Qeveria shton 40 milionë lekë për sportistët elitarë, rriten shpërblimet dhe mbështetja për sportin
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se Qeveria Shqiptare po vijon të rrisë investimet në sport, duke e konsideruar mbështetjen për sportistët një prioritet të rëndësishëm.
Përmes një njoftimi në rrjhetin social Facebook, Gonxhja tha se me aktin normativ të fundit është miratuar një fond shtesë prej 40 milionë lekësh për sportistët elitarë, çka, sipas tij, forcon sistemin e shpërblimeve për ata që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Me këtë shtesë, fondi i parashikuar për shpërblimet e sportistëve gjatë vitit 2026 praktikisht dyfishohet.
Ministri bëri të ditur se masat e reja parashikojnë më shumë mbështetje për sportet joolimpike dhe trajnerët shqiptarë, rritje të trajtimit ushqimor ditor për sportistët, si dhe shpërblime më të larta për rezultatet e arritura në Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Evropiane, Mesdhetare dhe Ballkanike.
Po ashtu, sipas Gonxhes, është hartuar edhe një skemë më e favorshme për sportet që përfshijnë disa disiplina. Ai theksoi se këto masa janë pjesë e një angazhimi më të gjerë të qeverisë për zhvillimin e sportit, duke nënvizuar se buxheti i shtetit për sportin në vitin 2026 do të rritet me 32 për qind, niveli më i lartë i mbështetjes financiare ndër vite.
“Sporti nuk është vetëm sukses në gara, por një investim te të rinjtë, promovim i Shqipërisë, zhvillim ekonomik dhe krenari kombëtare”, shkruan Gonxhja.
Postimi i plotë:
Me aktin normativ të fundit është shtuar edhe një fond prej 40 milionë lekësh për sportistët elitarë, duke forcuar sistemin e shpërblimeve për ata që ngrenë flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Praktikisht duke e dyfishuar për vitin 2026 fondin e parashikuar për shpërblimet.
-Më shumë mbështetje për sportet joolimpike dhe trajnerët shqiptarë.
-Rritje e trajtimit ushqimor ditor për sportistët.
-Shpërblime më të larta për rezultatet në Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Evropiane, Mesdhetare dhe Ballkanike.
-Skemë më e favorshme për sportet me disa disiplina.
Këto masa janë pjesë e një angazhimi më të gjerë, ku buxheti i shtetit për sportin në vitin 2026 rritet me 32%, niveli më i lartë i mbështetjes financiare ndër vite. Sporti nuk është vetëm sukses në gara, por një investim tek të rinjtë, promovim i Shqipërisë, zhvillim ekonomik dhe krenari kombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.