Salianji si kryetari de facto i PD-së, Berisha si kryetari i vulës
Nga Vilant Xhori
Dy ditë më parë në Tiranë, Ervin Salianji përmbylli turin e tij të takimeve në të dymbëdhjetë qarqet e vendit. Përtej sallave të mbushura, entuziazmit dhe përbërjes së audiencës, ajo që spikati në mënyrë të qëndrueshme ishte një emërues i përbashkët: shqetësimi i demokratëve për rikthimin e Partisë Demokratike në rrugën e fitores dhe daljen nga një periudhë e zgjatur pasigurie politike.
Ndërkohë, Sali Berisha mbylli një proces tjetër politik, një kuvend të zhvilluar pa garë reale, pa konkurrencë të mirëfilltë dhe pa alternativë të vërtetë. Dy ngjarje që ndodhën pothuajse paralelisht, por që përfaqësojnë dy qasje të ndryshme dhe dy vizione krejtësisht të kundërta mbi të ardhmen e opozitës shqiptare.
Pra, në njërën anë qëndron Sali Berisha, i pajisur me “vulë” institucionale, një legjitimitet i dhuruar nga qeveria. Në anën tjetër qëndron Ervin Salianji, legjitimiteti i të cilit buron nga një marrëdhënie e drejtpërdrejtë me bazën demokrate dhe nga mbështetja massive e rinisë e provuar në takime të shumta në mbarë vendin. Kështu, ndërsa Berisha shfaqet si simbol i vazhdimësisë së një strukture të mbyllur, Salianji paraqitet si një figurë që kërkon të ndërtojë një lidhje të hapur me demokratët dhe të artikulojë një alternativë fituese.
Edhe profili politik i dy protagonistëve e bën dallimin të dukshëm. Ervin Salianji identifikohet me një brez të ri politikanësh, me përvojë të fituar në përballje të fituara elektorale dhe në beteja politike që kanë pasur kosto personale për të. Pra, për ta thënë më troc, Ervin Salianji është një politikan që u përball me burgun për atë që denoncoi. Ndërsa Sali Berisha mbetet figura më dominuese e historisë së Partisë Demokratike, por njëherazi edhe simboli i një modeli drejtimi që shumica e demokratëve e konsideron të konsumuar dhe të paaftë për të zgjeruar mbështetjen elektorale të opozitës. Për më tepër, Berisha është një politikan i izoluar nga perëndimi dhe që po përballet me drejtësinë për abuzimet me pushtetin që akuzohet se ka bërë.
Koha po e shtyn gjithnjë e më qartë debatin drejt një pikëpyetjeje të madhe: nëse opozita do të vazhdojë të mbetet peng i një strukture të trashëguar, apo do të orientohet drejt një rinovimi të vërtetë politik. Në këtë ndarje perceptimesh, Salianji gjithnjë e më shumë shihet si një figurë që përfaqëson aspiratën për ndryshim, ndërsa Berisha si simbol i një epoke që po përpiqet të zvarritet më shumë sesa lejon realiteti politik.
Në fund të fundit, beteja nuk është vetëm për drejtimin e një partie, por për vetë kuptimin e saj. Njëra rrugë synon fitore përmes hapjes; tjetra synon mbijetesën përmes mbylljes dhe kontrollit. Dhe mes këtyre dy qasjeve, opozita shqiptare po përcakton fatin e saj të ardhshëm.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.