Reja përpara Katarit: Këto miqësore ndihmojnë lojtarët e Superiores
Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Edoardo Reja ka dalë në një konferencë për shtyp në funksion të miqësores me Katarin që do të luhet në datën 9 nëntor në Spanjë. Italiani theksoi ndër të tjera se lojtarët e grumbulluar kanë mundësinë për të treguar cilësitë e tyre, që të të ardhmen të marrin përsëri ftesë nga ekipi kuqezi.
“Është një rrugëtim që vazhdon. Kemi kohë që vëzhgojmë me kujdes kampionatin shqiptar dhe të gjithë këto lojtarë që kemi zgjedhur në këtë listë që kemi përpiluar. Besojmë që cilësitë që ata kanë meritojnë të vlerësohen. Me Arabinë Saudite bëmë një paraqitje shumë pozitive dhe mund të fitonim ndeshjen, do të ishte e merituar duke parë që krijuam shumë. Tani kemi përballë Katarin që është shumë, po shumë më e fortë se Arabia Saudite duke parë që ka 3 vite që është duke përgatitur Kampionatin Botëror, me lojtarë që janë natyralizuar këto kohët e fundit si disa brazilianë. Janë një skuadër që kanë cilësi teknike të mëdha dhe shumë shpejtësi”.
“I kam parë në disa ndeshje që ata kanë luajtur dhe duhet të them se do të jetë një test shumë i rëndësishëm edhe për ne që të bëjmë një vlerësim për këta që janë këtu. Disa prej tyre kanë treguar cilësi shumë të mira ndaj Arabisë Saudite dhe unë uroj që të vazhdojnë të përmirësohen në raport me atë që kemi treguar ndaj sauditëve. Ky është një test i rëndësishëm dhe do të bëjmë padiskutim vlerësime. Shpresoj shumë që disa prej tyre të më japin garanci dhe të kem mundësi që t’i grumbulloj për ndeshjet e ardhshme në skuadër”.
“Unë jam i bindur që ky grup do të bëjë një paraqitje shumë të mirë me Katarin, ashtu siç bëri edhe me Arabinë Sauditë, por nuk mund të bëj një vlerësim individual të lojtarëve. Lojtarët që luajnë e që aktivizohen në klubet jashtë kanë një eksperiencë më të madhe krahasuar me lojtarët e kampionatit shqiptar, por gjithsesi unë jam i bindur që këto lojtarë që kemi ftuar, apo ato që kishim me Arabinë Saudite, e meritojnë të luajnë me Kombëtaren shqiptare. Kështu që ne i japim mundësinë pasi i kemi ndjekur vazhdimisht dhe nuk mund të bëja një krahasim të tillë me Kombëtaren A, pasi për mua janë të gjithë njësoj”.
“Të gjithë, nuk mund të them një emër një emër të veҫantë. Disa kanë treguar cilësi të mira. Nuk kemi pse bëjmë krahasime. Në momentin që janë këtu janë të gjithë të rëndësishëm. Nuk ka dy ose tre emra të veҫantë. Të gjithë që janë këtu kanë potencialin për të treguar cilësitë e tyre. Në këtë ndeshje me Katarin nuk dua të bëj si me Arabinë Saudite, ku kanë luajtur shumë lojtarë por vetëm nga një pjesë loje. Ndonjë lojtar dëshiroj që ta aktivizoj më gjatë në lojë duke parë që shumë shpejt vjen dhe ndërprerja e kampionatit shqiptar dhe kanë mundësi të rikuperohen. Sigurisht që një pjesë loje është e rëndësishme për të bërë disa vlerësime por sigurisht që kur luan një orë ke mundësi të tregoj diҫka më shumë. Tani kam një ide më shumë për disa prej tyre që mund të jenë pjesë e Kombëtares A në të ardhmen dhe unë ti kem në dispozicion”.
“Kontrata ime? Nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me herën e fundit që kemi folur për këtë çështje. Nuk ka asgjë të re dhe nuk mund të shtoj asgjë, përveçse kur të mbarojë kontrata do të ulemi me të gjithë dhe të diskutojmë për të ardhmen”.
“Kampionati shqiptar është shumë i vlefshëm në aspektin e forcës, agresivitetit dhe temperamentit. Ajo që kam dalluar është që ҫalon disi në aspektin teknik, te spostimi i lojës por kjo jo për të qënë kritik. E keni të qartë se edhe në Itali ka shumë njerëz që thonë që nuk është në nivel të njëjtë me kompeticione të tjera sepse në përballjet me skuadrat gjermane, spanjolle dhe angleze nuk arrijnë të jenë kompetitiv sepse thonë që kampionati italian nuk është më ai i disa viteve më parë. E njëjta gjë thuhet edhe për kampionatin shqiptar. Nëse do të përmirësohen në aspektin teknik, sepse lojtarët nuk është se nuk janë, do të jenë në një nivel tjetër. Me Ervin Bulkun kemi bërë një vlerësim nga aspekti fizik por duhet të punohet shumë te futbolli i bazës për tu rritur. Ky ka qënë pak a shumë objektivi jonë”.
“Jemi duke kontrolluar me detaje gjithҫka dhe duke parë se ku janë problemet për të ndërhyrë. Lojarët që kanë arritur në një farë moshe dhe kanë pjekuri e maturi e kanë disi më të vështirë nga pikëpamja mendore për të ndryshuar në aspektin e lëvizshmërisë, atë taktik, të ideve futbollistike. Do të duhet të punohet te futbolli bazës më shumë, aty mund të përmirësohen këto aspekte. Një lojtar kur është 17-18 apo 19 vjeҫ është pothuajse i formuar. Më pas maturohet nga ana fizike por mendërisht është i formuar. Më pas vetëm mund të përmirësohet në këto aspekte që janë tashmë të formuara. Do të duhet të përmirësohet më shumë njohja në aspektin futbollistik, të filozofisë së lojës dhe atë taktik. Për këtë duhet të punojmë shumë me sektorin e të rinjve. Për mendimin tim është aty pika ku duhet të ndërhyjmë sepse këto që janë të formuar tashmë janë gati. Unë personalisht kam parë lojtarë të gatshëm në aspektin fizik dhe kanë prezencë fizike vetëm se i mungon eksperienca e një kampionati më të fortë për tu pjekur akoma më shumë”.
“Nëse rritet e gjithë lëvizja futbollistike shqiptare do të ishte diҫka e jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë duhet të bëjmë vlerësimet edhe në raport me skuadra të tjera Kombëtare. Për shembull me U-17 që ka qënë në Itali për disa miqësore dhe më pas në Kroaci për eliminatoret kam parë me kujdes ndeshjet për tu kuptuar se në ҫ’farë pikë ndodhemi. Dhe gradualisht me disa ushtrime, me një punë në aspektin mendor, gradualisht jemi duke u rritur. Aty është pika ku duhet të ndërhyjmë sepse kur t’i përballesh me skuadra të tjera shikon sa i aftë dhe i vlefshëm je. Edhe kjo skuadër që kam tani që do të luajë ndaj Katarit, nëse do të bëj edhe miqësore të tjera, mund të bëjmë një krahasim për rritjen dhe janë këto ndeshje që të japin mundësi për tu rritur. Edhe qëllimi ynë ky është, që të kemi mundësi të bëjmë eksperiencë e të bëjmë një vlerësim për lojtarët më të mirë. Unë kam grumbulluar ato që kanë rënë më shumë në sy në këtë periudhë. Këto përballje janë të rëndësishme. Duhet të fitojmë eksperiencë ndërkombëtare për të kuptuar e vlerësuar peshën e kampionatit. Kjo është edhe detyra jonë. Kemi rënë dakort edhe me Dukën që duhet t’i përmirësojmë këto pika që ju thashë më lart. Në të ardhmen, unë sigurisht që nuk do të jem, ato që do të vijnë të kenë mundësi të korrin frytet e punës me sektorin e të rinjve”.
