Ekonomia

Qeveria rrit pagën minimale në 26 mijë lekë, Biznesi: Nuk jemi konsultuar, kjo është goditje për biznesin prodhues

Qeveria ka vendosur në mbledhjen e saj të fundit rritjen e pagës minimale me 8.3%, nga 24 mijë në 26 mijë lekë. Kjo rritje e ka kapur të papërgatitur biznesin.

I kontaktuar nga “Monitor”, Alban Zusi tha se qeveria nuk është konsultuar, dhe se ky vendim godet biznesin prodhues dhe eksportuesit.

“Bizneset po detyrohen që të rrisin pagën artificialisht. Automatikisht po krijohet një kosto ekstra për kompanitë. Kompanitë e rrisin pagët për të qenë konkurrues me qëllim që të marrin punëtorët më të mirë, por rritja duhet të vijë duke i krijuar mjedis të përshtatshëm për të bërë biznes kompanive”, – tha Zusi.

Zusi përllogarit se 10-15% e punëtorëve në sekor janë në pagë minimale, dhe vendosja e pagës minimale iu rrit kostot artificialisht.

Rritja e tavanit të pagës minimale thellon paaftesinë e biznesit për të qenë konkurrues dhe gjithashtu minimizon aftësitë për të riinvestuar edhe për të hapur vende të reja pune, shtoi Zusi.

Ky vendim është marrë ose për të mbushur arkën, ose për të bërë politikë populiste.

“Paga minimale nuk rriet me udhëra administrative, por duke krijuar mjedisin e përshtatshëm për bizneset për t’u rritur. Tregu i punës është jashtëzakonisht konkurrues, pasi ne luftojmë për të mbajtur punonjësit. Ky vendim prek më së shumti bizneset eksportuese”.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, është i mendimit se paga duhet të vendoset nga tregu. Vendosja e këtij tavani me udhër administrativ sjell abuzime me tregun. Tavani ka bërë qeë ekonomia të marre minimumin e mundshëm.

Në 4-5 vitet e fundit nuk ka pasur rritje page, kjo do të jetë një koso ekstra. Për kompanitë fason, rritja e pragut të pagës minimale do të jetë shqetësim. Mbase ky vendim po merret në këtë moment për të mbushur gropën në  fondet e pensioneve. Për ne do të ishte shumë mirë që të rritej pragu prej 30 mijë lekësh në 40 mijë lekë i tatimit mbi të ardhurat personale, e cila do të bënte vërtetë një diferencë, – tha Hoxha për “Monitor”.

Vendimi:  

PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë.
  2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
  3. Paga bazë minimale orare të jetë 149 (njëqind e dyzet e nëntë) lekë.
  4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
  5. Vendimi nr.399, datë 3.5.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2019.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button