Kosova

Qeveria gjermane për Express: Integriteti i Kosovës nuk duhet të preket

Dy ditë më parë në Kosovë qëndroi kancelari austriak Sebastian Kurz. Ai tha se BE nuk duhet ta pengojë një marrëveshje Kosovë –Serbi edhe nëse nënkupton ndryshimin e kufirit. Këto mesazhe Kurz pikësëpari ia dërgoi Gjermanisë, e cila mbetet një kundërshtare e ashpër e kësaj ideje. Gazeta Express ka kontaktuar Zyrën Federale për Media pas vizitës së zyrtarit të lartë austriak. Në Berlin thonë se Kancelarja Merkel nuk e ka ndryshuar qëndrimin që integriteti territorial i Kosovës nuk duhet të preket

Qeveria Gjermane mbetet e pa lëkundur në qëndrimin kundër korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi

Qëndrimi i Gjermanisë së kancelares Angela Merkel kundër idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes përfundimtare mbetet i pa ndryshuar.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar një zëdhënës i Qeverisë gjermane, duke thënë se për çështjen e lëvizjes së kufijve, Gjermania mbetet e pa lëkundur.

“Pozicioni i Qeverisë Federale nuk ka ndryshuar. Kancelarja ka bërë disa deklarata radhazi për këtë çështje, duke e bërë të qartë se sa i rëndësishëm është integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor për Qeverinë Federale të Gjermanisë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të qeverisë së kancelares Merkel për Gazetën Express.

Sa i përket vazhdimit të dialogut dhe arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Qeveria Gjermane thotë se është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje e pranueshme për dy palët dhe që do të normalizonte raportet ndërmjet dy vendeve.

“Për Qeverinë Gjermane është kruciale që marrëveshja për normalizimin e raporteve të jetë e pranueshme për të dy palët, në këndvështrimin e Qeverisë Gjermane. Prandaj ne fuqimisht  mbështesim përpjekjet e BE-së për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë Gjermane.

Të pyetur nëse qëndrimet e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, përfaqësojnë edhe qëndrimin e të gjithë BE-së për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, nga Qeveria Gjermane thonë që është më mirë që për këtë çështje të pyetet qeveria e Austrisë.

“ Ju lutemi që për këtë pyetje t’i drejtoheni qeverisë austriake”, thuhet në përgjigjen për Gazetën Express.

Gjatë vizitës së të martës në Kosovës, kancelari Austriak i cili foli edhe si përfaqësues i BE-së, tha se mbështet çfarëdo marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, pa përjashtuar edhe korrigjimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy shteteve.

Këto deklarime Kurz i kishte bërë gjatë një konference për media së bashku me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin.

Austria e kancelarit Kurz ishte edhe organizatore e forumit të Alpbachut, aty ku dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, prezantuan idenë e tyre të përbashkët për korrigjim të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve si pjesë e marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve.

Por një ide e tillë, përveç kancelares Merkel, ishte kundërshtuar edhe nga shumë ish-diplomatë të Bashkimit Evropian, të cilët ngritën shqetësimet e tyre se një nismë e tillë në një rajon fragjil si Ballkani mund të jetë nxitje për ndarje të tjera në rajon.

Edhe faktori politik në Kosovë është unik sa i përket idesë për korrigjim të kufijve. Të gjithë e kundërshtojnë, përveç presidentit Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradianj, kishte thënë se një ide e tillë për prekje të kufijve është thirrje për luftë.

E partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin organizuar një protestë masive në kundërshtim të kësaj ideje të Thaçit.

Përveç protestës në Kuvendin e Republikës së Kosovës u dërgua një rezolutë e cila do t’ia ndalonte Thaçit të dialogonte për kufijtë e Kosovës në Bruksel. Megjithatë ajo rezolutë nuk mori votat e mjaftueshme dhe nuk u përkrah as nga partitë në pushtet, të cilët më herët bënë përpjekje për krijimin e një grupi uniteti që do të udhëhiqte bisedimet me Serbinë në krye me Fatmir Limajn.

Edhe përkundër gjithë këtyre nismave për të penguar Thaçin, ai sot do të udhëtojë në Bruksel për takimin e radhës me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Nuk dihet ende nëse në agjendë të këtij takimi do të jetë edhe ideja për korrigjim të kufijve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button