute”, u shpreh Fino.

Duka reagoi duke iu drejtuar Bashkim Finos se e ka politizuar shumë fushatën dhe ngre akuza ndaj tij për ta zbehur këtë. “E ke politizuar shumë këtë fushatë dhe kërkon ta zbehësh këtë me një fotografi. Nuk kam qenë i angazhuar kurrë në politikë. Kam marrë pjesë në një aktivitet dhe këtë nuk e mohoj, por nuk mund ta kamuflosh të gjithë atë që ke krijuar me një fotografi”, tha Duka.

Bashkim Fino akuzoi Dukën se paracakton kampionët në Shqipëri dhe premtoi se do të rikthejë transparencën dhe besueshmërinë në futbollin shqiptar.

“Jam shumë ndryshe nga ty, nuk je treguar i barabartë. Mos mashtro më, se ke 16 vjet, ke manipuluar me telefon. Ka mbaruar koha jote. Të akuzojnë të gjithë, të gjitha klubet, ti ke dy standarde, i dënon sipas standardit tënd. Ti ke standarde sipas dëshirave të tua, ky je ti, këtë ke berë gjatë gjithë kohës ti, ti nxjerr kë ke dashur kampion”, u shpreh ndër të tjera Fino.

Por, e menjëhershme ishte edhe kundërpërgjigja e kreut aktual të FSHF-së, që mohoi akuzat dhe vuri në dukje se Fino vjen nga një fushë e papastër.

“Në një garë ka edhe gabime njerëzore, por ka edhe të pakënaqur. Të gjitha ekipet kanë pasur uljet dhe ngritjet e veta gjatë kësaj periudhe, por që lidhen vetëm me organizimin e tyre të brendshëm, jo me organizimin e garës. Ti Bashkim vjen nga një fushë e papastër dhe premton se do të pastrosh futbollin, që gjithsesi, është shumë më i pastër se politika”, u kundërpërgjigj Duka.

Dy kandidatët kanë shkëmbyer replika mjaft të ashpra në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku Duka ka akuzuar Finon, se ka aktivizuar kriminelë dhe gangsterë për të frikësuar votuesit dhe se ai vetë ka frikë ti përmendë emrat e këtyre personave.

“Harroji punët e dosjeve dhe burgjeve. Je mësuar vetëm të shash dhe të ofendosh. Frymë e re nga “Muçi, Naçi, Baçi”, nuk e pres të vij. Frymë e re nuk e pres nga korrupsioni. Qetësohu vëlla se na duhesh deri në datë 7. S’ke lënë kriminel dhe gangster pa aktivizuar. Politikanët që ti ke futur në fushatë, dhe gangsterët që ke futur në fushatë. Të tërë i ke përfshirë në fushatë. Emrat e kriminelëve kam frikë ti them. Po më dhanë urdhër gangterët të tërhiqem, do të tërhiqem.”

Fino është përgjigjur duke thënë, se atë nuk e kanë quajtur asnjëherë “klani i zemunit”. “Mua nuk më ka thënë njeri, Klani i Zemunit. Unë jam kristal i pastër.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button