Sa i kushtoi dasma aktorit George Clooney?
Dasma ekstravagante katërditore e George Clooney dhe Amal Alamuddin tërhoqi vëmendjen e botës, pasi beqari më karizmatik dhe më i pashëm i Hollivudit i dha fund beqarisë. Ndonëse një ceremoni bujare në dukje, martesa i kushtoi Clooney-t jo pak.
Cila është nusja?
Amal Ramzi Alamuddin, e lindur më 3 shkurt 1978, është 36-vjeçarja që i rrëmbeu zemrën aktorit të pakapshëm prej martesës. Ajo ka lindur në Bejrut të Libanit. Amal ka mbaruar shkollën e drejtësisë dhe është një avokate e të drejtave të njeriut. Ndër çështjet e saj më të njohura janë mbrojtja e Julian Assange, themeluesit të “Wikileaks” dhe ish-kryeministres ukrainase, Yulia Tymoshenko.
Të ftuarit
Ceremonia që u mbajt në resortin Aman Canal Grande ishte e mbushur me rreth 100 yje të televizionit dhe jo vetëm, mes tyre Rande Gerber dhe bashkëshortja Cindy Crawford, Matt Damon dhe bashkëshortja Luciana, John Krasinski dhe e shoqja Emily Blunt, Bono, Ellen Barkin dhe shefja e revistës “Vogue”, Anna Wintour. Festime shtesë u mbajtën në hotelin “Belmond Cipriani”.
Veshjet
Të sapomartuarit nuk lanë pas dore as detajet, që nga kostumi i tij Armani te fustani i saj i shkëlqyeshëm i Oscar de la Renta, pa harruar që çdo gjë tjetër u përkiste markave të njohura.
“George dhe unë deshëm një dasmë romantike dhe elegante, ndaj nuk mund të imagjinoja se ndokush tjetër veç Oscar do të ishte në gjendje ta shprehte të gjithë këtë në një fustan”, tha Amal rreth zgjedhjes së saj të stilistit. “Takimi me të e bëri procesin e stilimit akoma më magjik, meqenëse ai është shumë i afrueshëm dhe një zotëri i vërtetë.”
Të pranishmit treguan se nusja dhe dhëndri i dhanë secilit iPod të mbushur me këngët e tyre të përzgjedhura.
Vendi
Natyrisht që festimet përfshinë edhe alkoolin. Ndonëse martesat me një destinacion të caktuar nuk janë kurrë të lira, çifti është shprehur se nuk e imagjinonin dot të martoheshin ndokund tjetër. “Ne u takuam në Itali”, tha Clooney, i cili zotëron një vilë në liqenin e Lombardisë. “Ne kemi një shtëpi atje. E dinim që ai ishte vendi ku dëshironim të martoheshim.”
Dhuratat
Cilat ishin dhuratat për çiftin nga të ftuarit? “Nuk pati dhurata”, tregon i ftuari Bill Murray për “Vanity Fair”, sipas të cilit miqtë ishin udhëzuar të mos sillnin dhurata. Në këtë rast, prania ishte më e rëndësishme se dhuratat.
George Clooney, një kërcimtar!
Clooney dhe Amal Alamuddin thanë “Po dua” fundjavën e shkuar gjatë dasmës së tyre ekstravagante në Venecia, ku u treguan të ftuarve disa gjëra për artin e festimit.
“Ata po kërcenin gjatë gjithë natës”, tha DJ britanik Sam Young për revistën “People”. “George është një kërcimtar i lindur! Ishte çmenduri!” thotë Young, duke shtuar se aktori ka ditur ta mbajë veten.
DJ britanik luajti shumicën e muzikës në fundjavën e dasmës, të shtunën dhe në dy eventet e së dielës. Ai tha se të ftuarit u kënaqën veçanërisht të shtunën.
Sipas 35-vjeçarit londinez që ka luajtur muzikë për Elton John dhe Justin Timberlake, gjithashtu i preferuari i princit William dhe Harry, përzgjedhja muzikore ishte klasike, disko, funk dhe soul. Ai bëri me dije po ashtu se luajti nga Michael Jackson te David Bowie.
Dhe rezulton se Clooney nuk është i panjohur me të qenët një DJ. “Ai më tha se kishte bërë të njëjtën punë 15 vite më parë, mendoj përpara se të fillonte karrierën në aktrim.”
Kosto
Sipas revistës “People” që publikoi fotot ekskluzive dhe detajet më të fundit, kosto e luksit venecian të 27 shtatorit në Itali ishte plot 1.6 milionë dollarë.
Burimi i revistës i hodhi poshtë hamendësimet se festimet kishin kapur shifrën 13 milionë dollarë dhe se familja e nuses e mbuloi faturën.
*Burimi: “People”, “Glamour”, “Yahoo”