Rrëzimi i avionit mbledh NATO-n, Stoltenberg: Solidaritet dhe mbështetje Turqisë
Aleanca ushtarake e Atlantikut të Veriut, NATO mbajti një takim të jashtëzakonshëm të kërkuar nga Ankaraja, menjëherë pas ngjarjes së ditës së sotme, kur një avion rus u rrëzua nga Turqia me pretendimin se kishte shkelur hapësirën ajrore të këtij vendi.
Drejtues të aleancës atlantiko-veriore, përfshi Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, deklaruan se, avioni rus hyri në hapësirën ajrore turke para se ai të qëllohej me pasojë rrëzimin. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se inkursioni rus në hapësirën ajrore turke zgjati vetëm disa sekonda. Sikurse citon “Reuters”, përfaqësuesit e NATO-s besojnë se Turqia duhej të kishte treguar më shumë vetëpërmbajtje, por Stoltenberg është shprehur se “ne qëndrojmë në solidaritet me Turqinë dhe mbështesim integritetin territorial të aleatit tonë”.
Megjithatë, një diplomat, i cili foli në kushte anonimati tha se, shumë nga të deleguarit u shprehën se, më shumë sesa frikë për veprimet e Rusisë, është edhe shqetësimi për mënyrën e menaxhimit të situatës nga turqit për të tilla incidente.
Zyrtarët rusë pretendojnë se, një nga pilotët e avionit ka humbur jetën, ndërsa autoritetet turke thonë se dy pilotët janë gjallë. E vetmja gjë që duhet bërë – thonë ata, – është lirimi i sigurtë nga duart e rebelëve sirianë që luftojnë kundër Assadit.
Rrëzimi i avionit rus nga Turqia ka zgjuar tensione të forta mes Kremlinit dhe Ankarasë, por Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk ka bërë thirrje për qetësi. Tusk tha se kjo çështje do të diskutohet më gjerësisht në një samit, që do të mbahet në Bruksel ditën e dielë, ku përfaqësues të dy shteteve do të jenë të pranishëm.
Por, në këtë valë diskutimesh, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e anuloi vizitën e tij në Turqi ditën e mërkurë, ku ishin planifikuar bisedime dypalëshe mes vendeve. Presidenti Vladimir Putin nuk e konsideroi as më shumë e as më pak, por si një “thikë pas shpine” rrëzimin e avionit rus, madje me tone të ashpra, ai tha se “Turqia është krah terrorizmit dhe krah ISIS në Siri”.
Deklarata e Putin u pasua nga komenti i ministrit rus të Mbrojtjes, i cili tha se incidenti nuk do të ndryshojë angazhimin e Rusisë në luftën kundër terrorizmit në Siri. Kremlini pretendon se avioni rus po fluturonte 4 km larg kufirit turk, teksa po bombardonte objektivat e ISIS në Siri, dhe se nuk përbënte asnjë lloj rrezikshmërie për Turqinë. Por, nga ana e saj, forcat turke pretendojnë se i kishin paralajmëruar të paktën 10 herë rusët në vetëm 5 minuta, që avioni i tyre të largohej nga rajoni jugor i vendit.
Edhe agjencia shtetërore ruse e turizmit i anuloi paketat turistike për në Turqi, si një nga masat e para, që shefi i Kremlinit paralajmëroi mbi përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Edhe pse janë numëruar incidente të shumta në ajër, që përfshijnë Perëndimin dhe Rusinë, asnjë vend i NATO-s nuk ka rrëzuar asnjë avion rus që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ndaj dhe incidenti i fundit ka ndryshuar kursin e ngjarjeve.