Rrëzimi i avionit rus: Bombë në bagazh?
Sipas ekspertëve evropianë të afërt me hetimet, kutitë e zeza të avionit rus të rrëzuar në Sinai të Egjiptit të shtunën e kaluar tregojnë se rrëzimi ka ndodhur si pasojë e një shpërthimi dhe jo e një difekti mekanik.
Burime perëndimore të zbulimit thonë se agjentë britanikë dhe amerikanë kanë interceptuar komunikime elektronike të personave të dyshuar si ekstremistë si dhe të paktën një komunikim të një qeverie tjetër, të cilët kanë lënë të kuptohet se avioni është rrëzuar nga një bombë, ndoshta e fshehur në bagazh.
Të 224 personat në bord gjetën vdekjen nga rrëzimi dhe hetimet vazhdojnë.
Presidenti rus Vladimir Putin pezulloi të premten të gjitha fluturimet nga Rusia në Egjipt, destinacioni më popullor për rusët.
Udhëheqësi rus e mori këtë vendim menjëherë pasi kreu i shërbimeve të sigurisë së vendit FSB, Alexander Bortnikov rekomandoi ndërprerjen e fluturimeve “derisa të përcaktoheshin arsyet e vërteta” të rrëzimit.
Rusia kishte hedhur poshtë prej ditësh si spekulime pohimet e Presidentit Barack Obama dhe kryeministrit britanik David Cameron se kryengritësit e Shtetit Islamik kishin vendosur një bombë në avionin Metrojet që fluturonte nga Sharm el-Sheikh për në Shën Peterburg.
Ndërkohë, planet për evakuimin e qindra britanikëve të bllokuar në një pikë turisktike në Gadishullin Sinai të Egjiptit u pezulluan, pasi Egjipti ndaloi avionët britanikë të fluturonin në rajonin e trazuar nga kryengritësit. EasyJet, një shoqëri ajrore britanike tha se vetëm 2 nga 10 fluturimet e planifikuara u ulën të premten në aeroportin Sharm el-Sheikh. Zyrtarët egjiptianë nuk kanë thënë përse u pezulluan fluturimet.
Megjithëse është e paqartë nëse turistët britanikë do të vonohen apo do të mbeten të bllokuar në aeroport, shumë turistë falenderuan qeverinë që po kujdesej për evakuimin e tyre:
“Mbi të gjitha mendoj se qeveria mori vendimin e duhur për të na nxjerr ngadalë nga Egjipti mes këtyre shqetësimeve për sigurinë”.
Kryeministri britanik David Cameron, gjatë një takimi në Londër të enjten me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, shprehu shqetësimin rreth mundësisë së një akti terrorist:
“Nuk e dimë me siguri në se ishte një shpërthim terrorist; është ende duke u zhvilluar një hetim në Egjipt. Duhet të shohim rezultatet e hetimit. Arsyeja përse kemi vepruar para se të përfundojë hetimi është se ka shqetësime se ka më shumë të ngjarë që të ketë qënë një shpërthim terrorist.”
Të enjten, presidenti amerikan Barack Obama tha se “ka mundësi” që një bombë të ketë shkatërruar avionin rus, por shtoi se hetimi ende vazhdon.
Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Grupi militant nuk ka ofruar ndonjë prove që ta mbështes këtë pretendim.
Disa turistë janë të shqetësuar se incidenti po dëmton reputacionin e qendrës turistike.
“Autoritetet belge po më thonë se Egjipti nuk është i sigurtë dhe se duhet të anulojmë fluturimet për arsye sigurie. Mendoj se ky është budallallëk pasi këtu është qetë dhe nuk ka asnjë problem.” – tha një turist.
“Më vjen keq që aq shumë rusë humbën jetën, por unë do të kthehem përsëri këtu. Vendi është shumë i sigurtë.” – tha një tjetër.
Megjithatë, çdo konfirmim për përfshirje terroriste në incident mund të dëmtojë edhe më tej industrinë e turizmit në Egjipt.