Kronika

Prokuroria kërkon konfiskimin e pasurisë së biznesmenit Kastriot Ismailaj

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e pasurisë së biznesmenit Ismailaj, kompania e të cilit ishte kontraktuar për të mbledhur detyrimet ndaj ish-CEZ, tashmë OSHEE.

Burime zyrtare thanë se në emrin e Ismailajt janë në llogari bankare 18.5 milionë lekë dhe 940 mijë dollarë amerikanë, si dhe investime në Bono Thesari. Për to, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar konfiskimin, bashkë me dy automjetet “Daimler Chrysler” dhe “Volksvagen Pasat”.

Aktualisht Ismailaj është në masën e sigurisë arrest me burg, pasi po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të mashtrimit, me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim.

Prokuroria për Krime të Rënda, rreth një muaj më parë, kërkoi konfiskimin edhe të rreth 3.4 milionë dollarëve, të shpërndara në prona dhe llogari bankare në emër të Ismailajt.

“Deri në këtë fazë të hetimit, në bazë të dy kërkesave dërguar gjykatës, e para në fund të muajit prill 2015 dhe e dyta më 17 qershor të këtij viti, Prokuroria për Krime të Rënda, në cilësinë e strukturës kompetente për kryerjen e hetimeve në kuadër të ligjit ‘Antimafia’, kërkon në total konfiskimin e rreth 4.3 milionë dollarëve, 450 mijë eurove dhe dy automjeteve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kastriot Ismailaj ka qenë administrator i disa kompanive, njëra prej të cilave ka pasur si aktivitet kryesor mbledhjen e borxheve që të tjerët i kishin kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se Ismailaj është ortak apo administrator i disa shoqërive tregtare të regjistruara në Shqipëri, të cilat përgjithësisht nuk kanë aktivitet tregtar, por në llogaritë e tyre janë kryer transaksione financiare që shkojnë në disa milionë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button