Projektet gjermane në Shqipëri
Përmirësim i jetës së njerëzve dhe arritja e standarteve europiane në fokus të projekteve gjermane në Shqipëri.
Në çdo 3 tetor, kur Gjermania feston Ditën Kombëtare, Ditën e bashkimit Gjerman – Tag der Deutschen Einheit- Shqipëria ka një rast më shumë për të parë zhvillimin në rritje të marrdhënieve të bashkëpunimit të saj me Gjermaninë, të cilave u hapi rrugën pikërisht ribashkimi gjerman më 3 tetor 1990. Në këtë ditë historike zë fill intensifikimi i angazhimit gjerman në Shqipëri deri në realitetin e sotëm, të prekshëm: shndërrimin e Gjermanisë në donatorin më të madh për Shqipërinë jo vetëm në nivel dypalësh por edhe në kuadër të BE.
“Gjermania dëshëron një Shqipëri të fortë dhe për këtë arsye ofron mbështetjen e saj për vendin me projekte zhvillimi, që kontribojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe në arritjen e standarteve europiane. Bashkëpunimi dypalësh mes Gjermanisë dhe Shqipërisë po vazhdon prej 25 vitesh dhe në një nivel jashtëzakonisht të lartë, me një angazhim të forte, po të kemi paraysh numrin e popullsisë prej 3 milion banorësh. Kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua nën kujdesin e saj më 28 gushtin e kaluar, në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, dërgoi sinjalin që Gjermania dhe vende të tjera të BE janë shumë të angazhuara për të kontribuar në stabilizimin e situatës në vendet e Ballkanit, e cila ka ecur shumë pozitivisht këto vite. Çështja është të konsolidohet ky progress,” shpjegon për DW ambasadori gjerman në Tiranë, Helmuth Hofffman.
Menaxhim i bregdetit të Dhërmiut, Rivierës së Shqipërisë
Një udhëtim me gazetarë në projektet gjermane në Jug të Shqipërië, i organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë, në kuadër të Tetorit Gjerman 2014, është një mundësi për t’i dhënë përgjigje interesimit sesi projektet i shërbejnë stabilitetit, konsolidimit të progresit, zhvillimit ekonomik dhe paqes.
“Çdo vit qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Shqipërië takohen, diskutojnë dhe bien dakort për projektet që dëshërojnë të realizojnë së bashku por nuk i ndryshojmë prioritetet, ”kuajt” çdo vit. Prioritete mbeten sektori i ujësjellës kanalizimeve, energjia, ndërtimi i linjave të konjeksionit mes Shqipërisë dhe vendeve fqinjë – ka përfunduar ajo me Malin e Zi dhe ka filluar me Kosovën-, po ndërtohet linja unazore e Jugut me 110kV, një nga projektet më të mëdha në historinë e deritanishme të bashkëpunimit Gjermani- Shqipëri. Këtë vit kemi filluar projekte në bujqësi, me një skemë kredish për fermat e vogla dhe të mesme, kemi projekte lidhur me arsimin profesional, por edhe në fusha të tjera si mbrojtja e biodiversitetit. Këtë vit kemi filluar projektin e menaxhimit të bregdetit të Dhërmiut” thotë ambasadori Hoffmann gjatë intervistës për DW në mjediset e kalasë së Gjirokastrës.
Pas përvojave të sukseshme në zhvillimin dhe turizmin rural në Theth, Valbonë dhe Korçë vemendja gjermane u tërhoq nga Rajoni Bregdetar Jugor. Në Maj të këtij viti, gjatë negociatave Gjermani- Shqipëri, të dyja palët ranë dakort që Gjermania të mbështesë modele të zhvillimit të qëndrueshëm rural në Rajonin Bregdetar Jugor me një fond prej 1 milion Eurosh. Projekti do të zbatohet nga GIZ në bashkëpunim me institucionet e qeverisë qëndrore dhe synon t’i sigurojë popullsisë lokale të Rivieres mundësi ekonomike për një kohë të gjatë në të ardhmen dhe të mbrojë burimet natyrore si parakusht thelbësor i qëndrueshmërisë së këtyre mundësive.
