Rama në Bruksel, Lajçak e uron për fitoren: Diskutuam mbi rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel. Rama ka publikuar foto nga takimi në Bruksel ku shihen edhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanovic së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Lajçak e ka përgëzuar Ramën për fitoren e mandatit të tretë qeverisës.
Po ashtu Lajçak tha se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit rajonale dhe rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Kënaqësi që u takova përsëri me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E përgëzova për fitoren e tij në zgjedhje dhe diskutova mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, shprehet Lajçak.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell para takimit u shpreh se, “sot unë do të pres të gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një traditë. Një traditë e organizimit të rregullt të takimeve joformale për rajonin dhe me rajonin. Unë do ta kthej këtë traditë sërish”.
“Duke pasur parasysh se është një takim jozyrtar, kjo na jep një mundësi për të diskutuar hapur se si e shohim situatën dhe sfidat e rajonit të Ballkanit Perëndimor – një rajon me të vërtetë strategjik për Europën”, tha Borrell.
“Ne gjithashtu duhet të hedhim një vështrim në peizazhin e gjerë politik të rajonit. Jo vetëm nga pikëpamja e integrimit, e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por nga qasja gjeopolitike e të gjithë rajonit”, u shpreh ai.
“Ne organizuam javën e kaluar në Këshillin e Punëve të Jashtme diçka si kjo, por ky ishte një takim zyrtar i Ministrave të Jashtëm të BE-së , ku ne e konsideruam Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e Bashkimit Europian dhe ramë dakord për të rritur angazhimi ndaj rajonit. Për këdo që e kupton dinamikën e rajonit, kjo është e padiskutueshme, por ne duhet ta bëjmë atë të dukshme. Dhe sot në këtë darkë me gjashtë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor ne do ta bëjmë të dukshme”, theksoi ai.
“Ministrat e Jashtëm të BE-së gjithashtu mbështetën angazhimin tonë të fortë dhe të gjerë politik. E përsëris, ajo shkon përtej zgjerimit. Shumë herë, kur flasim për Ballkanin, njerëzit e kuptojnë që ne do të flasim për integrimin – nëse do të bëhet shpejt ose ngadalë, kur do të hapen dhe mbyllen kapitujt… Kjo është e rëndësishme, por sot ne do të kemi një qasje më të gjerë, një qasje gjeopolitike ndaj rajonit dhe duke mos u përqendruar vetëm në zgjerimin, megjithëse Komisioneri i ngarkuar për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, do të marrë pjesë gjithashtu në takim”, shtoi Borrell.
Ai theksoi se, “qëllimi kryesor është që të kontaktojmë partnerët tanë rajonalë, të dëgjojmë pikëpamjet e tyre, të kuptojmë shqetësimet e tyre, të kuptojmë idetë e tyre dhe të reflektojmë së bashku se si mund të punojmë më mirë së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët”.
“Shpresoj që ky shkëmbim të na ndihmojë të kuptojmë më mirë dinamikën e rajonit dhe siç thashë se si mund të punojmë së bashku për të adresuar këto sfida më të gjera gjeopolitike me të cilat ato përballen sot”, përfundoi Borrell.
Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi gjatë fjalës së tij tha se, “ky është një tjetër hap i rëndësishëm për ne që ky të jetë viti i Ballkanit Perëndimor, kemi shumë për të punuar dhe për të arritur së bashku, dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë qoftë për marrëdhëniet bilaterale, qoftë për dialogun Serbi-Kosovë dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare. Përshpejtim i procesit për ato vende që i kanë hapur tashmë negociatat dhe aplikimin e metodologjisë së re. Ne kemi në dorë të gjithë letrat e duhura dhe duhet t’i përdorim ato në formën e duhur që këtë vit ta shpallim vitin e Ballkanit Perëndimor”.