Rama takim me ministrat në ‘Vilën 30’, në fokus analiza dhe koordinimi i punës
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me ministrat në Vilën 30, në kuadër të analizës së punës dhe raportimeve periodike të kabinetit qeveritar.
Ky takim është pjesë e mbledhjeve rutinë që kreu i maxhorancës zhvillon me anëtarët e qeverisë, me fokus vlerësimin e performancës dhe koordinimin e mëtejshëm të punës.
Gazetarja Denada Shkodrana raporton se takimi ka nisur rreth orës 9 të mëngjesit, ku ministri i Brendshëm, Besfort Llamari, ishte i pari që mbërriti në Vilë e më pas ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me përfaqësues të kabinetit të tij.
Sipas gazetares, dy ministrat e lartëpërmendur do të raportojnë sot në takimin me kryeministrin Edi Rama.
Takimi i ministrit Llamari lidhet edhe me zhvillimet në Ministrinë e Brendshme, ku pritet të zgjidhen dy drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit: drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i Policisë së Tiranës. Në takim ka qenë gjithashtu edhe drejtuesi i kompanisë shtetërore të Policisë.
“Këto takime sistematike shërbejnë për koordinimin e punës së ministrave dhe për zgjidhjen e problematikave që hasin qytetarët, si dhe për raportimin mbi ecurinë e dikastereve. Ministrat janë gjithashtu të angazhuar në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjen e strukturave të saj, përveç detyrave kushtetuese si ministra”, tha gazetarja në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vila 30.
Qëndrimi i ministrave në Vilë parashikohet të zgjasë deri në orën 12, ndërsa javën e kaluar disa prej tyre zhvilluan takime të ngjashme për të bërë raportime të detajuara mbi ecurinë e punës së dikastereve.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, u zhvillua edhe mbledhja e Partia Socialiste e Shqipërisë, ku u morën vendime për ndryshimin e drejtuesve politikë në gjashtë qarqe të vendi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.