Republika e ortakëve

Një mik më dërgoi një mesazh që më bëri të mendohem gjatë:
“Kur dolën nga burgu, Marsel Skendo (milioneri i parë), Fatos Nano (politikani) dhe Nehat Kulla (i forti), e ruajtën miqësinë, por secili shkoi në punën e vet. Nuk u bënë kurrë ortakë. Prandaj edhe vdiqën secili në krevatin e vet. Sot gjërat kanë ndryshuar, zotëri. Janë bërë të gjithë ortakë…”
Ndonëse në këtë përshkrim ka një lloj romantizimi të së shkuarës, mesazhi godet saktësisht në nervin e realitetit tonë.
Dikur kufijtë ishin më të qartë: politikani merrej me politikë, biznesmeni me biznes dhe i forti me punët e veta. Mund të takoheshin, të ndihmonin apo të sajdisnin njëri-tjetrin, por rrallëherë shkriheshin në një qenie të vetme.
Sot, këta kufij janë fshirë.
Biznesmeni kërkon të bëhet ligjvënës, politikani synon të bëhet biznesmen, ndërsa eksponenti i botës së krimit nuk mjaftohet më me hije. Ai kërkon t’i ketë të dyja rolet njëkohësisht. Në këtë amalgamë nuk ka më vijë ndarëse mes atij që shkruan ligjin, atij që grumbullon paratë dhe atij që duhet të garantojë rregullat.
Kur të gjithë bëhen ortakë, askush nuk mbetet arbitër.
Prandaj zemërimi që po shohim sot në Shqipëri është më i thellë se një protestë kundër një projekti, një qeverie apo një elite të caktuar. Ai buron nga ndjesia mbytëse se tavolina është bërë tepër e vogël dhe karriget rreth saj janë zënë prej kohësh nga të njëjtët njerëz.
Në një nga komentet më domethënëse për protestat e javëve të fundit, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, vërejti se protestuesit “nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre”. Sipas tij, ata janë qytetarë të revoltuar nga “trajtimi i atdheut si plaçkë, të vetëdijshëm për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar”. Kjo ndoshta shpjegon më mirë se çdo sondazh apo analizë arsyen pse protesta po reziston: ajo ushqehet nga bindja se problemi nuk qëndron te një vendim i vetëm, por te mënyra se si janë ngjizur marrëdhëniet e pushtetit, parasë dhe krimit në vend.
Nëse dje shqetësimi ishte se politika kontrollonte ekonominë, sot alarmi është më i madh: politika, biznesi, media dhe krimi perceptohen nga shumë qytetarë si pjesë të të njëjtit ekosistem.
Po nesër?
Nëse kjo përzierje vazhdon, e nesërmja do të prodhojë më pak konkurrencë, më pak meritë dhe më pak besim. Kushdo pranon të humbasë në një garë të ndershme, por askush nuk pranon të futet në lojë kur fituesi dihet para se të fryhet bilbili.
Por ekziston edhe një rrugë tjetër.
Presioni publik, drejtësia dhe një brez qytetarësh që po zgjohet mund t’i rivendosin kufijtë e fshirë. Jo për t’i kthyer gjërat te e shkuara, por për të ndërtuar një kod të ri bashkëjetese: ku biznesmeni fiton në treg përmes aftësisë, politikani në zgjedhje përmes votës dhe askush nuk fiton më përmes frikës.
Giulio Andreotti thoshte se eksperienca është thjesht shuma e herëve që të kanë mashtruar në jetë.
Nëse ky përkufizim qëndron, atëherë Shqipëria e vitit 2026 është një vend me eksperiencë të jashtëzakonshme.
Pyetja që shtrohet sot është nëse kjo eksperiencë do të na shërbejë për të ndryshuar të ardhmen, apo do të mbetet thjesht një tjetër histori për t’u treguar nëpër tryeza, ndërsa Republika e Ortakëve vazhdon punën.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.