Rexhepi: Demarkacioni parandalon vrasjet në kufi me Serbinë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll. Megjithatë, ai vlerëson se nëse ka trazira sociale të cilat mund të manipulohen qoftë nga grupe të caktuara, qoftë nga subjekte politike, për interesat e veta kjo mundet me paraqit një rrezik potencial në vend.
Rexhepi, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për sigurinë në veri të vendit, për luftimin e grupeve terroriste si dhe për vrasjet e fundit që ndodhën nëpër kufijtë e Kosovës me Serbinë.
Sa i përket veriut, ministri Rexhepi, ka thënë se gjendja e sigurisë aty është e mirë, por nuk do të thotë se nuk mund të ketë ndonjë potencial të destabilizimit të situatës.
Sipas tij strukturat paralele më nuk ekzistojnë në veri të vendit, por për shkak të zgjedhjeve që janë mbajtur në Serbi dhe Kosovë, Rexhepi ka shtuar se kanë mbetur disa individë pa u sistemuar ende.
“Edhe pse gjendja e sigurisë në veri është e mirë, megjithatë, mund të ketë ndonjë potencial të destabilizimit të situatës edhe pse tash shumë më pak për arsye se policia po funksionon relativisht mirë dhe e respekton zinxhirin komandues”, ka thënë Rexhepi.
Por, se nga vijnë grupet terroriste e radikale në Republikën e Kosovës, të cilët po i nxisin njerëzit që të shkojnë në luftë të vendeve të tjera, Rexhepi nuk e ka përjashtuar mundësinë se vijnë nga organizatat e huaja të Lindjes së Afërt të cilat janë regjistruar si organizata humanitare në kohën kur qytetarët kosovarë kanë pasur nevojë për ndihmë.
“Kjo është çështje e komplikuar. Nuk mund të bëhet një analizë, por është shumë e vërtetë që shumë organizata jo qeveritare nga Lindja e Afërt, të cilat kanë pasur aktivitete të ndryshme në kohën kur ka qenë kriza humanitare. Në fazën e parë të ndihmës humanitare disa prej tyre kanë mbetur disa prej tyre kanë ardhur. Regjistrimi i tyre ka qenë shumë i lehtë pa ndonjë kriter të caktuar dhe disa prej tyre përveç formalisht të ndonjë aktiviteti humanitar kanë pas edhe financimin, rekrutimin, e individëve dhe dërgimin e tyre në Siri, Irak. Sa u përket shteteve unë nuk do të merrem me spekulime por ka shtete që nuk ia donë të mirën Kosovës edhe në rajon, edhe mund të jetë një lidhje e këtyre organizatave se ata janë të gatshëm edhe me investuar vetëm ta paraqesin një imazh të keq për Kosovën. Kështu që edhe kjo komponentë nuk mund të eliminohet”, ka pohuar Rexhepi.
Ai ka treguar se hetimin dhe monitorimin e këtyre grupeve e kanë filluar gati 2 vite më parë. Por, sipas tij, nuk kanë dashur që t’i dënojnë individët e caktuar që merren me këtë çështje, pasi sipas tij është dashtë të kenë argumente të prekshme dhe mos të ndodh që të arrestohen ata persona dhe të lirohen menjëherë nga gjyqi.
Megjithatë, luftimi i kësaj dukurie është një ndër punët më të mëdha që janë bërë në sektorin e sigurisë ka thënë Rexhepi, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
Luftimi kundër terrorizmit do të vazhdojë edhe më tutje, por Rexhepi, ka thënë se sikur të ishte i gatshëm ligji për parandalimin e shkuarjes në konflikte të armatosura do të kishin lehtësim shumë më të madh.
“Epërsëris edhe një herë që, sikur ta kishim pasur ligjin për parandalimin e shkuarjes në konflikte të armatosura, që fatkeqësisht nuk arriti në leximin e dytë do të ishte një lehtësim shumë më i madh për policinë, për hetuesinë në përgjithësi. Me këtë ligj përveç mënyrës reaktive vepruese kemi dashtë t’i parandalojmë këto fenomene dhe tash besoj që me legjislacionin e ardhshëm duhet të jetë një ndër ligjet e para në mënyrë që t’i parandalojmë këto e jo vetëm të veprojmë”, ka deklaruar Rexhepi.
Roli i Bashkësisë Islamë në këtë aspekt, sipas ministrit Rexhepit, është mjaft i mirë, i vendosur qartë. Por, Bashkësia Islame sipas tij është pak e hendikepuar për arsye se duhet që sa më shpejtë të përgatitet ligji për fetë ku shihet edhe mënyra e financimit të tyre, të bëhet edhe pagesa e imamëve nga buxheti i shtetit si dhe donacionet që i shkojnë Bashkësisë Islame të shkojnë nëpërmjet thesarit.
Rexhepi, ndonëse ka thënë se nuk është ekspert i religjionit, por janë njerëzit që sipas tij po e bëjnë keqinterpretimin e fesë dhe në emër të asaj nganjëherë bëjnë edhe krime dhe vrasje makabër.
“Me sa di unë qoftë Kurani, qoftë librat tjerë fetarë por edhe vetë feja si fe, asnjëherë nuk e promovon ekstremizmin, sidomos jo vrasjet për arsye se nëse mundem të them, për me ja marrë shpirtin dikujt tjetër atë të drejtë e ka vetëm Zoti, asnjë individ, as nuk e lejon feja as nuk e jep atë të drejtë. Janë njerëzit që e bëjnë keqinterpretimin e fesë dhe në emër të asaj nganjëherë bëjnë edhe krime dhe vrasje makabër”, ka shtuar Rexhepi.
Ministri në detyrë i MPB-së, ka folur edhe për vrasjet të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit afër pikave kufitare me Serbinë. Sipas tij, janë ndërmarr gjitha masat në mënyrë që të mos ndodhin më vrasje të tilla.
Megjithatë, situata e sigurisë në vend është e qetë sipas tij dhe ato kanë qenë incidente të izoluara që nuk kanë reflektuar në përkeqësimin e situatës së sigurisë. Por, për tu parandaluar më mirë këto vrasje Rexhepi ka një alternativë.
“Për me u parandaluar më mirë duhet që sa më shpejt të pajtohen dy shtetet, të bëhet demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë që është interes i dy anshëm ku pastaj mund të pajiset kufiri qoftë me kulla vrojtuese qoftë me forma të ndryshme të kamerave. Pasi të bëhet identifikimi i vijës kufitare, askush pastaj nuk mund të thirret se nuk e dinë tamam se ku është kufiri. Por është domosdoshmëri që të ketë bashkëpunim të drejtpërdrejtë policor mes dy shteteve të parandalohen kalimet ilegale për arsye se kjo është në interes të sigurisë rajonale dhe në interes të sigurisë të dy shteteve”, ka treguar Rexhepi.
Rexhepi ka theksuar se MPB, i ka ngrit kapacitetet në disa fusha por në veçanti e ka përmendur drejtorinë për luftë kundër terrorizmit e cila punën e saj e ka dëshmuar në aksionet e fundit