Presidenti i Flamengos i mbyll derën Ronaldos
Flamengo është skuadra lider në futbollin e Amerikës së Jugut. Për ta vërtetuar janë shifrat dhe në veçanti triumfi i fundit në Libertadores në finale e fituar 1-0 ndaj Atletico Paranaense falë golit të Gabigol, titulli i dytë kontinental i fituar në tre vitet e fundit.
Pas agjërimit të sukseseve në kompeticionin që zgjati që nga viti 1981, viti i suksesit të parë dhe prej shumë kohësh të vetëm në Libertadores, klubi është rikthyer në krye, siç konfirmohet nga tre finalet e luajtura në katër vitet e fundit, përfshirë edhe atë të humbur në 2021 kundër Palmeiras, të cilit i shtohen dy tituj brazilian dhe po aq Superkupa dhe një kupë kombëtare e fituar në tre vitet e fundit.
Falë edhe investimeve dhe menaxhimit të matur të presidentit Rodolfo Landim, i cili pak ditë pas triumfit në Guayaquil hodhi poshtë zërat për ardhjen e mundshme të Cristiano Ronaldos në Rio de Zhaneiro.
Kampioni portugez mund të largohet nga Manchester United që në janar, ose e shumta në fund të sezonit në skadimin natyral të kontratës, por Flamengo nuk do të jetë destinacioni i tij. Landim, i cili foli në podkastin “Papo Reto”, deklaroi: “Nuk e di nga vjen ky lajm, por kush e ka përhapur ka shumë kreativitet. Kam lexuar në internet që janë gati 247.5 milionë euro për një kontratë dyvjeçare, ose më shumë se 10.2 milionë në muaj. Po flasim për një vlerë shumë më të madhe sa e gjithë paga e Flamengos”.
Landim ndalet edhe tek ana teknike, përpara se të kthehet për të përjashtuar marrëveshjen për arsye ekonomike: “Së pari pyes veten: për cilin vend do të vinte Ronaldo te Flamengo? Për të qenë në stol? CR7 zëvendësues për Pedro apo Gabigol? Nuk mundem. Koha për të menaxhuar gjërat në mënyrë amatore, për të menduar se në të ardhmen do të paguajmë faturat ka mbaruar. Askush këtu nuk do të çmendet dhe ne kurrë nuk do të bëjmë një hap që nuk është i sigurt për klubin”.
Megjithatë, emri i Ronaldos nuk është i vetmi emër i shquar i lidhur me Flamengon. Orët e fundit është përfolur edhe për rikthimin e mundshëm të Neymar në vendlindje, por edhe në këtë rast Landim ka mohuar: “Nuk e di sa fiton Neymar, kam dëgjuar se është afër katër milionë euro në muaj. Ne sigurisht që nuk mund t’i afrohemi”.