“Sigurisht që ky është një diskutim i përhershëm, pjesa e listës. Ka lojtarë që mund të ishin, ka lojtarë që do të donin të ishin, por sigurisht që ne nuk mund t’i marrim dot të gjithë. Nëse i vini re, mosha më e madhe e lojtarëve në këtë listë është diku 25 vjeç, pra kemi marrë lojtarë që janë të rinj dhe që ndoshta mund të premtojnë për perspektivën. 22-23-24 vjeç. Sigurisht që ka edhe lojtarë të tjerë të vlefshëm në kampionatin shqiptar, por unë kam zgjedhur ata që unë mendoj se mund të jenë më të përshtatshëm dhe që mund të na shërbejnë më shumë për një miqësore të tillë”.
“Sigurisht që në të ardhmen do të kemi mundësi dhe shpresoj që të kemi edhe miqësore të tjera e t’i japim shansin edhe lojtarëve të tjerë. Por për momentin kam menduar që ky është grupi dhe këta janë lojtarët që janë më të përshtatshëm dhe që mund të na vlejnë ne sa i përket të ardhmes. Sigurisht që një problem tjetër është edhe fakti që kjo nuk është datë e UEFA-s dhe klubet nuk mund t’i japin lojtarët shumë kollaj. Ne kemi pasur shumë lojtarë në listën tonë, mund të jenë rreth 15 lojtarë që do të donim t’i kishim pasur në këtë ndeshje, por për shkak se nuk është një datë e UEFA-s, klubet nuk i kanë lejuar. Mund të përmend rastin e lojtarit të Leçe-s, datëlindje e vitit 2003, me të cilët fola vetë personalisht, por duke qenë një lojtar i rëndësishëm dhe kishin ndeshje nuk na e dhanë. E njëjta gjë ndodh edhe me ekipet kombëtare të moshave, që kanë këtë problem, kur kanë miqësore jashtë dative zyrtare, nuk i lejojnë klubet”.
“Pritshmëritë e mia janë që ne të bëjmë një paraqitje shumë të mirë, pasi ekipi është rritur dhe kemi arritur në një nivel shumë të mirë dhe sa i përket kompeticionit zyrtar, kam shprehur gjithnjë bindjen që ne do të luajmë shanset tona për të arritur një kualifikim në finalet e Europianit 2024. Kemi përpara Poloninë, një rival shumë të fortë, është e kotë të flasim gjatë. Edhe Republika Çeke është një kundërshtar shumë i fortë, por nëse ne arrijmë të bëjmë atë që ne kemi thënë vazhdimisht, të përmirësojmë gabimet tona, ne mund të jemi kompetitivë dhe të luajmë deri në fund mundësitë tona për të kaluar Çekinë dhe për të dalë të dytët”.
“Miqësoret i konsideroj si ndeshje zyrtare, i konsideroj si të rëndësishme dhe pres të shoh rritje nga skuadra ndaj Italisë dhe Armenisë. Por për mua është e rëndësishme edhe miqësorja kundër Katarit sepse luan Kombëtarja shqiptare, lojtarët duhet të bëjnë një paraqitje të mirë dhe kanë një rast për të treguar vlerat e tyre dhe për të na bërë krenarë të gjithëve. E njëjta gjë vlen edhe për ndeshjen kundër Italisë, ku kuptohet që motivimi është diçka tjetër, të gjithë duan të luajnë dhe do të bëjnë maksimumin sepse kuptohet që do të luajmë ndaj një kundërshtari me nivel më të lartë. Për mua është e rëndësishme të tregojmë vlerat tona dhe i vetmi merak që kam është mentaliteti dhe nuk duhet të tregohemi ‘mendjemëdhenj’ me veprimet tona në fushë, sepse ky është aspekti i vetëm që kam parë te Kombëtarja shqiptare. Kjo duhet rregulluar pasi të tjerat mund të rregullohen”.