Rihapet gara për vendin vakant në Kushtetuese, Kuvendi shpall procedurat e aplikimit
Kuvendi i Shqipërisë ka çelur këtë të martë pasdite procedurat për aplikimin për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, pasi vlerësoi Vendimin nr. 28, datë 16.09.2020, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet të cilit, KED vendosi njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë për të vlerësuar rishpallen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e përkohshme e shpallur nga Kuvendi në datë 28.08.2018,dhe rishpallur më datë 21.08.2019, rishpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të Fatos Lulos.
Në njoftimin e publikuar sot nga Kuvendi mësohet se, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; Të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; Të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; Të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Po ashtu, Kuvendi sqaron se kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere: të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike; të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës; të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme, njofton Kuvendi vlerësohet në bazë të: vjetërsisë në profesion; përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë; kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës; treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike; ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës; informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin; Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant; Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail); Fotokopje të kartës së identitetit; Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
Kuvendi bënë me dije se kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 13. 10.2020 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën: Kuvendi i Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë.
Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.