Ragime të ashpra pas takimit Thaçi-Putin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do ti njoftojë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për takimin që zhvilloi në Paris me Presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Opozita reagon ashpër.
Në Prishtinë partitë politike opozitare nuk e kanë pritur mirë takimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Të dy presidentët Thaçi dhe Putin u takuan në ceremoninë qendrore në Paris, në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Për këtë takim, pas disa takimeve që presidenti i Kosovës zhvilloi me disa liderë shtetesh, e bëri publik vet Thaçi, duke publikuar edhe fotografi me Putinin në profilin e vet social. Presidenti i Kosovës shkroi se “takimi u përqendrua në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje detyruese gjithëpërfshirëse”.
“Thaçit nuk mund t’i besohet”
“Për këtë çështje, Putin ishte i qartë, nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”, shkroi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ky takim i presidentit të Kosovës me atë të Rusisë Vlladimir Putin, nuk u prit mirë në Prishtinë nga partitë politike opozitar. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një konferencë për media se “Presidentit të Kosovës nuk mund t’i zihet besë”.
“Kemi një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë se as çka ka folur atje, as çka nuk ka folur në Paris, pasi ndryshe deklarohet këtu e ndryshe atje. Është mirë që presidenti Putin është deklaruar në mënyrë të tillë, në qoftë se është deklaruar. Por, unë jam i bindur se nuk mund të arrijmë marrëveshjen me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh e as për njohje reciproke pa angazhim të fuqishëm të SHBA-së”, u shpreh Isa Mustafa. Kryetari i LDK-së, pas një takimi që zhvilloi me kryesinë e partisë së tij, tha se “dialogu me Serbinë është i papranueshëm përderisa, Serbia e pengon Kosovën në arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë”, prandaj sipas tij, Presidenti i Serbisë nuk mund të vë kushte.
“Nuk është (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq ai që të vë kushte për dialogun dhe për atë që duhet të ndryshojë Kosova në qëndrimet e saj, por është Kosova, e cila duhet të kërkojë të mos vazhdojë dialogu përderisa Serbia nuk e ndërprenë fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës”, tha Isa Mustafa.
Kurti: Thaçi mund të kërkojë azil në Rusi
I ashpër në reagimin e tij lidhur me takimin e Thaçit me Putin, ishte lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, i cili thotë se “presidenti Thaçi nuk mund të bëjë marrëveshje për Kosovën”. “Pas shumë lëshimeve që i ka bërë Vuçiqit, Thaçi është fotografuar me Putinin. Ai mund të bëjë marrëveshje me të vetëm për kërkesën personale për azil politik në Rusi”, shkroi Albin Kurti.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas kthimit të tij nga Parisi tha se do t’i takojë një nga një udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për ti njoftuar me takimet që ka zhvilluar në Paris dhe bisedat që ka pasur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Presidenti Thaçi vazhdon të këmbëngulë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë, ku do të mund të përfshihej edhe korrigjimi i territorit, përkatësisht bashkimi me Kosovën i Luginës së Preshevës. Kjo ide ka ndarë skenën politike kosovare ku partitë opozitare po kërkojnë miratimin e një rezolute në Kuvend që do t’ia “ndalonte”, siç thonë, presidentit të flasë për kufijtë e Kosovës.
Reagon edhe Beogradi
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka komentuar me tone cinike takimin dhe fotografimin e Thaçit me Putinin. Vuçiq tha se presidenti i Kosovës “mund të vrapojë sa të dojë pas Putinit dhe të fotografohet me te”, por Rusia nuk do ta ndërrojë mendimin dhe nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Ngjashëm është shprehur edhe ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin.