Protestuesit t’ja kthejnë mbrapsht Ramës: “shko ti …!”.

Edi Rama ka ngelur pa gjumë.
Jo sepse, siç thotë ai, fle i fundit dhe zgjohet i pari nga pesha e punëve që ka për të bërë.
Ai ka mbetur pa gjumë sepse prej katër javësh njerëzit po i qëndrojnë përballë duke ia shembur mitin e pushtetit të pathyeshëm dhe të pakufishëm, të cilin e ka ndërtuar me koston e jetëve shqiptare të shkuara dëm.
Edi Rama tani ka frikë se nuk është më, se nesër nuk do të jetë më dhe se, kur të mos jetë më, nuk dihet çfarë do të ndodhë me të.
Edi Rama tani është një njeri si në fillimin e karrierës së tij, i vetëm dhe lakuriq — më në fund ai ka kuptuar, si kurrë më parë, se pushteti që u ka grabitur qytetarëve do t’i ikë nga duart.
Si dikush që e di se çfarë ka bërë dhe se çfarë mund t’i ndodhë për atë që ka bërë, nga makthi dhe paranoja shpërfaq çdo ditë personalitete të shumëfishta.
Një çast ai i shkruan letër një protestuesi duke i thënë se ia kuptonte zemërimin dhe hallin “me pronarin që të trajton si robot dhe që nuk paguan orët jashtë orarit”, apo “hallin e shëndetit në familje”, hallin me shtëpinë, me tokën etj. etj.
Pak orë më vonë, gazetarit të Financial Times i shpreh urrejtjen për protestuesit dhe u thotë atyre në anglisht “të shkojnë të q…”.
Një çast përshfaqet i përulur, si njeriu që tek protestuesit sheh veten, duke u betuar se është vetëm ai njeriu që mund t’u zgjidhë hallet e tyre, ndaj duhet të kthehen në shtëpi, pasi të tjerët po i përdorin.
Një çast tjetër, përshfaqet me arrogancën dhe vulgaritetin që e karakterizon.
Në fakt, Edi Rama i vërtetë nuk është tek ato që shkruan, por tek ato që bën.
Si qarës hallesh, Edi Rama ka një talent që nuk gjen të dytë, jo vetëm në Shqipëri.
Kjo buron edhe nga fakti i patjetërsueshëm se ai është vetë shkaku i halleve të tyre.
Prej 13 vitesh është Edi Rama personalisht që ka përcaktuar politikat e qeverisjes, ka marrë vendime për taksat dhe për buxhetet, ka vendosur hallet e kujt duhet të zgjidhë: të pronarit të pasur apo të hallexhiut të protestës në trotuar.
As ka pyetur kënd dhe as i ka marrë leje askujt për këto vendime.
Përkundrazi, edhe kur i kanë kërkuar të japë shpjegime, ka tundur me arrogancë mandatet e deputetëve, ka zhdukur fare transparencën dhe ka përqafuar edhe më fort monopolet dhe pronarët e pasur.
Vetëm nga një numër shumë i vogël i dosjeve të SPAK-ut, shqiptarët po mësojnë se si Edi Rama ka krijuar, forcuar e kthyer në sistem sundimin e një pakice mbi shumicën.
Se si ai ka lejuar fshirjen e çdo kufiri mes krimit të organizuar, politikës dhe biznesit.
Mjafton vetëm një fakt për të vërtetuar atë që të gjithë e perceptojnë dhe shumë e thonë: fluksi i parave që po kthehet në beton në të gjithë Shqipërinë vjen nga trafiqet e dhjetëra tonelatave kokainë.
Është Edi Rama që ka ndarë parcelat ku ndërtohet, ka ndarë kush i ndërton dhe ka vendosur deri edhe studio arkitekturore të huaja që duhet të bëjnë projektin sipas shijeve të tij.
Vetëm në dy javët e fundit, SPAK-u ka sekuestruar pasuri dhe llogari me vlerë mbi 278 milionë euro.
Më 16 qershor u sekuestruan mbi 150 milionë euro dhe u vendos sekuestro mbi 491 pasuri, që përfshijnë hotele, komplekse rezidenciale, kantiere ndërtimi, biznese dhe llogari bankare.
U sekuestrua një kompani e madhe ndërtimi, përfituese e dhjetëra tenderave dhe lejeve të dhëna nga qeveria e Edi Ramës me firmën e vetë Edi Ramës.
Më 12 qershor u sekuestruan mbi 128 milionë euro dhe asete biznesi në një tjetër operacion të madh kundër grupeve kriminale dhe pastrimit të parave nga trafiqet e drogës.
Ky operacion i fundit preku edhe pronarët e tokës së pretenduar të Zvërnecit, që ia shitën atë investitorëve të pretenduar të Edi Ramës për investimin që, sipas tij, do të ndryshonte turizmin në Shqipëri e Mesdhe.
“Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i të gjithë kësaj. Unë u them atyre shkoni q… Kaq e thjeshtë!” — i tha ai Financial Times, ndoshta gazetës më të rëndësishme të Europës. “Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam unë Padrinoja, është detyra e tyre të provojnë se unë jam Padrinoja.”
Në fakt, Edi Rama është Padrino. Edi Rama e di se çfarë ka bërë.
Poshtë maskës së dhimbshme që shfaq për hallet e protestuesit, është arroganti dhe përçmuesi ai ndaj protestuesit dhe shokëve të tij. Për të, ata janë të padukshëm, nuk ekzistojnë, ai nuk ka qeverisur kurrë për ta.
Prandaj, kur ai i shkruan protestuesit se ia kupton hallin me “nëpunësin a me drejtorin që pronarit të pasur i shërben pa kushte, ndërsa ty as nuk të hedh sytë”, i flet subkoshienca.
Sepse nëpunësi dhe drejtori është ai vetë, që deri tani i ka shërbyer një pakice pa kushte — atyre që kanë ardhur me thesin e parave.
Të gjitha hallet që ka protestuesi, ai jo vetëm që nuk i ka zgjidhur, por ua ka shtuar në 13 vitet që ka qeverisur.
Dhe njerëzit nuk kanë se çfarë të provojnë më shumë nga sa është provuar.
Ndaj ka ardhur koha që njerëzit t’ia kthejnë mbrapsht përshëndetjen Ramës: “shko ti …!”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.