Rusët sulmojnë opozitën siriane
Sulmet ajrore ruse kanë vrarë të paktën 45 vetë në një rajon veri-perëndimor të Sirisë, të kontrolluar nga rebelët kundërshtarë të Bashar al Assadit.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut raporton bombardimin e zonës së thyer malore, Jabal al-Akrad në provincën e Latakia-s.
Sipas grupit monitorues, mes te vdekurve nga mësymja ruse është edhe Basil Zimmo, komandandanti i brigadës “Ushtria e lirë siriane” që mbështetet nga perëndimi, si dhe familjet e disa rebelëve. Por Moska, edhe për episodin e ndodhur pasditen e së hënës, pretendon se shënjestra e avionëve të saj luftarake, si përherë, kanë qenë militantët e Shtetit Islamik megjithatë se informacionet mbledhura nga aktivistët tregojnë se në provincën bregdetare, ISIS-i ka një prani fare të vogël, në mos nuk ka fare.
Grupet e moderuara rebele e morën kontrollin e Jabal al-Akrad-it në 2012-tën. Nga pozicionet e rajonit malor, ata kanë mundur të bombardojnë aeroportin e Latakias dhe fshatin e origjinës së Assadit, Qardaha.
Por, që kur nisi fushatën e saj ajrore në 30 shtator, Moska e ka vënë vazhdimisht në shënjestër këtë zonë. Nga dhjetra të plagosurit e sulmit të së hënës, disa janë në gjendje kritike për jetën, çka rrit gjasat për rëndimin e bilancit të vdekjeve. Mes viktimave thuhet të ketë edhe shumë gra e fëmijë.
Ngurrimin e Amerikës për të reaguar më ashpër ndaj Rusisë në këtë situatë, analisti Tim King, themelues i Global Neës Centre, e sheh si akt defensiv.
“Vladimir Putin ka qëllime shumë më të mëdha sesa deklaroi fillimisht dhe Shtetet e Bashkuara po tregohen të frenuara në kundërveprim”, thotë King.
Më herët, shefi i diplomacisë amerikane John Kerry deklaroi se kriza e Sirisë nuk do të ketë zgjidhje ushtarake dhe se mbështetja e Assadit është e destinuar të dështojë.