Politika

Rekomandimet e Komisionit të Venecias të reflektuara në projektin kushtetues

Opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese konsiderohet nga autoritetet shqiptare si një bazë solide dhe e qëndrueshme në punën e mëtejshme për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Faza tjetër e punës në hartimin e draftit kushtetues pritet të reflektojë idetë dhe zgjidhjet më të mira të sugjeruara nga Komisioni i Venecias (KV), por dhe nga ekspertë, grupe politike, gjyqtarë dhe prokurorë, të përfshirë në këtë proces.

Një grup ekspertësh nga KV pritet të vizitojë Tiranën në janar të vitit të ardhshëm, ku do të diskutojë rreth reformës në drejtësi me zyrtarët e lartë shqiptarë, ndërsa në muajin shkurt ky organizëm pret nga Shqipëria projektligjin kushtetues të ripunuar. Më pas, në muajin mars KV pritet të miratojë vlerësimin përfundimtar për reformën në drejtësinë shqiptare.

Në rekomandimet për projektin kushtetues, KV nuk ka dhënë pëlqimin për krijimin e institucioneve të reja, sikurse parashikohet në draftin e ekspertëve të lartë shqiptarë dhe të huaj. Komisioni këshillon uljen e numrit të institucioneve, ndërsa tërheq vëmendjen për rrezikun e klimës së mosbesimit që mund të krijojnë ato, duke kontrolluar njëra-tjetrën.

Organet e reja, sipas ekspertëve të Venecias, mund të dëmtojnë më tej besimin e opinionit publik dhe mund të kërkojnë më shumë profesionistë për këtë reformë, të cilët Shqipëria i ka me pakicë për nga arsimi dhe përvoja e duhur, ndaj rekomandon se më e udhës do të ishte forcimi i institucioneve aktuale.

Drafti i propozimeve të sugjeruara nga Komisioni i Venecias mes të tjerash parashikon:
– Të kufizohet roli i Ministrit të Drejtësisë në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në mënyrë që të shmanget konflikti i mundshëm i interesit
– Ministri i Drejtësisë të mos jetë pjesë e Gjykatës Disiplinore
– Të qartësohet se kush vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese
– Të përcaktohen në Kushtetutë parimet e përgjithshme të meritokracisë mbi të cilat do të emërohen gjyqtarët dhe prokurorët. Proçedura e emërimit të tyre duhet të jetë e bazuar mbi meritë, transparencë dhe thirrje të hapur për kandidatët.
– Të qartësohet në Kushtetutë marrëdhënia e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e strukturës së veçantë të prokurorëve të antikorrupsionit
– Përbërja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur
– Gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen verifikimit duhet të kenë garanci për një gjykim të drejtë e të paanshëm, si dhe të gëzojnë të drejtën e ankimimit tek një organ i pavarur
– Të përcaktohet statusi, kompetencat dhe kushtet e emërimit dhe shkarkimit të vëzhguesve ndërkombëtare

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button