“Zelensky promovoi narrativën e Beogradit kundër Kosovës”, Joseph: Serbia vazhdon t’i qëndrojë besnike Rusisë dhe Kinës
Vizita e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Serbi, e konsideruar si një hap diplomatik për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka nxitur reagime dhe polemika në Ballkan.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins SAIS në Uashington, vlerëson se vizita e Zelenskyt i ka shërbyer interesave të Ukrainës, por njëkohësisht i ka dhënë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një mundësi për ta forcuar pozicionin e tij politik.
Në një analizë të publikuar për “Vox Ukraine”, Joseph shkruan se Serbia vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm për Rusinë dhe Kinën në Ballkan, edhe pse përmes vendeve të treta furnizon Ukrainën me sasi të konsiderueshme municionesh.
Sipas tij, kjo situatë e ka vendosur Beogradin në një pozitë paradoksale, pasi Serbia vazhdon të bashkëpunojë me Ukrainën, ndërsa në të njëjtën kohë refuzon t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Joseph thekson se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe diplomacia ruse e kanë kritikuar vazhdimisht Serbinë për furnizimin e Ukrainës me municione. Ai përmend edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se do të ishte e papranueshme që Serbia të merrte pjesë në armatosjen e Ukrainës.
Megjithatë, eksperti amerikan argumenton se vizita e Zelenskyt nuk do ta ndryshojë orientimin strategjik të Serbisë.
“Përpara vizitës, Vuçiq e bëri të qartë se Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për sanksionet ndaj Rusisë”, shkruan Joseph.
Ai shkon edhe më tej, duke thënë se Beogradi nuk mund të shkëputet plotësisht nga Moska, pasi një gjë e tillë do të nënkuptonte reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, të cilat, sipas tij, regjimi aktual nuk është i gatshëm t’i zbatojë.
Një nga kritikat më të forta në analizë lidhet me deklaratën e Zelenskyt për Kosovën.
Joseph vlerëson se presidenti ukrainas gaboi kur e krahasoi qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës me respektimin e integritetit territorial, duke theksuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, duke e përsëritur narrativën serbe për Kosovën, Zelensky ka rrezikuar të forcojë argumentet e Kremlinit, i cili prej vitesh e përdor çështjen e Kosovës për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.
Në përfundim, Joseph argumenton se Ukraina duhet ta rishqyrtojë qasjen e saj ndaj Kosovës, duke theksuar se njohja e shtetit të Kosovës do t’i shërbente interesave strategjike të Kievit dhe do të ndikonte edhe në ndryshimin e qëndrimit të disa vendeve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.