Kosova

Rënia e qeverive

Që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, Kosova nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Pothuaj secila prej qeverive në Kosovë, të koalicioneve të ndryshme partiake, që prej afro dhjetë vjetësh, ka hyrë në mocione mos-besimi dhe është detyruar të dorëhiqet duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.

Analistët thonë se një nga arsyet më të mëdha është se marrëveshjet e koalicioneve qeverisëse kanë qenë të rastësishme dhe për faktin e mosprofilizimit të partive politike në Kosovë.

Analisti politik Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se qeveritë në Kosovë nuk po mund ta çojnë deri në fund mandatin pasi sipas tij Kosova është një shtet i ri dhe ende në tranzicion.

“Partitë në Kosovë nuk janë të profilizuara politikisht dhe ideologjikisht. Ka interesa grupore dhe klanore, por edhe krahinore e rajonale. Gjithashtu kemi lëvizje të anëtarësisë dhe të deputetëve nga një krah në tjetrin. Elitat politike nuk janë të kënaqura me ndarjen e pushtetit dhe e sfidojnë edhe kur kanë të drejtë edhe kur nuk kanë të drejtë. Kjo bën që Kosova të shkojë në zgjedhje më shpesh sesa që është mandati i rregullt”, tha Tahiri.

Por, për profesorin shkencave politike, Belul Beqaj, mos përfundimi i mandateve qeverisëse është pasojë e paqëndrueshmërisë së vetë koalicioneve.

“Zakonisht koalicionet kanë qenë produkt i marrëveshjeve të ‘rreme’ apo të rastit dhe pikërisht kur kanë vendosur që të jenë pjesë e pushtetit, partnerëve të koalicionit u ka konvenuar diçka e tillë. Ndërkaq esenca e kundërthënieve të interesave ka dal në sipërfaqe varësisht nga koha pas një ose dy vitesh dhe përfundimisht kur nuk ka qenë interesi unik. Koha e ndarjes së partnerëve është përcaktuar varësisht prej momentit kyç kur ka qenë e nevojshme për ndonjërin nga partnerët kryesor të koalicionit”, thotë Beqaj.
Një mocioni të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar nuk i mbijetoi Qeveria Mustafa, dhe vetëm një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, u përcaktua data 11 qershor, si ditë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

LDK dhe PDK sërish prishën koalicionin qeverisës, sikurse edhe në vitin 2010, kur në krye të qeverisë ndodhej presidenti aktual Hashim Thaçi.

Tronditjet politike në Kosovë, vlerësojnë analistët politikë, kanë penguar edhe përfundimin e një numri projektesh madhore dhe njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik.

Analisti Ramush Tahiri thotë se prishjet e koalicioneve qeverisëse dëmtojnë sidomos reformat e ndryshme themelore në arsim, në shëndetësi, në politika sociale…

“Gjithashtu zhvillimi i bujqësisë dhe sidomos punësimi i të rinjve që janë sfida për secilin shtet. Këto janë edhe pasoja të mos sinqeritetit në prezantimin apo përfaqësimin politik dhe gjithashtu shprehen në mos realizimin e programeve qeverisëse dhe mos shqyrtimin e programit qeverisës”, tha Tahiri.

Ndërkaq, për Behlul Beqajn me rënien e një qeverie mbesin në gjysmë shumë punë të nisura për të përfunduar.

“Projektet mbesin të pa përfunduara edhe sikur të vazhdohet me kundërthënie të brendshme mendoj se dëmtohen edhe ato raporte të interesit që krijohen dhe që janë një lloj produkti i marrëveshjeve politike. Kështu që në mes të një projekti të madh, që nuk po përfundon dhe problemit të vogël, që mbetet projekti i parealizuar, por me mundësi që në afatin tjetër me një koalicion tjetër të realizohet, megjithatë unë mendoj se është zgjidhje e problemit më të vogël karshi atij më të madh”, tha Beqaj.

Një numër çështjesh të nisura prej fundit të vitit 2014, ku edhe u krijua koalicioni qeverisës, PDK-LDK, nuk arritën të përfundonin deri në mocionin e mosbesimit.

Fillimisht dy procese u bllokuan në Kuvendin e Kosovës, ai i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u kundërshtuan me forcë nga opozita në Kosovë.

Demarkacioni ndërkaq vazhdon të jetë një prej kushteve themelore të Këshillit të Evropës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button