Protesta, pelikanët e harruar, vezët mbi deputetë dhe një arkivol
Nga Fatos Çoçoli
Një protestë mund të jetë e gjatë, e zhurmshme dhe e vendosur. Por kjo nuk mjafton që ajo të jetë edhe më bindëse për qindra mijëra qytetarët e Tiranës, që ende nuk i janë bashkuar. Pas 38 ditësh protesta të përditshme në Tiranë, pyetja që shtrohet nuk është vetëm nëse ajo ka arritur të ushtrojë presion politik, por edhe nëse ka ruajtur frymën me të cilën nisi.
Shumë qytetarë që e ndoqën protestën me kërshëri dhe simpati në ditët e para të saj (praktikisht në javën e parë), panë një lëvizje që kërkonte të artikulonte pakënaqësi politike dhe sociale. Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë, kërkesat ishin të qarta dhe vëmendja ishte e përqendruar te kauza. Tani, pas gati një muaji e dhjetë ditësh, qytetarët që flasin në bulevard duket sikur më shumë bëjnë një biznes politik. Mungojnë vetëm molotovët e protestave të opozitës sonë parlamentare.
Çdo protestë lind me një kauzë. Ajo fiton mbështetje kur qytetarët e kuptojnë qartë se përse njerëzit kanë dalë në rrugë. Por një protestë mund të humbasë gradualisht përqëndrimin dhe vlerën e saj, kur kauza zëvendësohet nga spektakli dhe simbolika fillon të dominojë mbi argumentin.
Në javën e parë, në qendër të vëmendjes ishin çështje konkrete, përfshirë debatet mbi mbrojtjen e mjedisit dhe projektet e zhvillimit, me rrezikun e largimit nga habitati i tyre i shpendëve shtegtarë në Lagunën e Nartës, pelikanëve dhe flamingove. Prandaj dhe u quajt revolucioni i flamingove. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme mbi këtë çështje, mesazhi kryesor kishte një identitet të dallueshëm.
Pastaj, për fat të keq, qendra e gravitetit e protestës nisi të zhvendosej. Në vend të argumentit, gjithnjë e më shumë hapësirë zunë provokimi, simbolika e fortë dhe veprimet që prodhojnë tituj mediatikë.
Fillimisht erdhi dhunimi i mjediseve të Universitetit publik Politeknik të Tiranës, për të vendosur një pankartë të protestës, me një protestues me flakadan të zi në shkallët e jashtme të Universitetit, që bëri xhiron e botës si lajm.
Pastaj erdhën vezët e hedhura në drejtim të deputetëve dhe automjeteve të deputetëve pranë Kuvendit. Për shumë qytetarë ky veprim u perceptua si një formë e panevojshme përshkallëzimi, që e largonte misionin e protestës debatin nga argumentet politike.
Më pas erdhi arkivoli i shëtitur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit, në protestën kombëtare të 4 korrikut 2026. Shumë qytetarë e panë si një simbolikë të tepërt, e cila prodhoi pasiguri dhe solli një ngjashmëri të padëshërueshme me një moment të erret të historisë sonë politike, ngjarjet e dhunshme të 14 shtatorit 1998. Për fat të keq, sikurse dhe dihej se do të ndodhte, vëmendja e opinionit publik nuk u përqendrua më tek kërkesat e protestës, por te vetë arkivoli si simbol.
Kur media dhe rrjetet sociale fillojnë të flasin më shumë për vezët, arkivolin apo gjestet provokuese sesa për arsyet që sollën njerëzit në bulevard, atëherë protesta rrezikon të humbasë betejën për narrativën publike.
Historia e protestave në botë tregon se sa më gjatë zgjasin ato, aq më i madh bëhet rreziku i ndryshimit të vëmendjes. Me kalimin e kohës, në to bashkohen individë dhe grupe me ide, interesa dhe metoda të ndryshme veprimi. Nëse organizatorët nuk arrijnë ta ruajnë disiplinën e mesazhit, protesta fillon të identifikohet me episodet më të bujshme, dhe jo me kauzën e saj.
Në fund, qytetarët nuk kujtojnë gjithmonë kërkesat. Shpesh kujtojnë simbolin.
Një protestë që nisi për të ngritur një debat publik mbi çështje politike dhe shoqërore rrezikon të mbahet mend për vezët e hedhura dhe për një arkivol në mes të bulevardit. Kjo nuk do të thotë se kërkesat e saj janë zbehur, por se ato janë lënë në hije, për shkak të formës së protestës.
Demokracia ka nevojë për protesta të forta, këmbëngulëse dhe të guximshme. Por po aq shumë ka edhe nevojë që këto protesta të jenë të afta të ruajnë koherencën e tyre. Simbolet mund të kenë vendin e tyre në jetën politike, por ato nuk duhet të zëvendësojnë argumentin.
Një protestë nuk matet vetëm me numrin e ditëve që zgjat. Ajo matet me aftësinë për të bindur ata që e mendojnë ndryshe, por që sërisht kanë mbledhur shumë pakënaqësi në këta 36 vite tranzicion.
Nëse pas gati një muaj e dhjetë ditë të fillimit të protestës, qytetarët flasin më shumë për flamingon e harruar, për vezët mbi deputetë dhe për një arkivol në Bulevard, sesa për programin, alternativat dhe zgjidhjet që ofron protesta, atëherë është koha për një reflektim të sinqertë.
Jo sepse protesta ka humbur të drejtën e saj për të ekzistuar, por sepse çdo lëvizje qytetare rrezikon të humbasë ndikimin, kur forma fillon të mbizotërojë mbi përmbajtjen e saj.
Kauzat që lënë gjurmë në histori janë ato që mbahen mend për idetë që përfaqësuan, jo vetëm për simbolet që përdorën. Ky është testi me të cilin përballet çdo protestë që synon të ndryshojë realitetin politik dhe shoqëror të vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.