Gjirokastra dhe Saranda- magnete turistike
Rehabilitimi tërësor i rrjetit të furnizimit me energji elektrike në zonën bregdetare të Jugut është një tjetër projekt madhor i bashkëpunimit për zhvillim Gjermani – Shqipëri. Me një financim prej 49 milion eurosh nga KfW po shtrihet Linja Unazore e Jugut prej 110kV, linjë e cila përfundon vitin e ardhshëm. Banorëve e Jugut do t’u përmirësohen kushtet e jetesës dhe do të krijohen mundësi të reja për zhvillimin e Turizmit në Rivierën e Shqipërisë. Që nga viti 1988 Gjermania ka financuar me rreth 270 milion Euro sektorin e energjisë në Shqipëri. Në ngritjen e infrastrukturës së duhur për zhvillimin e turizmit bën pjesë edhe projekti që do të fillojë këtë nëntor në Sarandën turistike për furnizimin me ujë të vazhdueshëm për 47 mijë banorët e saj dhe 330 mijë turistë që e vizitojnë çdo vit. Gjermania është donatori më i madh bilateral për Shqipërinë në fushën e ujit me një portofol prej 317,5 milion euro.
Gjirokastra, qyteti muze nën mbrojtjen e UNESCO-s, është një tjetër destinacion për projektet gjermane në fushën e mbështetjes së turizmit. Një projekt pilot na pret në këtë qytet muze: me një financim prej 110 mijë Eurosh janë zëvendesuar llampat egzistuese te ndricimit në zemrën historike të qytetit me llampa energji kursyese 35 Watt të sistemit më bashkëkohor, të njohur me inicialet LED. Moduli i posaçëm është përzgjedhin nga kompania gjermane Radium/Osram dhe jep një ndricim me cilësi të lartë. Nga ky projekt qytetarët e Gjirokastrës dhe turistët shijojnë mbrëmjet në një ndriçim shumë të bukur, ndërsa Bashkia e Gjirokastrës kursen 40-60 % të kostos që duhet të përballojë për ndriçimin e qëndrës historike të qytetit.
“Saranda dhe Gjirokastra mund të jenë vërtet magnete turistike. Saranda ka një peisazh të mrekullueshëm. Gjirokastra është një xhevahir ndër qytetet e tjera turistike të Shqipërisë. Është kënaqësi e veçante që Gjermania kontribon me projektin e ndriçimit dhe të furnizimit me ujë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore që ky qytet ofron, që njerëzit të jetojnë, të lidhen me qytetin e tyre dhe të mos largohen Qytete si Saranda dhe Gjirokastra duhet të ruajnë origjinalitetin e tyre. Në oborret e shtëpive karakteristike gjirokastrite mund të ngrihen restorante të vogla. Këto qytete duhen zhvilluar ekonomikisht, pa shkatërruar autenticitetin e tyre, duhet t’ u krijohen mundësi banorëve që të jetojnë, të ngrejnë familjet e tyre. Duhet një kompromis mes tradicionales dhe modermes “ thotë ambasadori gjerman Helmuth Hoffmann.
Duke soditur peisazhin e rrallë që të ofron Gjirokastra, sokaket me kalldrëm, shtëpitë prej guri, kështjellen e mirëmbajtur ambasadori Hoffmann thotë “tundimi për t’ u larguar është i madh dhe duhet menduar për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe mbajtur banorët në qytetin e tyre”
Drejt arritjes së standarteve europiane
Gjermania është e interesuar edhe për projekte që shkojnë përtej atyre dypalëshe, dritën e gjelbër të të cilave e hapi kancelarja Merkel, në konkluzionmet që ajo i bëri konferencës për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua nën kujdesin e saj, në fund të muajit gusht.
“Ka projekte që shkojnë përtej marrëdhënieve dypalëshe dhe këtu është fjala për infrastrukturën. Është fjala për autostradën Adriatik- Jon dhe komunikacionin hekurudhor. Shqipëria deri më sot nuk është e lidhur me sistemin hekurudhor europian. Sistemi shqiptar i hekurudhave është në një gjendje mjaft të keqe. Nuk e di nëse Shqipëria po tenton të rehabilitojë sistemin e vet hekurudhor por lidhja me sistemin hekurudhor europian është në krye të prioriteteve dhe një opsion tërheqes. Personalisht besoj që autostrada Adriatik –Jon është një projekt shumë i rëndëisishëm për zhvilimin e gjithë rajonit, mjafton të marrim një hartë të Ballkanit Perëndimor për të parë qartë se ka një boshllëk të madh. Ne udhëtuam me gazetarët nga Vlora në Sarandën turistike por në të ardhmen duhet ndërmarrë diçka për një komunikacion përtej kufijve. Vetë vendet e rajonit duhet të ulen dhe të identifikojnë prirotete të tilla si autostrada Adriatik –Jon, vendet e rajonit duhet të caktojnë mes tyre prioritetet, nuk është se mund t’i dërgohet Brukselit një listë me dëshira, “ju lutem bëni këtë apo atë për ne”. Njerëzit këtu duhet të bëjnë punën e tyre, të ulen me vendet fqinje, të bien dakort, është e e rëndësishmje marrja vetë e inisiativave” thotë ambasadori gjerman Hoffmann.