Qeveria i kalon shërbimin e “zhvillimit të tenderave” privatit kundrejt pagesës
Institucionet shtetërore që angazhohen drejtpërdrejt në zhvillimin e tenderave për marrjen e shërbimeve për institucione të tjera nuk janë një praktikë e panjohur. Por një propozim i ri në ligjin “Për prokurimin publik” i nxjerrë për konsultim parashikon që shërbimin e zhvillimit të tenderëve institucionet mund t’ja ngarkojnë tashmë edhe kompanive private.
Kjo do të ofrohet kundrejt një tarife të rënë dakord paraprakisht.
Konkretisht institucionet publike ose private mund të ofrojnë atë që quhet veprimtari ndihmëse për prokurimin publik dhe që sipas përcaktimeve të bëra në nenin 4 pika 43/1 janë
(a) platforme elektronike, që u mundëson autoriteteve ose enteve kontraktore që të japin kontrata publike ose të lidhin marrëveshje kuadër për punë, furnizime ose shërbime;
(b) konsulencë për përgatitjen e procedurave të prokurimit publik;
(c) përgatitjen dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit në emër dhe për llogari të autoritetit ose entit kontraktor në fjalë”.
Kjo kategori do të njihet në ligj si ofrues i shërbimit të prokurimit dhe që sipas draftligjit është “subjekt publik ose privat, i cili mund të kontraktohet nga autoriteti ose enti kontraktor me qëllim realizimin e një veprimtarie ndihmëse për prokurimin publik”.
Entet publike, vendase ose të huaja, që kanë në fushën e veprimtarisë së tyre kryerjen e veprimtarive ndihmëse për prokurimin publik, sipas parashikimeve të nenit 4, pika 43/1 të këtij ligji, mund të jenë ofrues i shërbimit të prokurimit.
Sipas pikës 3 të nenit 21/1 që shtohet në ligjin aktual “në rastin kur, ofruesi i shërbimit të prokurimit kontraktohet për përgatitjen dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit në emër dhe për llogari të autoritetit ose entit kontraktor në fjalë, ai do të sillet si autoritet ose ent kontraktor”.
Në një tjetër nen të ri që është ai 21/2 përcaktohet mënyra sesi bëhet përzgjedhja e Ofruesit të shërbimit të prokurimit.
“1. Kontraktimi i subjekteve, ofrues të shërbimeve të prokurimit vendoset nga autoriteti ose enti kontraktor rast pas rasti, për objekte, ku vlerësohet e rëndësishme marrja e një ekspertize të jashtme.
2. Në rast se, autoriteti ose enti kontraktor vendos të kontraktojë një subjekt privat, për përzgjedhjen e tij duhet t’i referohet procedurave të parashikuara nga dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Përjashtimisht, kur vlera e përllogaritur e këtij shërbimi është nën kufirin e lartë monetar, autoritetet ose entet kontraktore nuk kanë detyrimin që të zbatojnë procedurat e parashikuara nga ky ligj. Në çdo rast, në dhënien e kontratave duhet të respektojnë parimet e përzgjedhjes të parashikuara në nenin 3 të këtij ligji.
1.Tarifa për kryerjen e veprimtarive ndihmëse për prokurimin publik, nga ofruesi i shërbimit do të jetë deri ne 1 % të vlerës së përllogaritur të kontratës që do të prokurohet.
Pagesa për kryerjen e veprimtarive ndihmëse sipas përcaktimeve të nenit 4, pika 43/1 të këtij ligji, mund të bëhet nga autoriteti ose enti kontraktor dhe/ose operatori ekonomik, sipas rregullave që përcakton Këshilli i Ministrave” thuhet në këtë nen.
Një tjetër pikë që ndryshon në ligj është ajo për institucionet e vogla apo që kanë më pak se 15 punonjës tenderët e të cilëve nëse nuk janë blerje të vogla zhvillohen nga autoritetet eprore. Aktualisht në vend Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit zhvillojnë procedura prokurimi për shërbimet që duhet të marrin institucione të tjera në vend.