🌤️
Tiranë 37°C · Kryesisht kthjellët 01 August 2026
S&P 500 7,490 ▲0.7%
DOW 52,485 ▲0.53%
NASDAQ 25,374 ▲1%
NAFTA 84.67 ▲1.29%
ARI 4,107 ▼1.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1512 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9451 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4245 EUR/TRY 54.7520 EUR/JPY 182.58 EUR/CAD 1.6142 EUR/USD 1.1512 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9451 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4245 EUR/TRY 54.7520 EUR/JPY 182.58 EUR/CAD 1.6142
₿ CRYPTO
BTC $63,091 ▲ +0.8% ETH $1,870 ▲ +0.82% XRP $1.0642 ▲ +0.43% SOL $72.9400 ▼ -0.04%
S&P 500 7,490 ▲0.7 % DOW 52,485 ▲0.53 % NASDAQ 25,374 ▲1 % NAFTA 84.67 ▲1.29 % ARI 4,107 ▼1.29 % S&P 500 7,490 ▲0.7 % DOW 52,485 ▲0.53 % NASDAQ 25,374 ▲1 % NAFTA 84.67 ▲1.29 % ARI 4,107 ▼1.29 %
EUR/USD 1.1512 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9451 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4245 EUR/TRY 54.7520 EUR/JPY 182.58 EUR/CAD 1.6142 EUR/USD 1.1512 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9451 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4245 EUR/TRY 54.7520 EUR/JPY 182.58 EUR/CAD 1.6142
01 Aug 2026
Breaking
Opinion

Protesta si shpresa e fundit në një vend të bllokuar!

Nga Agron Gjekmarkaj

Një vend i marrë peng. Një popull i papërfaqësuar. Një Shqipëri e bllokuar në zgjedhje, e bllokuar në rotacionin politik, e bllokuar në institucione, e bllokuar në rrugë e trafik, e bllokuar nga korrupsioni dhe nga banaliteti i një pushteti që ka zëvendësuar lirinë me nënshtrimin.

Gjithçka duket e kapur. Pluralizmi është reduktuar në minimum. Arsimi po rrënohet në çdo nivel, duke prodhuar diploma false, shëndetësia nuk u përgjigjet aspak nevojave të qytetarëve, ekonomia e monopoleve, me një euro të zhvlerësuar, favorizon një kastë të lidhur me pushtetin, ndërsa vendi po shpopullohet me ritme alarmante.

Reforma si kjo e territorit janë kthyer në pseudoreforma, operacione elektorale për të betonuar pushtetin. Të diturit nuk dëgjohen më, të ndershmit përjashtohen, profesionistët zëvendësohen nga patronazhistët e partisë.

Qeveria nuk kërkon të fitojë përballë opozitës në një garë të lirë politike, por ta nxjerrë atë jashtë loje me mjete ekstra-politike, jo vetëm ligjore, por edhe në aleancë të ngushtë me botën e krimit dhe narkotrafikut.

Si pasojë, një pjesë e madhe e shqiptarëve ndihen të papërfaqësuar. Partia Socialiste është shndërruar në instrumentin që i jep gjithçka një kaste të ngushtë, qendrore dhe lokale.

Në 36 vite pluralizëm, Shqipëria nuk ka njohur një pushtet kaq të përqendruar dhe kaq piramidal. Presidenti i Republikës është kthyer në një figurë mjerane, pa rol real. Kryeministri ka atribute mbretërore të shekullit XV.

Pa pasur nevojë, morën edhe Avokatin e Popullit, thjesht për mujshari publike.

Institucionet e pavarura nuk ekzistojnë më si të tilla; ato janë shndërruar në instrumente të Partisë Socialiste dhe të pushtetit ekzekutiv, si dikur bashkimet profesionale, bashkimet e grave apo organizata të tjera në raport me PPSH-në.

E vetmja njollë pluralizmi që ka mbetur në vend është opozita në Parlament, e cila padrejtësisht shpesh paragjykohet, keqgjykohet apo i vihet shenja e barazimit.

Çdo forcë e madhe apo e vogël opozitare, çdo segment apo grup duhet ta tejkalojë vetveten dhe të bashkohet në një front, pa “ndoshta”, pa “sikur”, pa meskinitete të vogla.

Inxhinieria elektorale dhe politike, nën heshtjen e shoqërisë, e ka vënë atë në provën e ekzistencës. Tani ky zgjim prodhon një shpresë të madhe.

“Besa” dhe “Prania Besnike” janë shndërruar në dy monumente të hipokrizisë dhe folklorit politik. Ato janë retorikë halli.

Ato nuk simbolizojnë besimin, por frikën; nuk përfaqësojnë përkushtimin ndaj qytetarëve, por nevojën për të mposhtur ankthin që protesta ka krijuar.

Sot qeveria dhe kryeministri Edi Rama nuk janë më përballë vetëm opozitës, por përballë popullit.

Përballë qytetarëve që kërkojnë llogari, përballë të rinjve që largohen, përballë familjeve që humbin shpresën, përballë shtresës së mesme që varfërohet, përballë të varfërve që zemërohen, përballë intelektualëve që janë lodhur nga heshtja dhe konformizmi, përballë qytetarëve që duan të ruajnë dinjitetin e tyre individual mbi parime kushtetuese dhe dinjitetin e Republikës.

Historia ka treguar se zakonisht ikin qeveritë e këqija dhe mbetet shoqëria. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta: ka rezistuar qeveria, ndërsa është larguar shoqëria.

Kjo është drama më e madhe e këtyre viteve, një paradoks sa politik, aq edhe kulturor, një pikëpyetje e madhe për një popull të lashtë.

Prandaj protesta mbetet shpresa e fundit dhe forca më e madhe emancipuese e qytetarëve.

As vapa, as shiu, as frika nuk duhet ta ndalin. Historia na ka mësuar se veprimet gjysmake dhe dialektika e tejzgjatur kanë favorizuar më shumë represionin dhe autoritarizmin në fazën e mëpasshme.

Është koha për një kthesë historike, për rikthimin e pluralizmit, të lirisë politike dhe të një shteti që u shërben qytetarëve, jo një pakice që e konsideron pushtetin pronë të saj dhe qytetarin një instrument pa emër në shërbim të ambicieve të veta.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.